Numërimi i sukseseve “pajton” institucionet e drejtësisë

Numërimi i sukseseve “pajton” institucionet e drejtësisë

20:04, 30/12/2021

Sukseset që thonë se i kanë arritur gjatë këtij vitit, dy institucionet e drejtësisë i kanë përmbledhur në konferenca për media. Nga Ministria e Drejtësisë kanë thënë se janë përmbushur synimet e vendosura, derisa Këshilli Prokurorial është lavdëruar me numrin e zgjidhur të rasteve të korrupsionit
Në kohë të njëjtë, dy institucionet kryesore të drejtësisë në vend i renditën sukseset e tyre gjatë këtij viti.

Porse midis vete, Ministria e Drejtësisë e Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk është se i kanë pasur edhe aq të mira raportet, sidomos muajve të fundit.

Përplasjet në distancë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se nuk kanë qenë edhe aq të ashpra sa janë dukur. Sipas Haxhiut, mospajtimet me KPK-në, por edhe me Këshillin Gjyqësor, kanë ndodhur shkaku i reformave që janë duke u bërë.

“Besoj që këto reforma nuk do të duhej t’i pengonin sistemit të drejtësisë. Unë jam shumë e hapur që të kemi bashkëpunime me ta. Mirëpo, sidomos për çështjen e vetingut ata konsiderojnë se nuk duhet të këtë veting në Kosovë, mirëpo për këtë kanë vendosur qytetarët e Kosovës”, ka thënë Haxhiu.

Por ndryshe mendon kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Jetish Maloku. Në konferencën përmbyllëse ai ka përmendur edhe një arsye tjetër.

“Sa i përket fërkimeve që kem pas me Ministrinë e Drejtësisë, ne kemi menduar që ka qenë një deklaratë e papërgjegjshme e një zyrtari të Ministrisë së Drejtësisë dhe ka irrituar pak a shumë edhe komunitetin e prokurorëve dhe gjithë sistemin tonë prokurorial dhe kjo ka qenë një deklaratë goxha e rëndës për sistemin prokurorial”, është shprehur Maloku.

Megjithëkëtë, edhe ministrja e Drejtësisë e kryesuesi i KPK-së e kanë konsideruar të suksesshëm vitin 2021.

“Verifikimi i integritetit personal të subjekteve të vetingut, vlerësimit profesional dhe performancës, si dhe kontrollit të pasurisë së tyre janë shtyllat mbi të cilat do të zhvillohet vetingu me ç`rast vazhdojmë të punojmë me kujdesin më të madh që të garantohet një proces i drejt dhe profesional i pavarur por edhe efektiv”, ka thënë Haxhiu.

“Sistemi prokurorial ka arritur që gjatë periudhës këtij vitit, nga 372 raste të korrupsionit të pranuara ka zgjidhur 285 raste respektivisht ka zgjidhur 77 për qind të rasteve të pranuar”, ka thënë Maloku.

Dy institucionet e drejtësisë, KPK-ja dhe KGJK-ja, kanë kundërshtuar nismën e Qeverisë për procesin e vetingut, me justifikimin se kanë kapacitete përbrenda tyre për ta bërë një gjë të tillë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco