Veterani i UÇK-së, Ali Januzi ka një këshillë për deputetët e Kuvendit të Kosovës

Veterani i UÇK-së, Ali Januzi ka një këshillë për deputetët e Kuvendit të Kosovës

20:17, 30/12/2021

Sot në Kosovë shënohet Dita e Veteranit.

Me këtë rast, ish-pjesëtari i UÇK-së, Ali Januzi nga Vushtrria, deklaroi se kjo ditë duhet të përkujtohet dhe festohet nga i gjithë populli sepse me luftën e UÇK-së sot jemi të lirë.

Gjatë një interviste ai u shpreh se në mesin e luftëtarëve ka pasur shumë të rënë dhe është derdhur shumë gjak, dhe se ata janë heronj që duhet t’i çmojmë sepse janë bazamenti i lirisë.

Megjithatë, Januzi deklaroi se Kosova sot ka të arritura me të cilat duhet të gëzohemi, por që baza ekonomikë në të cilën ndodhemi është indikator që veteranët nuk janë të kënaqur me gjendjen e tyre sociale dhe ekonomike.

“Nuk është në nivelin që duhet të jetë. E dimë që nuk mund të krahasohemi për shembull me të ardhurat që i kanë veteranët në Kroaci, por baza ekonomike te në është shumë e dobët. Sapo të ritet baza ekonomike, edhe veteranët do të jenë të kënaqur me nivelin e pagave të tyre”.

Veterani Januzi foli edhe rreth Gjykatës Speciale, për të cilën tha se është krejtësisht e padrejtë dhe se e gjitha çka duhet bërë Kosova është ta gjykojë atë.

“UÇK ka bërë një luftë çlirimtare, populli ynë historikisht nuk ia ka rrezikuar lirinë askujt. Të gjitha luftërat që kanë ndodhur i ka bërë për çlirim dhe bashkim kombëtar, kur dihet se trojet shqiptare janë copëtuar në disa pjesë. Është teresisht e padrejtë kjo gjykatë, UÇK ka bërë luftë të drejtë dhe të pastër”.

Kritika pati për partitë politike në vend, të cilët i këshilloi që të jenë më unifikues dhe t’i largone inatet që i kanë mes vete.

“Duhet ta kemi një politikë që duhet të unifikohet në mes të Prishtinës, Tiranës, Shkupit, Ulqinit,  Preshevës e Bujanocit, por mjerisht sot për sot unë po e shoh edhe Kuvendin e Kosovës, pra që fare s’jemi të kënaqur me parlamentin. Pse gjithë ajo urrejtje në mes të partive, pse ajo xhelozi, atë xhelozi duhet zhdukur”.


Lidhur me këtë, Aliu e tregoi shembullin e tij në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë, duke thënë se çdoherë është munduar që aty të jetë element unifikues dhe se edhe pse është anëtar i Lëvizjes, i ka përkrahur idetë e mira të cilësdo parti.

“Unë e mbështes çdo ide që është pozitive për komunën, qoftë ajo e PDK-së, LDK-së apo AAK-së. Ato ide që janë pozitive unë i mbështes. Nuk jam aq militant, siç bëjnë në Kuvend ku vetëm pse s’është ide e partisë se tyre e refuzojnë dhe e dëmtojnë popullin”, përfundoi ai.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco