Çmimet e qirave dhe banesave hyjnë në valle me ato të ushqimeve e perimeve

Çmimet e qirave dhe banesave hyjnë në valle me ato të ushqimeve e perimeve

17:00, 21/06/2022

Sigurimi i një objekti banues është sfidë në vete, këtë gjë më së miri e dinë ata që banojnë me qira, e që e ndryshojnë shpesh shtëpinë apo banesën. Kjo është bërë edhe më zorshme tash, kur çdo gjë është rritur në çmim. Shtrenjtim tepër të madh, kanë pësuar edhe qiratë e blerja e një banese.

Erdonit HOXHA

Të jetosh me qira, ose të vendosësh për blerjen e një banese nuk është më e lehtë. Çdo gjë ka ndryshuar nga viti që lamë pas. Nëse vitin e kaluar ke gjetur një banesë me 400 euro për metër katror, sot as mos ia mësyjë. E njëjta ka shkuar deri në 600 euro.

Përpos pjesës së shpërnguljes së gjësendeve e rrobave, sigurimi i një vendi ku do jetosh është një stres, pasi duhet dhënë para edhe për qira edhe për depozitë, që nënkuptohet si pagesë garantuese në rast të dëmtimit të vendit ku jeton.

Nga ana tjetër, për dikë që punon i vetëm, apo, që është student, çmimi i përafërt 200-300 euro për një muaj vetëm qira, pa shpenzime shtesë, ujë mbeturina e drita, është i papërballushëm.

Mirëpo, këtë vit a ka rritje të çmimeve të qirave?

Kësaj pyetje i është përgjigjur Shkëlqim Haziri, nga agjenisioni i patundshmerisë, ‘Monopol’.

Në një prononcim për Syri.net Kosova, Haziri tha se duke qenë se çmimet janë ngritur, pronarët e banesave dhe shtëpive me qira, po pretendojnë t’i rrisin çmimet e pronave që lëshojnë me qira.

“Çmimet e qirave janë duke pasur tendencë të rriten nga ana e pronarëve, mirëpo, ne agjensionet jemi duke provuar dhe duke bërë të pamundurën që këto çmime mos të rriten, por, të mbesin siç kanë qenë. Një nga argumentet të cilën po e përdorim për këtë gjë është fakti se nëse një familje përballet me rritje të çmimeve tjera, siç janë produktet ushqimore, pastaj, energjia elektrike e derivatet, mos t’u bëhet barrë edhe qiraja. Pra, deri me tani nuk është ngritur çmimi i qirasë” ka thënë Haziri.

Ndonëse jo qiratë, ka një lëvizje në rritjen e çmimit, sa i përket pjesës së shitjeve të banesave.

Përfaqësuesi i agjensionit të patundshmërisë, Haziri, tha se po vërehet që është rritur çmimi i metrit katror, pas rritjes së çmimeve të materialit ndërtimor.

“Po, sa i përket çmimit të metrit katror për banesat që janë në shitje, ky çmim është rritur. Për shembull, nëse në Fushë Kosovë metri katror ka kushtuar 500 euro vitin e kaluar, tash kushton 650 euro, kurse, në kryeqytet nëse një metër katror i një banese ka qenë 800 euro, tashmë është bërë 1000 euro. Kjo rritje ka ardhur si pasojë e shtrenjtimit të materialit ndërtimor”, theksoi ai.

I pyetur se a ka rënë fuqia blerëse e banesave pasi u rrit çmimi i metrit kator, Haziri theksoi se kjo fuqi ka rënë rreth 50%.

Ai tha ndër tjera se kjo rritje është dashur të bëhet vetëm për objektet që janë tashmë në ndërtim, pasi, po investohet me çmime të ngritura, siç është nafta në makineritë ndërtuese.

Sido që të jetë, sa i përket qirasë së banesave, në shpalljet në internet, të pronarëve të tyre që nuk bashkëpunojnë me agjensi patundshmërie,  çmimet individuale pësojnë rritje, në bazë të qiradhënësit.

Nëse një qiradhënës jeton jashtë Kosovës e i duhet një banesë për një apo dy muaj, vetëm fakti që jeton në mërgim, bëhet shkaktar që pronarët individual, ta lënë çmimin e qirasë më të lartë.

Kështu të paktën ka deklaruar për Syri.net Kosova një qytetare E.T, e cila tha se kur një familjar i saj deshi të marrë një banesë me qira në Lipjan, çmimi i qirasë nga qiramarrësi u rrit, për shkak se e kuptoi që familja vjen nga Diaspora.

“Kur e thirra një numër që e pash në Internet, e pieta sa është qiraja, pyetja e parë që ma bëri, ishte se nga ku vjen familja. Kur i tregova se vjen nga jashtë, e bëri qiranë 500 euro për një muaj. Pra, në Lipjan, një banesë mu pagu 500 euro për një muaj, kjo s’është normale” tha ajo.

Nga ana tjetër, kujtojmë që qiraja në kryeqytet varion varësisht lagjes ku qiradhënësi vendoset, por që çmimet janë nga 150 euro për gasonierkë, ndërsa, për shtëpi e banesa nga 200 euro e tutje, pra, çmimi bazohet edhe në orenditë që janë brenda objektit banues.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco