Ylfete Humolli, 16-vjeçarja që nuk e gëzoi kurrë rininë

Ylfete Humolli, 16-vjeçarja që nuk e gëzoi kurrë rininë

09:59, 01/02/2022

Më 1 shkurt 1990, fiks para 32 vjetësh kur ishte 16-vjeçare, Ylfete Humolli u vra nga forcat serbe gjatë një proteste kundër regjimit të Serbisë në Kosovë. Bashkë me të ishte dhe vëllai i saj Mentori (13 vjeç), i cili më pas më 21 mars 1999 ra heroikisht duke luftuar të njëjtin agresor në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Ylfete Humolli u lind më 15 shkurt 1973, në Lupç të Poshtëm të Podujevës, në një familje atdhetare. Ajo  ishte e bija e Isës dhe Sevdijes, të cilët kishin edhe tetë fëmijët të tjerë, Mentorin (dëshmor), Sahdeten (kishte vdekur nga leukemia në vitin 1993), Lulen, Serbezen, Vlorën, Muhametin, Jetonin dhe Arianitin.

Ylfetja ishte në vitin e tretë të shkollës së mesme kur Kosovës iu mor autonomia më 1989-90 dhe ajo shumë mirë e kuptonte situatën e rëndë që mbretëronte në Kosovë, ku e gjithë Kosova tanimë ishte në këmbë.

Në Prishtinë ajo ishte prezente në këto protesta, të cilat vazhduan edhe nëpër fshatra, ku në fshatin Lupç të Poshtëm për tri ditë më radhë pati protesta. Kështu, më 1 shkurt 1990, ajo së bashku me shoqe dhe shokë kishin dalë buzë rrugës Podujevë- Prishtinë për të protestuar në mënyrë të qetë kundër kolonës së motorizuar e të armatosur deri në dhëmbë, e cila vinte nga Serbia në tokat tona. Për këtë, kolona ishte egërsuar dhe shtiu për disa minuta me armë automatike.

Ylfetja u vra duke kërkuar liri dhe barazi ende pa i mbushur 17 vjet jetë, më 1 shkurt 1990, shkruan AlbFem. Njerëzit që ishin afruar për t’i dhënë ndihmë tregonin se ajo kishte pyetur se a kishte shpëtuar Mentori, i cili mbahej si djalë i vetëm e që atë kohë ishte vetëm 14-vjeç. Por, rruga e lirisë ishte shumë e gjatë dhe Mentori e kishte vazhduar këtë rrugë duke rënë dëshmor 9 vite më vonë në Koshare me emblemën Ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Varrimi i Ylfetes ishte masovik dhe në të morën pjesë qindra mijëra shqiptarë, të cilët nderuan guximin, veprën dhe atdhedashurinë e saj, ku varrimi i saj edhe u bë një formë demonstrate tjetër, pasi njerëzit duke ngritur dy gishtërinj përcillnin amanetin e Ylfetes, për të kërkuar liri e barazi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco