Çfarë duhet për të bërë karrierë, 'aftësitë' apo 'servilizmi dhe zelli për t’u dukur'?!

Çfarë duhet për të bërë karrierë, 'aftësitë' apo 'servilizmi dhe zelli për t’u dukur'?!

09:38, 05/04/2024

Çfarë duhet për të bërë karrierë? Është një pyetje që me siguri çdo profesionist ia ka bërë vetes të paktën një herë.

Për të matur perceptimin e audiencës së vet për këtë çështje, “Monitor” organizoi një sondazh në faqen e saj të internetit dhe në rrjetet sociale.

Për pyetjen “Cilat mendoni se janë aftësitë më të rëndësishme për të bërë karrierë?” zgjodhëm katër alternativa dhe rezultati i sondazhit ishte mjaft i balancuar mes tyre.

28% e gjithë pjesëmarrësve në sondazh u përgjigjën se më të rëndësishmet në karrierë janë aftësitë profesionale, por një diferencë shumë të vogël, me 27% të përgjigjeve, alternativa e dytë më e votuar ishte “Servilizmi dhe aftësia për t’u dukur”.

24% e pjesëmarrësve u shprehën se më të rëndësishme janë “Aftësitë komunikuese”, ndërsa 21% zgjodhën alternativën “Iniciativa dhe të qenët krijues”.

Me gjithë rezultatet mjaft të balancuara, ajo që na ra në sy nga rezultatet ishte një ndryshim i konsiderueshëm i përgjigjeve, në varësi të kanalit dhe llojit të audiencës.

Në sondazhin e zhvilluar në faqen e internetit dhe shpërndarë në Facebook, alternativa më e votuar ishte dukshëm “Servilizmi dhe aftësia për të dukur”, me më shumë se 34% të votave, e ndjekur nga “Aftësitë profesionale”, me më pak se 26%.

Në sondazhin e zhvilluar në Linkedin, rezultati ishte shumë i ndryshëm. “Servilizimi dhe aftësia për t’u dukur” ishte alternativa më pak e zgjedhur, me 19% të votave, ndërsa më të votuarat ishin “Aftësitë profesionale”, me 31% dhe “Aftësitë komunikuese”, me 29% të votave.

Natyrisht që këndvështrimi për këtë çështje mund të jetë shumë subjektiv.

Tek një publik i përgjithshëm është e kuptueshme që mund të jetë më i fortë stereotipi se për të bërë karrierë duhet të jesh servil.

Në vetvete, kjo nuk e bën domosdoshmërisht të pabazë stereotipin; megjithatë, një pjesë e madhe e njerëzve që nuk ka kanë arritur ngritjen e dëshiruar në karrierën e tyre priren të mendojnë se kjo nuk ka ndodhur ngaqë ata nuk janë të aftë, por sepse kolegë të tyre të tjerë i kanë ngjitur shkallët e karrierës duke treguar zell dhe servilizëm ndaj eprorëve, duke u treguar të aftë të shfaqen më shumë në sytë e tyre, apo duke marrë merita se punojnë më shumë nga sa bëjnë në të vërtetë.

Segmenti i profesionistëve, (ku me shumë të ngjarë një pjesë e mirë e votuesve janë në shkallë të larta të hierarkisë së kompanive të tyre), mund të jenë më të prirë të shprehen se karriera varet nga aftësitë profesionale, komunikuese apo nga iniciativa; ky këndvështrim është edhe një formë vetëvlerësimi për arritjet e tyre.

Secili këndvështrim mund të ketë sigurisht argumente të arsyeshme: dikush mund të thotë se është e vështirë të bësh karrierë pa pasur aftësi të mirëfillta profesionale, pa pasur ide apo iniciativë për t’i komunikuar dhe për t’i shpalosur ato.

Por, nga ana tjetër, është e vërtetë edhe që zotësia për të fituar vlerësimin dhe besimin e eprorëve nuk lidhet vetëm me aftësitë profesionale, por edhe me marrëdhënien që arrin të ndërtosh me ta.

Shumica e drejtuesve priren të krijojnë më shumë besim tek ata punonjës që shfaqen të bindur dhe të zellshëm për të zbatuar kërkesat/urdhrat ose për të vlerësuar figurën e tyre, më shumë se te punonjës të tjerë që nuk e shfaqin të njëjtin zell apo tentojnë të vendosin në dyshim vendimet apo autoritetin e eprorëve./E.Shehu - Monitor

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco