Roli i shqiptares Mira Murati në krijimin e inovacionit më të përfolur ChatGPT

Roli i shqiptares Mira Murati në krijimin e inovacionit më të përfolur ChatGPT

23:45, 23/03/2023

Ndërkohë që të gjithë po flasin për ChatGPT, duke lavdëruar inteligjencën artificiale dhe shpejtësinë mahnitëse me të cilën inovacioni i momentit krijon tekste apo kode programimi, na lejoni t’ju prezantojmë me Mira Muratin, Chief Technology Officer (Drejtuese e lartë që ka përgjegjësi mbi menaxhimin e kërkesave që lidhen me teknologjinë, të kryera nga një kompani apo institucion tjetër) në “OpenAi”, kompaninë që ka krijuar chatbot ChatGPT.

ChatGPT u prezantua në nëntor të vitit 2022 dhe ndonëse disa shkolla në Amerikë e kanë ndaluar përdorimin e kësaj risie, vetë Microsoft njoftoi se do të investonte plot 10 miliardë dollarë në kompani. Ndërsa, në janar, “ChatGPT” ishte një ndër termat më të kërkuar në Google, duke tejkaluar kështu edhe kërkimet për “bitcoin”.

Por, pas ChatGPT dhe të gjithë famës mëse të merituar, qëndron një kompani me 375 punonjës, mes tyre, edhe shqiptarja Mira Murati, e cila drejtoi grupin që krijoi platformën.

Mira mendon se ChatGPT ka potencialin që të revolucionarizojë mënyrën se si njerëzit mësojnë, përmes një kurrikule të thjeshtë dhe thelbësore, e cila ofron një model të qartë, përmes të cilit njerëzit kuptojnë dhe mësojnë koncepte që i përshtaten nivelit të tyre të të nxënit dhe të kuptuarit. Sipas saj, ChatGPT mbart një potencial të jashtëzakonshëm për të ndihmuar në edukimin që i përshtatet çdo personi që zgjedh ta përdorë.

Gjithsesi, ajo nuk e përjashton faktin se inteligjenca artificiale mund të keqpërdoret, por ajo u shpreh optimiste për grupin e vogël të njerëzve që e njohin mirë këtë fushë, si dhe kontributin që shkon përtej teknologjisë dhe përfshin rregullatorët dhe qeveritë, të cilat duhet të përkujdesen që teknologjia të jetë në funksion të njeriut, jo një kërcënim për të.

Pasioni i Mirës në teknologji është goxha më i hershëm se sa përvoja në ChatGPT. Sipas llogarisë së saj në LinkedIn, Mira ka qenë në krye të menaxhimit të departamentit të produkteve, përgjegjëse për modelin X në kompaninë “Tesla”, për 3 vite (2013 – 2016).

2 vite më vonë, pra në 2018, ajo iu bashkua edhe “OpenAi”.

Mira ka lindur në Vlorë, është rritur në Shqipëri, u zhvendos në Kanada në moshën 16-vjeçare (sipas Wikipedia-s). Ajo u diplomua në universitetin “Dartmouth” në vitin 2012, në degën inxhinieri mekanike.

Pasionin për teknologjinë e ka trashëguar qysh në fëmijëri. Në një intervistë, ajo është shprehur se: “Kam pasur interes për matematikën që e vogël kur luaja me video lojëra, por duke qenë se jam rritur në Shqipëri, nuk ishte mundësia të kaloje nga teoria në praktikë. Kështu që studiova teorinë si fillim”, duke treguar edhe mënyrën se si e gjeti rrugën drejt dëshirës së saj.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco