Katër masa për t’i dhënë fund pritjeve torturuese në kolona

Katër masa për t’i dhënë fund pritjeve torturuese në kolona

08:01, 31/12/2021 Nga A.Z

Kosova është vendi ku vazhdimisht qytetarët problem kryesor kanë kolonat e shumta në disa pika kyçe. Më e prekura në këtë pikë është Prishtina. Vende-vende në mëngjes e mesditë kaosi më i madh përfshinë pjesën e hyrjes tek Veterniku, rrugën B, qendrën dhe Lagjen Dardania, shkruan syri.net Kosova.

Por, jo vetëm këto pjesë të kryeqytetit bllokohen me orë të tëra. Ka edhe lagje të tjera, u banorët mbesin gjatë në komunikacionin e mbingarkuar.

Tash e disa vite Prishtina ‘vajton’ për këtë problem, e në anën tjetër të gjithë ata që ishin në pushtet nuk bënë një zgjidhje për këtë.

Njohësi i fushës jep zgjidhje

Eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj në një përgjigje për Syri.net Kosova ka shprehur pakënaqësitë e tij në lidhje me rrjetin rrugor të Kosovës.

Në veçanti eksperti ka përmendur rrugën nacionale Ferizaj-Prishtinë në të cilën për 24 orë qarkullojnë mbi 34000 automjete.

“Rruga nacionale Ferizaj- Prishtinë është rruga më e ngarkuara në rrjetin rrugore të Kosovës. Për 24 orë qarkullojnë rreth 34000 automjete qe tregon se tërë ditën e gjatë kemi ore kulmore ose nivelin e shërbimit F që është shërbimi më i ultë”, u shpreh Dedaj.

Krahas kësaj, eksperti përmend edhe rrethrrotullimin në Lakrishtë, rrugë kjo të cilën e cilëson si nyja kryesor që pengon zhvillimin e qarkullimit.

“Mos të harrojmë se edhe rrethrrotullimi në Lakrishtë është njëra prej nyejve qe e zvogëlon nivelin e shërbimit të qarkullimit që në të ardhmen duhet të mendohet për një zgjidhje tjetër. Rruga B është më shumë një zgjidhje politike se sa zgjidhje teknike. Zgjidhja teknike është të ndërtohet rruga A dhe të lirohet shiriti i qarkullimit për mjete të transport duke ju bërë zgjidhje me kalim per automjete ka hapësirë që të rregullohet edhe mënyra e qarkullimit të automjeteve përmes metodave të sinjalizimit”, tha Nol Dedaj për syri.net Kosova.

Rruga A është premtuar shpesh dhe pritet që më në fund të nisë ndërtimi i saj, duke lidhur Lagjen Kalabria me Lagjen e Spitalit.

Dedaj thotë se niveli i shërbimit të qarkullimit të automjeteve përcakton edhe anën negative të qarkullimit.

“Elementi negativ është zgjatja e kohës së udhëtimit, rritja e numrit të aksidenteve me dëme materiale dhe paraqitja e elementeve shqetësuese tek faktori njeri”.

Për të zgjidhur këto probleme Dedaj parasheh katër pika kryesore që duhet rregulluar nga Komuna e Prishtinës.

“Komuna e Prishtinës duhet të rregulloj: Infrastrukturën e qarkullimit të automjeteve, transportin urban, parkingjet dhe nivelin e menaxhimit të komunikacionit”, u shpreh ai.

Tutje, Dedaj shton se nëse nuk rregullohen tri pikat e para, niveli i menaxhimit të komunikacionit do të jetë shumë i ulët.

Edhe sipas Ligjit për Transportin Rrugor, Komuna përcakton politikat e zhvillimit të shërbimeve të transportit rrugor të sigurta, efikase dhe ekonomike brenda kufijve administrativë të komunës.

Ankohen qytetarët

Komunikacioni i ngarkuar është shqetësim i madh edhe për qytetarët të cilët kanë për të bërë rrugë çdo ditë.

Qytetari nga Fushë Kosova i cili udhëton çdo mëngjes për në Prishtinë thotë se është shumë e mundimshme kalimi i rrugës në Lakrishtë dhe Dardani.

Ai thotë se duhet nisur nga shtëpia e tij 1 orë më herët për të mbërri me kohë në punë.

“Unë jetoj në Fushë Kosovë por punoj në Prishtinë. Është e tmerrshme kjo që çdo mëngjes duhet të pres në kolonë shumë kohë. Nëse unë nuk nisem në orën 7 nga shtëpia ime e kam të pamundshme të jem në orën 8 në punë. Ani pse puna ime është në Ulpianë dmth nuk jam diku në fund të qytetit, por kolona e tepërt po e bënë të veten. Nuk e di as çfarë të them që 5 vite që kam filluar këtë punë, kështu duhet nisur. Edhe kur te përfundoj punën në orën 16:00, deri në orën 17:00 ose edhe më shumë nuk mbërrij në shtëpi”, u shpreh D.H për Syri.net Kosova.

Përparimi për Urbanizmin, Infrastrukturën dhe Hapësirat publike

Kryetari i ri i Prishtinës, Përparim Rama në planin e tij për kryeqytetin ka premtuar zgjidhje urbanistike duke filluar nga krijimi i rrugëve të reja, krijimin e parkingjeve të shumta, rrjetin për çiklistë e shumë ide të tjera.

“Në çdo lagje që vizitoj, vazhdimisht dëgjoj ankesa për kaosin urbanistik që ka shëmtuar qytetin tonë. Dëgjoj gjithashtu për çrregullimin rrugor i cili ka ngufatur komunikacionin, për mungesën e parkingjeve, për lagje e fshatra që ju mungon infrastruktura elementare, dhe për hapësira publike që janë të bllokuara nga veturat. Si kryetar i Prishtinës, unë jo vetëm që do t’i jap zgjidhje kaosit urbanistik, por do ta bëj Prishtinën me karakter unik në botë; do të krijoj rrugë të reja të cilat e çlirojnë komunikacionin rrugor, do të investoj në çdo lagje e fshat, dhe do të krijoj parkingje e jap zgjidhje urbanistike për të pasur sa më pak vetura në lagje e ne qytet”, ka premtuar Rama.

Image

Image

 

(Dokument/ Plani)

Idetë e ‘dështuara’ të Shpend Ahmetit

Kujtojmë që ish kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti pati dhënë një ide ku sipas tij hyrja me pagesë në kryeqytet, do të eliminojë trafikun, pasi që siç thoshte ai zgjerimi i rrugëve nuk është zgjidhje.

Konkretisht ideja e Ahmetit ishte që në katër anët e kryeqytetit, të gjitha automjetet që vijnë nga vendet e tjera, do të duhet të paguajnë hyrjen.

“Diku në nëntor fillojmë tash një projekt të ri të cilin jemi para nënshkrimit, ku do të ketë dhe pagesa që besoj do mund ta implementojmë që nga viti tjetër, pagesa për hyrje në kryeqytet. E gjitha kjo me idenë që, po njerëzit kanë nevojë për kerre, por jo edhe bash sa i vozisim na. Prishtina është qytet i vogël, prej skajit në skaj për gjysmë ore mundesh në këmbë me ecë”

Kjo ide u kundërshtua nga shumë qytetarë e aktivistë dukë u cilësuar si e paligjshme.

Syri.net Kosova ka provuar të kontaktoj edhe me Komunën e Prishtinës dhe Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës por nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco