Cili do të jetë fati i aplikimit të Kosovës në Këshill të Evropës?

Cili do të jetë fati i aplikimit të Kosovës në Këshill të Evropës?

07:56, 13/05/2022

Kosova, përmes ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, zyrtarisht ka aplikuar sot për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Ajo ka dorëzuar aplikacionin në selinë e Këshillit të Evropës, e cila është prej organizatave ndërqeveritare më të vjetra politike në Evropë.

Pranimi në këtë organizatë do t’i sillte Kosovës dhe qytetarëve të saj përfitime në disa fusha, por do të forconte gjithashtu subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.

Përjashtimi i Rusisë nga kjo organizatë për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundim e ligjit në Evropë, po shihet si gjasë e mirë për anëtarësimin e Kosovës në këtë Këshill.

Megjithatë, Kosova ka disa histori jo të mira rreth tentativave për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare.

Dështimi për anëtarësim në INTERPOL

Ndër synimet më të mëdha të Kosovës ishte ai i anëtarësimit në organizatën me të madhe të policisë globale INTERPOL, e cila përbëhet nga 194 vende anëtare.

Mirëpo pavarësisht aplikimit të vazhdueshëm, Kosova ka dështuar vazhdimisht të bëhet pjesë e kësaj organizate. I fundit dështim ishte ai i nëntorit të vitit 2018, shkak i një lobimi të Serbisë kundër pranimit të Kosovës në këtë organizatë.

Kosova nuk kishte arritur të bëhet vend anëtar i INTERPOL-it, pasi që nuk mori shumicën e nevojshme, prej dy të tretave të votave të vendeve pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, që u organizua në Dubai.

Në rrethin e parë të votimit, anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL e kishin mbështetur 76 shtete, kundër saj ishin 56 shtete, kurse 22 vende kishin abstenuar. Ndërkaq, në rrethin e dytë të votimit, Kosova mori 68 vota për, 51 kundër dhe 16 abstenime.

Qeveria e Republikës së Kosovës, që atëbotë qeverisej nga koalicioni PDK-AAK dhe Nisma, kishte shprehur zhgënjimin e saj të thellë që Kosovës iu pamundësua të jetë pjesë e familjes botërore të policisë, që lufton krimin transnacional.

“Fushata e egër e Republikës së Serbisë dëshmoi edhe njëherë karakterin e saj kundër Kosovës dhe kundër idesë për normalizim të raporteve me Republikën e Kosovës, aq më parë, kur ky anëtarësim ishte teknik dhe jo politik”, thuhej në reagimin e Qeverisë katër vite më parë.

Si kundërpërgjigje për lobimin serb që e pengoi anëtarësimin në këtë organizatë, Qeveria e Kosovës, me kryeministër Ramush Haradinaj në atëkohë, kishte vendosur taksë doganore 100% ndaj të gjitha produkteve nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina.

Zyrtarët në Prishtinë kishin deklaruan se taksa vjen si kundërpërgjigje ndaj fushatës agresive të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL.

Pas këtij dështimi Kosova kishte aplikuar përsëri në vitin 2019 që të bëhej pjesë e kësaj organizate, mirëpo Kryeministri Haradinaj, në atëkohë si kryeministër ne detyrë, kishte vendosur tërheqjen e kërkesës për anëtarësim.

Ndërkohë qeveria pasuese Kurti 1 dha tashmë Kurti 2 nuk kanë aplikuar që të jenë pjesë e kësaj organizate.

Dështimi në UNESCO

Tri vite para dështimin ne INTERPOL, Kosova, atëbotë e qeverisur nga kryeministri Isa Mustafa ishte përballur edhe me një dështim tjetër në diplomacinë e anëtarësimeve.

Konferenca e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, që gjerësisht njihet me akronimet “UNESCO”, nuk kishte votuar në favor të pranimit të Kosovës në këtë organizatë.

Në votimin, që ishte zhvilluar në Paris kishin marrë pjesë 142 shtete, 92 votuan pro, 59 kundër, ndërsa 29 kishin abstenuar.

Për këtë antarësim Kosovës i nevojiteshin 95 vota për të siguruar shumicën e dy të tretave të pjesmarrësve në votim. Pra, Kosovës i munguan vetëm tri vota për t'u pranuar si anëtare me të drejta të plota në UNESCO.

Kërkesa e Kosovës për anëtarësim në UNESCO ishte është paraqitur zyrtarisht nga Shqipëria. Votimit i parapriu një kërkesë e delegacionit të Serbisë, për ta shtyrë votimin edhe për dy vite, por kjo kërkesë nuk kishte arritur të marrë vota të mjaftueshme.

Autoritetet e Kosovës, të kryesuara nga diplomacia kosovare për disa muaj kishin lobuar tek vendet e ndryshme të botës për të përfituar mbështetjen e tyre për pranimin e Kosovës në UNESCO.

Ndërkohë autoritetet e Serbisë dhe Kisha Ortodokse Serbe, sikurse për INTERPOL kishin zhvilluar një fushatë të intensifikuar duke kundërshtuar pranimin e Kosovës në këtë organizatë të OKB-së.

Presidenti i Serbisë atëherë ishte Tomisllav Nikoliq, i cili kishte uruar serbët pas dështimit që Kosova të anëtarësohet në UNESCO.

Beogradi vazhdon ta kundërshtojë ashpër anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, duke ngulur këmbë, - siç thuhet - se kishat dhe manastiret ortodokse në Kosovë i takojnë trashëgimisë dhe pronës së Kishës Ortodokse serbe.

Ndërkaq, autoritetet në Kosovë thonë se me anëtarësimin në UNESCO, Kosova do t'i rrisë standardet e ruajtjes dhe të garantimit të trashëgimisë kulturore, përfshi edhe respektimin e statusit të trashëgimisë dhe të pronës së Kishës Ortodokse Serbe.

Ndërkaq, në shtator të vitit 2020, ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishin nënshkruar një marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë, në prani të ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Në këtë marrëveshje parashihet edhe që Kosova do të pajtohet që ta zbatojë një moratorium njëvjeçar, për të mos kërkuar anëtarësim të ri në organizata ndërkombëtare.

Ky moratorium ka muaj që ka skaduar, megjithatë qeveria aktuale e Kosovës ende nuk është qartësuar nëse do të aplikojë për të qenë pjesë UNESCO-s. .

(Mos)anëtarësimi në organizata arsimore

Sistemi arsimor në Kosovë zbatohet në bazë të Procesit të Bolonjës, mirëpo nga viti 2001 Kosova ka arritur të bëhet anëtare vëzhguese në hapësirën e përbashkët arsimore të Evropës, por jo anëtare me të drejta të plota.

Deklarata e Bolonjës ishte nënshkruar nga 29 vende në vitin 1999, me qëllimin krijimin e një zone të përbashkët evropiane të arsimit të lartë (EHEA) deri në vitin 2010.

Kosova ka aplikuar tri herë që të jetë anëtare me të drejta të plota në këtë proces, në vitet 2005, 2007 dhe 2014, por ka arritur të jetë vetëm si anëtare vëzhguese.

Kosovës iu mohua anëtarësimi në Procesin e Bolonjës për shkak të arsyes politike, sepse nuk është palë e Konventës Kulturore Evropiane. Kujtojmë që një nga arsyet pse Kosova nuk ka mundur të jetë pjesë e hapësirës evropiane të arsimit, ka qenë vetoja e Rusisë. Por, me përjashtimin e kësaj të fundit nga Këshilli i Evropës, Kosovës i është hapur një mundësi në horizont për anëtarësim në këtë mekanizëm të rëndësishëm ndërkombëtar.

Ministrja e jashtme, Donika Gërvalla në një prononcim për RTK ka thënë se nuk mund ta di kohën kur do të votohet për anëtarësim të Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës

“Tani datën nuk mund të ua thotë askush sot, për shkak se ky është një proces i gjatë i cili ka filluar sot. Është një proces në të cilin Kosova mendojmë se është mjaft e përgatitur për ta kaluar sa më shpejt, por ne nuk duhet të harrojmë se Këshilli i Europës ashtu edhe si BE’ja dhe Europa në përgjithësi ndodhet në faza të një sfide të jashtëzakonshme për shkak të luftës që Rusia ka filluar ndaj Ukrainës, prandaj unë nuk mund të ua them çfarëdolloj shifre”, tha Gërvalla.

Megjithatë, kryediplomatja është shfaqur optimiste pasi dorëzimit të kërkesës për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Evropës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco