Gjuha në reagimet e Ministrisë së Drejtësisë që i ngjan asaj të partive politike

Gjuha në reagimet e Ministrisë së Drejtësisë që i ngjan asaj të partive politike

22:42, 14/04/2022

Ministria e Drejtësisë, ka përdorur gjuhë jo institucionale, që më shumë i ngjan reagimeve të subjekteve politike sesa një institucioni në reagimet e saja në 'Facebook'.

Së pari një reagim i tillë nga MD-ja kishte ardhur në lidhje me Inspektimin e Punës në Shërbimin Korrektues të Kosovës, reagim të cilin MD-ja e kishte filluar me fjalë si: “Trillime, Lajme të rreme dhe Tendencioze”

Brenda këtij reagimi MD-ja, ka treguar se ajo ka kërkuar inspektimin e procedurave ligjore të SHKK-së, gjë për të cilën kanë thënë se është brenda mandatit të tyre.

MD-ja vazhdon përdorimin e gjuhës jo institucionale edhe me tej në reagim, duke iu drejtuar raportimeve të medies së shkruar online “Paparaci” si shpifje.

Në reagimin e kësaj ministrie thuhej se raportime e tilla si të mediumit në fjalë, denigrojnë punën e kësaj ministrie, e pengojnë edhe realizimin e programit të qeverisë.

“Është hera e dytë që Ministria e Drejtësisë, sulmohet nga portali “Paparaci”. Shpifjet e tilla kanë për qëllim të denigrojnë punën e Ministrisë së Drejtësisë në luftimin e krimit dhe korrupsionit në njërën anë dhe realizimin e programit qeverisës në anën tjetër”, thuhet në këtë reagim

Megjithatë, kjo ministri ka shkuar edhe më tej, duke paralajmëruar edhe ushtrimin e padisë civile kundër këtij mediumi , për shkak të raportimeve të tij.

“Duke qenë që është hera e dytë që Ministria e Drejtësisë po sulmohet për qëllime të ulëta nga i njëjti portal, do të ushtrojmë padi civile kundër këtij portali e po ashtu deri sa kjo çështje të zgjidhet nga institucionet e drejtësisë ne nuk do të bashkëpunojmë me të”, shtohet në reagim.

Një tjetër reagim i saj, ku po ashtu përdoret një gjuhë jo zyrtare, është reagimi i sotëm në lidhje me rastin e Astrit Deharit.

Në këtë shkrim nga ana e ministrisë së udhëhequr nga Albulena Haxhiu, gjuha që përdoret nga ministria, duket më shumë si gjuhë që përdoret nga subjektet politike, ose nga ndonjë organizatë jo qeveritare për të drejtat e njeriut.

“Drejtësia për Astrit Deharin, është sprova ku sfidohet sistemi i drejtësisë. Thirrjet qytetare “Drejtësi për Astritin”!, janë thirrje për triumf të drejtësisë. Drejtësia duhet të jetë e plotë, assesi e mangët. E qartë, assesi konfuze. E saktë, në hetimet e plota që duhet të kryhen dhe me ekspertizë shkencore”, thuhet në reagim.

Në të njëjtin reagim të ministrisë, Prokuroria Speciale e Kosovës sulmohet nga ministria, e cila i çuan veprimet e Prokurorisë si veprime propaganduese të njëanshme.

“Pas më shumë se 5 vitesh, kur ky rast po vazhdon të hetohet, veçmas pas ekspertizës plotësuese të Institutit zviceran, Prokuroria Speciale e Kosovës, sërish me vrap del për të propaganduar njëanshëm rezultatin e këtij raporti, përmes një komunikate, që dëshmon për mangësi të theksuar intelektuale, mungesë totale të njohurive shkencore, gjuhë krejtësisht jo profesionale edhe qëllim dashakeq”, shtohet në reagimin e Ministrisë.

Sa i përket këtyre kritikave që MD-ja i ka bërë në drejtim të Prokurorisë Speciale të Kosovës, gjatë ditë së sotme, kanë reaguar ashpër pikërisht këta të fundit.

Në reagimin e tyre, Prokuroria Speciale, thotë se ata nuk kanë komentuar raportin rreth rastit të Deharit, po vetëm se e kanë publikuar atë, dhe se pretendimet e Ministrisë së Drejtisisë i quajnë si “dashakeqe”, duke shtuar se reagime të tilla si të MD-së, kanë për qëllim dezinformimin e opinionit publik.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ia bënë të qartë Ministrisë së Drejtësisë, por edhe opinionit të gjerë, se ne nuk e kemi komentuar raportin por vetëm se kemi publikuar konkluzionet e raportit të ekspertizës të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, lidhur me rastin e Astrit Deharit. Andaj, pretendimet tendencioze dhe dashakeqe të Ministres së Drejtësisë, karshi Prokurorisë Speciale janë të paqëndrueshme si dhe kanë për qëllim dezinformimin dhe manipulimin e opinionit publik”, thuhet pos tjerash në komunikatën e Prokurorisë.

Përveç Ministrisë së Drejtësisë, ndaj Prokurorisë Speciale, ka reaguar edhe Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla.

Edhe ky, si MD-ja, i ka parë veprimet e PS-së si veprime të nxituara, duke shtuar se rasti i Deharit duhet të hetohet me profesionalizëm. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco