‘Enveri kërkoi të arrestohej dhe Ruçi’-Iriqi bisedon me Qemal Lamen

‘Enveri kërkoi të arrestohej dhe Ruçi’-Iriqi bisedon me Qemal Lamen

14:30, 16/09/2020

Iriqi: - Ma shpjegon dot ç’domethënë kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, rol që ti ke ushtruar në komunizëm?

Lame: - Unë atëherë isha edhe prokuror edhe gjykatës. Ia merrja jetën kujtdo e i jepja llogari veç Nexhmijes dhe Ramizit.

Iriqi: - Nuk i jepje llogari Enverit?

Lame: - Enveri ato mote qe i currufjepsur. Ngatërrohej me fjalët e tij. Një herë tha të arrestojmë Ruçin. Se e lavdëroi një gazetë. Kërrejeni,më tha. Nexhmija ma bëri me kokë, qetësoje, pra. I thashë, si të thoni ju shoku Enver!

Iriqi: - Po më tej?

Lame: - Më tej më shpëtoi ardhja e Zhoao Amazonas.

Iriqi: - E kush ishte ky?

Lame: - Kryetari i Partisë Marksiste të Brazilit.

Iriqi: - Po pse rrinte te zyra e Enverit?

Lame: - Zhoao në fakt ishte një rom nga Tepelena. Novruz quhej. Por ato mote Enveri e besonte se ishte qendra e lëvizjes marksiste në botë. Ndaj Ramizi mblodhi ca nga këta e i vendosi afër zyrës së Enverit. Në 9 paradite i vinte ky Zhoao Novruzi, pastaj trokiste Xhejms.

Iriqi: - Cili qe ky Xhejms?

Lame: - Xheloja, një devolli që ia nxirrnim Enverit si kryetar i Partisë Komuniste të Kanadasë. Pastaj zinin radhë kryetarët e partive të Spanjës, të Afrikës. Hahaha, me këta afrikanët krijuam nja dhjetë parti. Nga Kongo, Kenia, Tanzania etj. I merrnim te Bregu i Lumit, te lagja e romëve. U vishnim kostume e kravata e vrap te Enveri.

Iriqi: - Si ndjehej ai kur i takonte?

Lame: - Si fëmijë i lumtur. E nga që e besonte se ishte qendra e botës tërbohej kur në muhabete i thoshin se ‘Le Monde’ kishte lavdëruar Kadarenë. Atje nuk përmbahej. Nxirrte shkumbë nga goja. Arrestojeni atë bandit e kriminel, thoshte. Isha gati ta arrestoja, por më tha Nexhmija, lëre rehat Ismailin, mos e shqetëso se ka në duar një roman për Enverin.

Iriqi: - Po në se do të të pyeste,a e arrestove, si do i thoje?

Lame: - Më pyeti që të nesërmen. Por iu përgjigj Ramizi. Ismaili u arrestua madje dhe u ekzekutua sot afër mëngjesit andej nga Mali me Gropa. Ashtu si Mehmetin, me dy plumba, pyeti Enveri?

Iriqi: - Pse Mehmetin e vranë?

Lame: - Dihet. Me dy plumba nuk vetëvritesh. Që atë ditë për Enverin Kadareja qe i larguar lart në qiell.

Iriqi: - Nuk kuptoj si ke marrë azil politik në Gjermani kur ke bërë krime në Shqipëri?

Lame: - Gjermanët më pyetën pse je i përndjekur nga komunizmi? Se kam punuar me Enverin dhe e kam mashtruar, nuk e kam dëgjuar e zbatuar porositë e tij, u thashë.

Iriqi: - Si e paske mashtruar?

Lame: - Po ja, me Kadarenë. Enveri tha qartë, burgose. Është e dokumentuar urdhri i tij. Nuk ia zbatova. Kaq mjaftoi. Ndaj po shkruaj këto ditë për Ismailin. Se emri i tij më shpëtoi, unë veç po ia kthej. Do e nxjerr disident ose do plas.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco