''Europa Nostra' është në vijën e njëjtë me propagandën serbe'

''Europa Nostra' është në vijën e njëjtë me propagandën serbe'

07:32, 19/07/2022

Adem Lushaj, nga Shoqata e Intelektualëve të Deçanit, ka folur për raportin e “Europa Nostras”, për të cilin tha se është në të njëjtën vijë me propagandën serbe.

“Kemi cilësuar se raporti i ‘Europa Nostras’, një organizatë joqeveritare, është pothuajse në vijën e njëjtë me propagandën serbe, që bëhet kundër qytetarëve të Deçanit, kundër institucioneve komunale dhe atyre qendrore”, ka thënë Lushaj në Edicioni Special në Klan Kosova.

Ai madje tha se kjo mund të jetë edhe e paguar për të bërë, siç tha ai, propagandë të tillë.

“Ata janë një shoqatë, siç jemi edhe ne dhe me gjasë janë duke u paguar për të bërë një propagandë të tillë. Ata janë takuar edhe me kryetarin e komunës dhe s’kanë dashur të japin prononcim për medie”.

Sipas Lushajt, është e papranueshme heshtja e KFOR-it dhe OSBE-së lidhur me anshmërinë e ‘Europa Nostras’, pasi siç tha ai, KFOR-i e ka përgjegjësinë e ruajtjes së manastirit të Deçanit.

“Është më e çuditshme dhe e papranueshme heshtja e institucioneve ndërkombëtare, e KFOR-it, pasi e ka përgjegjësinë e ruajtjes së atij monumenti kulturor, fetar e turistik prej vitit 1999 me hyrjen e tyre në Kosovë. Më çudit jashtëzakonisht shumë heshtja e KFOR-it dhe e OSBE-së. Edhe OSBE-ja është një organizatë e cila monitoron, e di shumë mirë se janë të pavërteta, propaganda, mirëpo këtu është kah zhvillohet një politikë e ndyrë, një politikë dyfytyrëshe të themi, ndaj komunës së Deçanit, ndaj banorëve të kësaj komune”, ka thënë ai.

Lushaj tha se në qoftë se manastiri i Deçanit është i rrezikuar edhe pse mbrohet nga NATO-ja, atëherë, sipas tij, Kosova qenka në të njëjtën situatë.

“Nëse është manastiri i Deçanit i rrezikuar, ku përreth saj janë forca të shumta të NATO-s, atëherë Kosova nuk qenka fare e parrezikuar ose e pakërcënuar, kur po i bie se NATO-ja nuk është në gjendje ta ruajë manastirin e Deçanit prej vendasve, të cilët vazhdimisht e kanë ruajtur atë manastir”, ka thënë ai.

Ai madje tha se përfaqësuesi i kishës ortodokse serbe në Kosovë, igumeni Sava Janjiq, është njeri i shërbimeve serbo-ruse.

“Është duke u zhvilluar një fushatë e keqe. Sava Janjiqi për ne është një njeri i shërbimeve serbo-ruse. Ai s’ka të bëjë fare me shërbimin klerik”, ka shtuar ai.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco