Iniciuesi i Trustit, Bekim Haxhiu tregon se çka do të ndodh nesër në Kuvend

Iniciuesi i Trustit, Bekim Haxhiu tregon se çka do të ndodh nesër në Kuvend

15:39, 21/06/2022

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Bekim Haxhiu ka kërkuar në emër të PDK-së, nga deputetët e të gjitha partive politike që nesër në seancën e Kuvendit të Kosovës të votojnë pro pikës për tërheqjen e mjeteve nga Trust-i.

Deputeti Haxhiu shprehet i bindur se nëse deputetët votojnë të lirë, kërkesa e qytetarëve për tërheqejne e Trustit do të kaloj.

“Projektligji nesër është në dorën e deputetëve, nëse deputetët votojnë të lirë pa presion, besoj se kërkesa e qytetarëve për tërheqjen e Trustit do të kaloj. Deputetët nuk duhet t’i nënshtrohen asnjë detyrimi, ata janë përfaqësues të qytetarëve dhe duhet të votojnë për kërkesat e qytetarëve të cilët janë për tërheqjen e deri 30% të Trustit dhe pastaj të punojmë bashkë për reformen pensionale. I bëjë thirrje deputetëve të votojnë pro tërheqejes së mjeteve nga Trusti”, deklaron ai

Në seancën e nesërme në rend dite do të jetë edhe shqyrtimi i Projektligjit për tërheqjen e 30% të kursimeve nga Trusti.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, dje pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka thënë se si grup parlamentar vazhdojnë të kenë qëndrimin e njëjtë sa i përket Trustit.

“Qëndrimi është njëjtë pasi qëndrimi është i bazuar në fakte dhe argumente”, tha ajo.

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës Abelard Tahiri një ditë para se të mbahet seanca ku do të shqyrtohet plotësim ndryshimi për trustin, ka bërë thirrje që deputetët ta votojnë atë.

“Në mungesë të alternativave nga qeveria dhe përballë gjendjes së renduar sociale, tërheqja e një pjese të parave të TRUSTIT është një masë e domosdoshme për të lehtësuar ballafaqimin e qytetarëve me këtë gjendje.Mundësia për të tërhequr një pjesë nga paratë e kursyera në këto rrethana, ka qenë kërkesë e drejtpërdrejtë e qytetarëve, prandaj i ftoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe veçmas ata të mazhorancës, që nesër ta votojnë projektligjin që mundëson një gjë të tillë. Kjo nuk është betejë politike por domosdoshmëri konkrete dhe kërkesë e të gjithë qytetarëve pa dallim”,ka thënë ai.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, përmes një shkrimi në “Facebook”, i bën thirrje mazhorancës të votojë Trustin.

“Situata në Kosovë, në aspektin social, kurrë nuk ka qenë më e vështirë! Çmimet janë ngritur shumë, pagat kanë mbetur të njëjta, përderisa ndihma e shtetit është më se minimale.Kuvendi i Kosovës, në veçanti shumica parlamentare, e ka në dorë që nesër ta miratojë në lexim të parë Ligjin për Trustin, ligj ky i cili, sado pak do të zbuste vështirësitë për njerëzit në nevojë, kontributdhënësit në një situatë krize.Mos të filozofojmë shumë, por të veprohet me votën pro. Shpresoj që vota e mazhorancës, do të jetë pro këtij ligji”, deklaron ai.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco