Zbehen shpresat për ta gjetur dorasin e krimit në Gllogjan

Zbehen shpresat për ta gjetur dorasin e krimit në Gllogjan

18:35, 03/12/2021

Sot është bërë një javë nga tragjedia e Gllogjanit që tronditi Kosovën.

 

Tre të vrarë, në mesin e tyre dy nxënës, ishte bilanci tragjik pasditen e së premtes kur persona të panjohur kanë shkrepur plumba në drejtim të një autobusi.

Pavarësisht mobilizimit të madh dhe premtimeve të fuqishme nga institucionet e drejtësisë për kapjen e autorit, ende nuk ka asnjë të arrestuar për këtë rast.

Madje deri më tani Policia e Kosovës nuk ka konfirmuar që ka edhe të dyshuar për këtë akt.

Lidhur me këtë rast dhe për situatën e sigurisë në vend, për FrontOnline ka folur anëtari i Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes dhe ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.

Sipas tij, rasti i Gllogjanit është i vështirë për hetim dhe mjaftë i komplikuar.

“Situata e ndodhur në Gllogjan, duhet me kuptu që është një rast mjaftë i komplikuar dhe kërkon kohë për me hetu . Duhet me i kuptu edhe profesionistët që kjo kërkon mbledhje të dëshmive, identifikimin e vrasësit dhe nuk është lehtë edhe duhet me iu dhënë hapësirë të mjaftueshme hetuesve policor që me kry këtë rast, sepse është rast e thash shumë i ndishëm dhe në rrethanat që ka ndodhë është i vështirë për hetim”, ka deklaruar Qalaj.

Prokuroria: Hetimet vazhdojnë

Dy ditë më parë për këtë çështje për FrontOnline ka folur edhe zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi.

Ai, ka thënë se ende nuk ka asgjë të re në këtë drejtim, dhe se hetimet janë duke vazhduar.

“Janë duke u zhvilluar hetimet dhe të njëjtat po kujdesemi që të mos dëmtohen në këtë fazë. Nuk ka asgjë të re, hetimet janë duke u zhvilluar”, ka thënë Nikçi.

Përndryshe, tri ditë pas vrasjes së shoferit Gani Gjokaj, dhe dy nxënësve Ledion Hamzaj dhe Gentiana Mustafa, Qeveria e Kosovës ka ofruar shpërblim prej 20 mijë euro për ata të cilët mundësojnë arrestimin e autorit të vrasjes së trefishtë në Gllogjan të Deçanit.

A ka rrezik për sulme terroriste në Kosovë? Flet ish-drejtori i Policisë

Pas rastit të Gllogjanit, më 29 nëntor Ambasada Amerikane në Prishtinë, sipas disa lajmeve të publikuara në mediet vendore, kishte konsideruar që duhej të “rishqyrtohej udhëtimi” për Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan “për shkak të potencialit për trazira civile për shkak të tensioneve etnike.

E, lidhur me këto dhe disa incidente të vogla që kanë ndodhur pas rastit të Gllogjanit, ish-drejtori i Policisë Rashit Qalaj ka deklaruar se pak a shumë është degraduar situata e sigurisë në vend.

Derisa, ka bërë thirrje që institucionet e sigurisë duhet të ofrojnë më shumë siguri në vend.

“Është e vërtetë që organet e sigurisë duhet me punu pak më shumë me ofru siguri për shkak se i kemi pas disa incidente që realisht e kanë degradu pak situatën e  sigurisë mirëpo këto janë më shumë incidente që unë i quaj të izoluara, individuale por prapë së prapë edhe menaxhmenti i Policisë duhet të bëjë përpjekje që të ofrojë siguri më shumë, edhe të bashkëpunojmë sa më shumë edhe me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës meqenëse e kanë synimin e përbashkët dhe njëkohësisht kërkoj edhe bashkëpunimin e qytetarëve sepse pa bashkëpunimin e tyre nuk ka siguri”, është shprehur Qalaj.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco