Duke lexuar Sandrin dhe Besën

Duke lexuar Sandrin dhe Besën

19:25, 14/09/2020

Ministri i Brendshëm duket se është në një botë idilike ku orë e çast shkëput petalet e një luledeleje, dhe rreket të gjejë me; më do, s’më do, nëse do të jetë në detyrë edhe për ca kohë.

Më do, s’më do, është fjala nëse ende e ka në zemër kryeministri.

Kur qe para ca ditësh në Vlorë, u shpreh se nuk do të jetë më ministër.

Sot në Shkodër, tha se do të jetë.

Petalja e lulediellit ka trillet e veta.

Po përtej kësaj luhatje, ja vlen të lexohet një deklaratë që ka lëshuar lidhur me akuzat që i janë bërë për blerjen e një makine.

E para gjë që të bën përshtypje, është kërcënimi. Ministri i Brendshëm në një nga radhët e tesktit nervoz, thotë se i njeh dhe i ka identifikuar portalet që kanë bërë denoncimin. Kur udhëheqësi i skalioneve të dhunës shpall kësisoj, ai po paralajmëron hiç më pak se sa reagim ushtarak, pra hakmarrje.

Le të shohim ndërkohë sqarimin që ka dhënë për automjetin luksoz që ka marrë, teksa ekonomia jonë është e fundit në rajon dhe parashikimet janë për 11 përqind rënie.

Sandër lleshaj është i indinjuar sepse vetura e Ministrit të Brendshëm, nuk ka kushtuar 100 mijë euro, siç pretendojnë mediat, por sa gjysma e kësaj shume.

Tani, disa pyetje ngrihen.

Përse ky dinjitar i lartë i rilindjes, nuk ka të njëjtin shqetësim fjala vjen, për mashtrime edhe më të mëdha, edhe më të prekshme për vendin dhe qytetarët.

Përse, Sandër Lleshaj nuk është i revoltuar me të pavërtetën e 300 mijë vendeve të punës që premtoi shefi i tij, e nuk i realizoi kurrë.

Si shpjegohet që Sandër Lleshajt nuk i është prishur terezia kur shefi i tij, dhe qeveria ku bën pjesë, premtoi shëndetësi falas dhe në realitet solli më të shtrenjtën në rajon e më gjërë, duke qënë se qindra milionë euro u dhanë për konçesione.

Si ka mundësi, që Sandër Lleshaj nuk është tronditur aspak, kur teksa Shqipëria ishte kthyer në një narkoshtet dhe vendi ishte kanabizuar, shefi i tij Edi Rama, e mohonte dhe thoshte se nuk ka drogë.

Ka shumë si këto. Por një intelektual dhe një njeri më dinjitet, e dallon raporti me të vërtetën. Nëse nuk pipëtin kur abuzimi bëhet mullar nga qeveria dhe shefi yt, pse hidhesh pupthi nëse portalet gabojnë me një makinë luksoze që në internet del 100 mijë euro, por ti e paske blerë me 49 mijë.

Dihet mirë se asgjë në botë nuk e ndalon dikë të bëhet antipatik dhe qesharak. As edhe një Ministër të Brendshëm. Shih ndërkohë horoskopin e luledeles, se ndoshta nesër të del, s’më do. Dhe mëson si Besa, e cila, teksa i është besuar privilegji më i madh dhe më i pamerituar i jetës, thotë se qenka ndjerë e diskriminuar. Vetëm një gjest, një gjësend i përkufizon këto sjellje rilindase. Pfffff./Mapo

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco