Rasti “Ukë Rugova II”, dëshmitari: Për vizë i dhashë 3 mijë e 300 euro, e mora përmes fqinjit

Rasti “Ukë Rugova II”, dëshmitari: Për vizë i dhashë 3 mijë e 300 euro, e mora përmes fqinjit

16:58, 12/07/2022

Dëshmitari Leotrim Morina ka thënë se për të siguruar vizën italiane pasaportën ia kishte dhënë fqinjit të tij dhe të njëjtin e kishte paguar 3300 euro.

Këtë deklarim dëshmitarët e dha të martën në gjykimin ndaj 15 të akuzuarve për mashtrim me viza në rastin “Ukë Rugova II”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Të akuzuarit në këtë rast, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri, Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voça, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islam ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 6 prill 2022.

I pyetur nga prokurorja Florije Shamolli, se si e kishte marr vizën italiane shengen në vitin 2013, dëshmitari Morina tha se të njëjtën e ishte siguruar përmes një fqinjit të tij.

“Unë për me marr këtë vizë ja kom jep pasaportën dhe fotografitë një kojshis tim, Luard Hoxhaj, ai më ka thënë për vizë dhe unë kam pranu dhe ai ka ardh te shpija me i marr pasaportën dhe fotografitë, kur ma ka bo vizën i kam pagu 3300 euro të njëjtit person” , tha Morina.

Ai shtoi se për këtë vizë nuk kishte shkuar për të aplikuar në ambasadë dhe nuk ka plotësuar asnjë aplikacion, ndërkaq më pas nga aplikacioni kishte kuptuar se i ka shkruar se ka punuar si sigurim për familjen Rugova, për çka i njëjti tha se këtë punë nuk e kishte bërë asnjëherë.

Në fund, Morina tha se këtë vizë e kishte shfrytëzuar për të shkuar në Zvicër, ku ka qëndruar 11 muaj dhe nuk ka pasur asnjë pengesë ligjore.

Tutje, në seancën e sotme në cilësinë e dëshmitarit është dëgjuar edhe Enver Asllani, i cili ka deklaruar se për të siguruar vizën italiane kishte biseduar më një person të quajtur Afrim.

“Me Afrimin jam taku vetëm herën e parë, nuk me kujtohet nëse më ka thënë se kush e rregullon këtë vizë, dhe të njëjtin i kam besuar pasi që ka qenë shok i djalit të vëllaut tim”, tha Asllani.

Po ashtu, në cilësi të dëshmitarit u deklarua edhe Niman Blakaj, i cili tha se për të siguruar vizën italiane kishte biseduar me një kushëri të tij, i cili i ka dhënë një numër të telefonit dhe njëri nga fëmijët e tij kishte kontaktuar me atë person.

“Unë e di që pasoshi është shku dhe normal më ka ardh viza me pasosh, një kushëri i imi, Bashkim Blakaj, më ka dhënë numrin e telefonit me bisedu dhe nuk e di i kujt ka qenë ai numër, nuk më kujtohet kujt i kam thënë me vet, me siguri ndonjërit prej djemve të mi por nuk e di cilit”, tha Blakaj.

Ai ka shtuar se këtë vizë nuk e kishte shfrytëzuar asnjëherë, pasi që sipas tij, nuk kishte pasur nevojë, vetëm e ka marr sa për të provuar se çfarë është kjo vizë.

“Unë e morra veq sa me provu çka është kjo vizë, unë nuk e di kush e ka qu aplikacionin, nuk e di kush e ka plotësu, përsonalisht nuk i kam dërgu por i kam thënë ndonjërit prej fëmijëve”, tha ai.

Në fund, Blakaj tha se lidhur me këtë vizë personalisht nuk kishte paguar asgjë.

Pas kësaj, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Kujtim Krasniqi, pyeti palët në procedurë të deklarohen lidhur me dëshmitarët tjerë që janë ftuar dhe nuk kanë mundur të sigurohen, për çka prokurorja Shamolli propozoi që të lexohen dëshmitë e dëshmitarëve.

Ky propozim i prokurores u kundërshtua nga mbrojtësit e të akuzuarve, të cilët kërkuan që dëshmitarët te ftohen dhe të dëgjohen, e për këtë gjykatësi Krasniqi tha se për këtë propozim do të vendoset në seancën e radhës.

Pasi që nuk kishte kushte për vazhdimin e seancës, seanca e sotme u ndërpre dhe ato të radhës priten të mbahen më 21 dhe 22 shtator 2022.

Ndryshe, ky rast gjykohej nga misioni i EULEX-it, por pas përfundimit të mandatit, lënda ishte transferuar të vendorët.

Pasi që lënda ishte transferuar tek gjykatësit vendor, në janar të vitit 2018, përpjekja e parë për mbajtje të seancës ishte bërë pas një viti, përkatësisht në janar të vitit 2019, mirëpo kjo seancë kishte dështuar në mungesë të katër të akuzuarve.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e ngritur më 16 maj të vitit 2016, e ngarkon Ukë Rugovën se gjatë periudhës maj 2011 deri në shkurt 2014 ka menaxhuar një grupi kriminal duke furnizuar individë me viza shengen të BE-së, nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit.

Aktakuza që ishte përpiluar nga prokurori Allen Cansick, thekson se PSRK-ja ka pranuar nga Prokuroria Italiane në Romë një kopje të dosjes së tyre lidhur me vizat ku përfshihet edhe emri i ish–ambasadorit Italian në Kosovë, Michael Giffoni.

PSRK-ja po pretendon se 15 të akuzuarit Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri, Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami, kishin vepruar si grup kriminal bashkë me Ukë Rugovën dhe të tjerët, me qëllim sigurimin e përfitimit material në atë mënyrë që qytetarët të pajisen me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë.

Ky rast është ndarë në dy pjesë, pasi siç kishte thënë gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, një gjë e tillë është bërë në mënyrë që gjykim të jetë më efikas.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco