Rastet e vrasjeve të grave nga burrat e tyre në Kosovë nuk janë të rralla, e shoqërohen me detaje rrëqethëse. Por, krahas kësaj pothuajse në shumicën prej tyre ka neglizhencë të policisë e prokurorisë, kurse reagimet që vijnë pas këtyre vrasjeve nuk kanë mjaftuar asnjëherë që të ulet numri i tyre, raporton syri.net Kosova.
Në javën e parë të Janarit të këtij viti Kosova u trondit nga një vrasje që ndodhi në Llaushë të Skenderajt të mërkurën e 5 janarit, ku 48-vjeçarja Lirie Qerimi u qëllua për vdekje nga bashkëshorti i saj 51-vjeçar Skender Qerimi.
Kjo është duke bërë bujë në media dhe siç duket ka shkuar në vesh të secilit qytetarë të Kosovës.
Jehona Lushaku-Sadriu, profesoreshë në departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, përmes një postimi në facebook ka reaguar duke thënë se gratë në Kosova vriten çdo ditë nga pak.
‘Gratë vrahen në Kosovë çdo ditë nga pak. Vrahen duke u diskriminuar në punë; duke u ngacmuar në rrugë; duke mos trashëguar pasuri nga prindërit po as nga burri e përfundimisht duke mos pas përkrahje e vizion nga shteti’, ka shkruar ajo.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar me një shkrim të gjatë në Facebook lidhur me vrasjen e gruas në Llaushë nga dora e burrit. Kusari-Lila theksoj se sistemi i drejtësisë po dështon të ofrojë siguri dhe mbrojtje për viktimat e dhunës në familje dhe të shqiptojë sanksionet e duhura për dhunuesit, raporton syri.net Kosova.
“Viti 2022 filloi me vrasjen e një gruaje, nëne, e cila iu kishte drejtuar sistemit për ndihmë, por ndihmë nuk kishte marrë. Ajo mori plumbat nga burri, ndërsa ne të tjerët mbetemi duke numëruar gabimet e sistemit”, tha ajo.
Deputetja Kusari Lila tha se nuk duhet bërë asnjë tolerim ndaj dhunuesve e as nda atyre që lejojnë dhunuesit të arrijnë tek akti i vrasjes.
Edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas vrasjes së gruas 48-vjeçare nga burri i saj në fshatin Llaushë të Skenderajt.
“Edhe sa gra duhet të vriten nga bashkëshortët, në mënyrë që të ketë veprime dhe reagime të menjëhershme në rastet e dhunës në familje?”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Për vrasjen e rëndë në Llaushë të Skenderajt, thotë Haxhiu, janë përgjegjës institucionet prandaj përveç dënimit maksimal për vrasësin, urgjentisht duhet të ndërmerren masa disiplinore e penale ndaj të gjithë atyre që nuk mbrojtën jetën e të ndjerës, raporton syri.net Kosova.
“Nuk kanë vend në institucione këta njerëz!”, theksoi ministrja e Drejtësisë.
Tutje, edhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra ka reaguar pasi një grua dyshohet se u vra sot nga bashkëshorti i saj në fshatin Llaushë të Skenderajt.
Përmes një postimi në “Facebook”, Deliu ka thënë se dhuna dhe vrasja nuk janë zgjidhje për problemet.
Më tutje ajo ka kërkuar nga institucionet e drejtësisë që të përgjigjen me shpejtësi lidhur me këtë rast.
“Një ngjarje jashtëzakonisht e rëndë për të gjithë, vrasja e një gruaje nga bashkëshorti i sajë në fshatin Llaushë të Skenderajt. Dhuna nuk ka qenë dhe nuk do të jetë asnjëherë mjet për zgjidhje të problemeve, e kurrsesi vrasja. Në këto momente të rënda, shpreh ngushëllimet më të thella për familjen e viktimës. Institucionet përkatëse të përgjigjen me shpejtësi dhe vendosmëri, për të vënë drejtësinë për këtë rast tragjik”, ka shkruar ajo.
E së fundmi për këtë reagoi edhe Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi i cili ka kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Ismet Ujkani, si autoritet kompetent, që të shqyrtojë të gjitha veprimet e prokurores lidhur me rastin e viktimës Lirije Qerimajt nga Llausha e Skenderajt.
Në njoftimin e bërë për media bëhet e ditur se Lumezi ka kërkuar nga Ujkani, që nga të gjeturat eventuale t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, transmeton Telegrafi.
“Po ashtu, Kryeprokurori Lumezi ka kërkuar nga Menaxheri i Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave që të shqyrtojë të gjitha veprimet e mbrojtësit të viktimave lidhur me këtë rast dhe nga të gjeturat eventuale të ndërmerren edhe veprimet e nevojshme”, thuhet në njoftim.
Lirije Qerimaj dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj para dy ditësh. Për vrasjen e saj ka pasur reagime të shumta, ndërkaq sot është duke u zhvilluar edhe një protestë në Skenderaj, kundër dhunës dhe vrasjes së grave.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit për të dyshuarin S.Q., i cili dyshohet se vrau gruan e tij 48-vjeçare.
Nga prokuroria, përmes një komunikate për medie kanë thënë se këtë masë po e kërkojnë për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë“ nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3 të KPRK, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Sipas kërkesës së prokurorisë të dorëzuar në gjykatë, ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari S.Q., me datë 05 janar 2022 në fshatin Llaushë të Skenderajt, me dashje ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij me iniciale L.Q., ashtu që pas një mosmarrëveshje të vazhdueshme me viktimën, ka nxjerrë armën nga xhepi i jakës dhe ka shtënë gjashtë herë në drejtim të viktimës, të cilën e ka goditur në trup dhe si pasojë e plagëve të marra viktima ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në Spitalin rajonal të Mitrovicës”, thuhet në komunikatë.
Rastet e vrasjeve të grave në Kosovë nuk janë të rralla.
Gjatë vitit 2021, ndodhën edhe dy të tjera të cilat bënë bujë të madhe në vend.
I tillë është ai i M.O., 18 vjeçares e cila fillimisht u keqtrajtua e pastaj u la të vdes të dielën e 22 gushtit në Ferizaj. Ajo u dërgua pa shenja jete nga në emergjencën e këtij qyteti nga dy të dyshuarit Dardan Krivaqa e Arbër Sejdiu.
M.O. dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj Dardan Krivaqa, pasi ky i fundit dyshonte se e ndjera e kishte tradhtuar me djalin e dajës së tij. Kësisoj Krivaqa dyshohet se kishe ushtruar dhunë psike dhe fizike ndaj M.O., deri në momentin kur ajo kishte humbur jetën.
Por, vrasja e M.O. nuk është ndër të vetmet që kanë tronditur së fundi shoqërinë kosovare.
Një rast pothuajse për motive të njëjta ishte edhe ai i 14 marsit 2021, ku një 40 vjeçare kishte mbetur e vrarë nga ish-bashkëshkorti i saj 45 vjeçar.
45 vjeçari dyshohej se kishte vrarë ish-gruan e tij për motive xhelozie, ku pasi kishte vrarë atë, e kishte ekzekutuar edhe veten.
Ky nuk ishte rasti i vetëm për dhunë në familje që ishte paraqitur në polici nga 40 vjeçarja. Ajo e kishte raportuar në polici ish-burrin e saj edhe dy herë të tjera, porse në asnjë rast nuk ka pasur vendim efektiv nga ana e prokurorisë.
2398 raste të dhunës në familje gjatë vitit 2021
Gjatë vitit 2021, në Kosovë, janë raportuar 2398 raste të dhunës në familje.
Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës duke theksuar se këto të dhëna janë sipas raporteve të deritanishme, pasi që ende nuk janë kompletuar të gjitha të dhënat që vijnë nga DRP.
PK-ja ka theksuar se nga këto raste të dhunës në familje, 6 prej tyre kanë përfunduar në vrasje. E dy prej tyre kanë qenë ndaj grave.
“1 rast burri ka vrarë gruan, 1 rast burri ka vrarë ish gruan, 1 rast nipi ka vrarë gjyshin, 1 rast baba ka vrarë djalin, 1 rast motra motrën, 1 rast vëllau ka vrarë vëllaun”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Pavarësisht neglizhencës së institucioneve ndaj dhunës së raportuar ndaj grave në Kosovë, opinioni publik nuk kanë qëndruar të heshtur, pasi kanë organizuar edhe protesta si shenjë revolte për trajtimet me të cilat janë ballafaquar këto gra.
© SYRI.net