Osmani: Do ta mbajmë shtetin me miq, siç këshillonte Rugova

Osmani: Do ta mbajmë shtetin me miq, siç këshillonte Rugova

09:09, 21/01/2022

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar ish-presidentin Rugova sot në 16 vjetorin e vdekjes së tij.

 

Osmani me anë të një postimi në Facebook ka thënë se Rugova ishte personi që trasoi hapat e bërjes së shtetit.

Ajo e ka quajtur Rugovën  “ati themeltar i shtetit të Kosovës”.

“Rugova kishte vizion për Kosovën atëherë, por edhe për Kosovën tash”, ka shkruar ajo.

Postimi i plotë i Osmanit:

Kur ai foli për shtetin e pavarur të Kosovës, realizimi i idesë dukej jo vetëm i vështirë, por edhe i largët. Ai ishte njeriu që trasoi hapat e bërjes së shtetit, duke shndërruar trinomin: liri, pavarësi dhe demokraci në boshtin e aktivitetit për Kosovën shtet.

Që të trija u bënë realitet bashkërisht me shtetin e Kosovës.

Sot, në 16-vjetorin e ikjes në amshim, e kujtojmë me respekt dhe përulësi atin themeltar të shtetit të Kosovës, presidentin historik, dr.Ibahim Rugova.

Ai jo vetëm që punoi për shtetin e Kosovës, por jetoi me këtë ide.

Rugova kishte vizion për Kosovën atëherë, por edhe për Kosovën tash.

“Vizioni im është të kemi një Kosovë të pavarur, demokratike, me një shoqëri politikisht tolerante dhe me një ekonomi solide, të integruar në Bashkimin Evropian, NATO dhe t’i vazhdojmë marrëdhëniet tona të mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, kishte thënë në një nga deklarimet e tij me bindjen e plotë se “pavarësia e Kosovës duhet dhe do të njihet plotësisht”.

Emri i presidentit Rugova është përbrendësuar në secilin damar të shtetit. Fytyra e shtetit është ai. Shtetin do të vazhdojmë ta mbajmë me miq, siç këshillonte ai, e Rugovën do ta mbajmë si udhërrëfyes se si punohet për shtet.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco