Shkarkimi i drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, Bordi publikon vendimin me 10 faqe arsyetim

Shkarkimi i drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, Bordi publikon vendimin me 10 faqe arsyetim

22:39, 19/01/2022

Bordi i Radio Televizionit të Kosovës (RTK) ka shkarkuar sot nga detyra drejtorin e Përgjithshëm të RTK-së, Ngadhnjim Kastratin.

Ky Bord ka publikuar edhe vendimin 10 faqësh duke dhënë arsye rreth këtij shkarkimi, shkruan Syri.net Kosova.

Sipas vendimit, Kastrati është shkarkuar për shkak të shkeljeve të shumta të Ligjit për RTK-në dhe akteve të tjera nënligjore të bëra gjatë mandatit të tij.

“Bordi i RTK-së konstatoi një neglizhencë të Drejtorit të Përgjithshëm ndaj parregullsive, keqpërdorimeve, mospunës, nepotizmit, degradimit, raportimit të vazhdueshëm të anshëm e jo objektiv të transmetuesit publik të Kosovës. Bazuar në të gjitha këto shkelje, për Bordin e RTK-së ka qenë e pamundur vazhdimi i konsolidimit të reputacionit të RTK-së dhe funksionimit të tij me z.Kastrati si Drejtor i Përgjithshëm”, thuhet ndër të tjerash në komunikatën e dërguar për media nga Bordi i RTK-së.

Në komunikatën poashtu theksohet se Kastrati ka dështuar të sigurojë respektimin Ligjit për RTK-në dhe Rregulloreve të brendshme të RTK-së, ku siç theksohet ka ende punëtorë që kanë kontrata të rregullta dhe paguhen rregullisht, ndonëse nuk paraqiten fare në punë.

“Drejtori i Përgjithshëm, ka dështuar të sigurojë respektimin e Ligjit për RTK-në dhe Rregulloreve të brendshme të RTK-së. Si pasojë, ka punëtorë që kanë kontrata të rregullta dhe kompensohen rregullisht, ndonëse nuk paraqiten fare në punë. Disa prej tyre këtë e kanë konfirmuar përmes komunikimeve të brendshme, por edhe përmes deklaratave publike.

Për më tepër, disa nga këta punëtorë, të cilët paguhen nga RTK, marrin pjesë në debate të ndryshme, kryesisht politike, në media të tjera vendore, gjë e cila po ashtu është e ndaluar me rregullore të brendshme të RTK-së, por të cilat nuk janë zbatuar. Pjesëmarrja e të punësuarve në aktivitete të tilla me karakter debatues politik, publikimi i deklaratave të njëanshme politike në rrjetet sociale si dhe shpërndarja e përmbajtjes së mediave konkurrente nga personat e punësuar në RTK, dëmtojnë imazhin dhe pavarësinë editoriale të transmetuesit publik, për çfarë Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së nuk ka marrë masat e duhura sipas rregullativës në fuqi”, thuhet ndër të tjerash në komunikatë.

Vendimin e plotë mund ta gjeni KËTU.

Për ketë ka shkruar edhe avokatja e gazetarëve Flutura Kusari.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco