Albin Kurti 'bie në provimin' e krizës energjitike

Albin Kurti 'bie në provimin' e krizës energjitike

12:37, 24/12/2021

Analistët dhe ekspertët kosovarë kanë kritikuar vonesën e qeverisë në adresimin e krizës energjitike, që ishte paralajmëruar muaj më herët.

Ndërkohë, ata nuk e bëjnë përgjegjës pushtetin e Albin Kurtit për të kaluarën, në sektorin energjitik, shkruan syri.net Kosova.

Analisti Ilir Ibrahimi, thotë se kriza energjetike, ishte paralajmëruar para disa muajsh.

“Ajo që kërkonim, dhe që do të duhej bërë nga institucionet relevante të udhëhequr nga Qeveria, ishte që të merreshin masa që kjo krizë të tejkalohej më lehtë.

Nuk e kam asnjë dyshim që nëse këto thirrje do të merreshin seriozisht, dhe të fillohej të mendohej e planifikohej që atëherë, kjo krizë do të tejkalohej më lehtë. Por fatkeqsisht, jo që nuk u morrën seriozisht paralajmërimet, ato u injoruan dhe u përqeshën. E sot familjet kosovare duhet të ju shpjegojnë fëmijëve se qirinjtë nuk përdorën vetëm për torte të ditëlindjes.”, ka potencuar në një postim të tijin, Ibrahimi.  

Parashikime të zymta

Sipas analistit Ilir Ibrahimi tani është vetëm fillimi i kësaj krize. “Ajo do të thellohet e përkeqsohet edhe më tej. Pse? Sepse që 5 muaj nuk është bërë asgjë përkundër shumë thirrjeve e apeleve që të fillojmë të mendojmë e planifikojmë. Sot e tëra që mund të bëjmë, është të mbulohemi me qebe dhe të fajësojmë të kaluarën. Por vendit sot nuk i duhet një kryeministër që rri nën qebe por një kryeministër që merr përgjegjësi dhe udhëheq.”, vlerëson më tej Ibrahimi.

“Kriza energjetike është sfida e parë e madhe e kësaj qeverie dhe shpresoj që shumë shpejt do ta mësojë se qeverisja nuk është retorikë dhe fajësim i të tjerëve. Justifikime dhe arsyetime mund të gjinden pothuajse për çdo gjë e çdo kënd. Por ato mbeten vetëm fjalë në eter. Ato nuk sjellin as dritë e as ngrohje. Qeverisja kërkon vendimarrje, dhe ofrim të zgjiedhjeve.”, është shprehur analisti kosovar.

“Askush nuk po pret që për 9 muaj të zgjidhen ngecjet e 20 viteve sepse këtë nuk mund ta arrish as për 9 vjet, thjesht sepse nuk mund ta kthesh kohën prapa.

Ajo që po pritet që është që qeveria ti kryej ato punë që i ka në tavolinë sot.

Me shumë dëshirë do të kisha dhënë rekomandime se si të kalohet më lehtë kjo krizë, nëse dikush do të më kishte pyetur para 5 muajsh. Sot rekomandimin e vetëm mund ta japim vetëm për trashësinë dhe modelin e qebeve e për këtë nuk kam ndonjë ekspertizë”, ka ironizuar në fund Ilir Ibrahimi.

Kosova ka koka në këtë krizë, por ato nuk janë në qeveri

Ndërkohë eksperti Mark Culaj, drejtor ekzekutiv në KSEA Technology, ka kritikuar KEDS-in për reduktimet e ashpra.  “Reduktimi i furnizimit me energji elektrike është zgjidhja me diletante e mundshme. Kjo do te ketë pasoja te pariparueshme per ekonominë e brishte te Kosovës. Zgjidhje ka te shumta edhe ne ketë situatë”, ka shkruar ai.

“Beni çmimin progresiv ne baze te konsumit për konsum baze nuk ka rritje te çmimit, për çdo kW me shume çmim tjetër me i larte. Kjo do te vlente per konsumator privat.

Per ndërmarrje te lidhet nje aleance me qeveri për bashke-bartje te shpenzimeve shtese.”, është shprehur në një postim Mark Culaj.

Sipas tij bizneset nuk do te investonin kot ne gjenerator dhe karburante dhe qeveria do t'ua kthente me vone me lehtësime fiskale. “Kështu do te zgjidhej problemi i financimit te importit te energjisë dhe kompanive qe vullnetarisht do te pauzonin prodhimin qeveria do t'ia kompenson pjesën e pagave ose kontributeve.”, ka vijuar më tej ai.

“Kosova ka sigurisht koka qe mund t'i dalin ballë çdo situate por ato sigurisht nuk janë ne qeverisje.”, është vlerësimi kritik i Culajt ndaj qeverisë së Albin Kurtit,

Qeveria duhet të reagojë me shpejtësi

Eksperti i ekonomisë Edison Jakurti, ish-zv.ministër i Ekonomisë, vlerëson se kriza energjetike nuk ka nisur në Kosovë dhe nuk është vetëm në Kosovë. “Kriza e ka kapluar Evropën dhe shkaktarët janë transnacionalë. Pra, nuk ka asnjë kuptim të fajsohet Qeveria e Republikës së Kosovës për krizën energjetike.”, shkruan ai.  Por, gjithsesi, Jakurti nuk e justifikon pushtetin.

“Ama, ngjashëm si me pandeminë (të cilën nuk e kemi shkaktuar ne) dhe inflacionin (poashtu problem në shumë vende), Qeveria duhet të ketë përgjigje adekuate ndaj krizës”, thekson ai.

“Pra, diskutimi mund të jetë nëse ka apo jo përgjigje, apo nëse këto janë të duhurat. Por s’mund të jetë kjo lidhja e shkurt dhe e gabuar shkak-pasojë: Qeveria e sjelli terrin sepse nuk e pranoi një termocentral më shumë me thëngjill apo gazin. Se edhe po t’ishin pranuar ato projekte, asnjëra s’do t’ishte tani në funksion.”, ka potencuar Edison Jakurti.

Kryeministri Albin Kurti dhe qeveria që ai e drejton, kanë ndarë 20 milionë euro për të përballuar krizën, por rduktimet shkojnë deri në dhjetëra orë në zona të caktuara në Kosovë.

“Ndonëse ndodhemi në një krizë të vështirë energjetike globale, do të bëjmë gjithë çka mundemi e krejt çka dimë të dalim me sa më pak humbje e dëme prej saj.”, ka theksuar Kurti të premten.

Konsumi i energjisë është rritur si gjithmonë gjatë dimrit dhe nuk është befasi, ndërsa KEK-u do të duhej të ishte në kapacitete të plota, sepse remontet në blloqe bëhen gjatë verës.

KEDS-i si kompani private prej disa javësh ka alarmuar për shtrenjtimin e energjisë që duhet ta blejë për t’i furnizuar konsumatorët në Kosovë, por vetëm para pak ditësh erdhi më në fund një reagim konkret nga qeveria.

21 vjet pas luftës, sërish është rikthyer zhurma e agregatëve, ndërsa ende nuk dihet sa do të zgjasë kjo situatë, e cila edhe mund të përkeqësohet sipas autoriteteve kosovare./syri.net Kosova

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco