Murati ndaj LDK-së: Hera e parë që në Kuvend një parti voton kundër një marrëveshje ndërkombëtare

Murati ndaj LDK-së: Hera e parë që në Kuvend një parti voton kundër një marrëveshje ndërkombëtare

13:49, 21/01/2022

Ministri i Financave, Hekuran Murati përmes një konference për media ka folur lidhur me dështimin e miratimit të marrëveshjes ndërkombëtare për skemat sociale.

Ai tha se është hera e parë ku një parti politike voton kundër një marrëveshje ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës.

“Kjo marrëveshje u rrëzua për shkak se një grup parlamentar, më saktësisht LDK-ja votoi kundër. Në të kaluarën ka pasur shumë raste kur marrëveshjet ndërkombëtare, grupet parlamentare s’kanë marrë pjesë fare në votim, për të mos e mundësuar formimin e kuorumit, dhe që marrëveshja është shty për seancën e radhës. Nuk ka ndodhur asnjëherë që me vota kundër një marrëveshje ndërkombëtare të rrëzohet sikurse sot”, ka  thënë ai.

Lidhur me mosarsyet e votimit të kësaj marrëveshje, Murati tha se nuk qëndron tek mungesa e informacionit

“Nuk mendoj që problemi qëndron tek ajo se s’ishte informacione apo sqarime të mjaftueshme. Thanë madje se është hera e parë që po merret kredi për të financuar programe të tilla. Tregova kur edhe më parë janë marrë projekte të tilla. U tha që ne gjoja i paskemi kundërshtuar marrëveshjet e tilla dhe se kemi vepruar ngjashëm. U tha se nuk ka ndodhur asnjëherë që të hyhet në marrëveshje të tilla për të financuar skemat sociale. Që të dyja janë të pavërteta”, tha ai.

Më tutje Murati tha se arsyetimi i LDK-së për të mos e votuar këtë marrëveshje ishte se ata nuk e panë të nevojshme mbështetjen e marrëveshjes për të financuar reformën e skemës së asistencës sociale.

“Arsyetimi i tyre ishte që sipas vlerësimit të tyre nuk ja vlen të mbështet një marrëveshje e tillë, për shkak se po hyhet në kredi për të financuar reformën e skemës së asistencës sociale. Kjo besoj duhet t’u lihet edhe qytetarëve që të vlerësohet”, tha ai.

Murati ka konfirmuar se ka caktuar një takim virtual me zyrtarët e Bankës Botërore pasi kjo marrëveshje dështoi që të miratohet në Kuvend.

“Ky nuk është sinjal i mirë në raport me bashkëpunëtorët tanë ndërkombëtare e veçanërisht me Bankën Botërore. Unë kam caktuar sot një takim virtual në orën 16:00, me drejtorin e zyrës së Bankës Botërore për rajonin për të parë nëse mundemi që ta ripërsërisim apo si mund të vazhdojmë tutje për shkak se bëhet fjalë edhe për afate kohore që duhet t’i respektojmë”, tha ai. 

Kujtojmë se diskutime të ashpra janë zhvilluar në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës. Dështimi i miratimit të marrëveshjes ndërkombëtare për skemat sociale ka nxitur përplasje ndërmjet deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha dhe shefit të grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

 

Ky i fundit duke arsyetuar kundërshtimin e mëhershëm, tha se për shkak të reagimit të ministrit të Financave, Hekuran Murati, nuk do të marrin pjesë në votim të marrëveshjes tjetër ndërkombëtare për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e BE-së “Evropa kreative 2021-2027”.

“Deri tani ne si Grup Parlamentar gjitha marrëveshjet ndërkombëtare i votuam, njëra që menduam se është e papranueshme votuam kundër. Në këtë marrëveshjen e fundit nuk do të marrim pjesë në votim, për shkak të sjelljes së ministrit Murati, këqyrja statusin e fundit që e ka shkruar në ‘Facebook’. Kjo është e papranueshme”, tha ai.

Atij i reagoi deputeti i LVV-së, Dimal Basha, i cili tha se votimi i LDK-së kundër marrëveshjes ndërkombëtare për skemat pensionale është i turpshëm.

“Ka rëndësi që marrëveshjen e votuan kundër. Është hera e parë në histori të këtij Kuvendi që një grup parlamentar voton kundër që është për shtresën më të varfër të këtij vendi. Tash janë marrëveshjen me ShBA-në e ki mundësinë, voto kundër. S’mundeni ju me votu kundër disa marrëveshjeve. Keni qëndrime që janë turp dhe dilni tash bëni filma”, tha ai.

Pasi përfundoi fjalimin e tij në foltoren Kuvendit, deputeti Basha u afrua tek vendi shefit të grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi për t’ia pamundësuar replikën.

Por Gashi reagoi duke i thënë “largohu baju prej këtu”.

“S’ki nevojë me fol t’i këtu, baju prej këtu. Baju, largomu prej këtu”, deklaroi ai.

Në këtë debat u përfshi edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili kërkoi që relacionet ndërmjet pushtetit dhe opozitës të jenë të shëndosha dhe mira.

“Pa një bashkëpunim të ngushtë mes mazhorancës dhe opozitës nuk mundesh me shty përpara gjithçka dhe ato që janë vitale dhe shumë të rëndësishme për vendin tonë, e që janë marrëveshjet ndërkombëtare. Gjitha relacionet që i keni me njëri tjetrin duhet t’i mbani të shëndosha dhe të mira”, deklaroi ai.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco