VIDEO-FOTO/ Gangsterët e TikTok-ut tërbojnë ‘shkollën e vjetër’ të Camorra-s

VIDEO-FOTO/ Gangsterët e TikTok-ut tërbojnë ‘shkollën e vjetër’ të Camorra-s

09:46, 24/07/2022

Brezi i ri i gangsterëve italianë nuk i ka punët mirë me bosët e vjetër të organizatave kriminale, për shkak se pasqyrojnë gjithnjë e më shumë jetën e tyre luksoze në rrjetet sociale, veçanërisht në TikTok.

Më të zellshëm për t’i treguar botës bëmat e tyre duket se janë anëtarët e rinj të Camorra-s, organizatës kriminale më të vjetër në Itali, me qendër në Napoli.

Crescenzo Marino, djali i një bosi të Camorra-s, ka mbledhur deri tani 43 mijë ndjekës në TikTok dhe më shumë se 900 mijë pëlqime në videot e tij, ku shfaqet duke shëtitur me Ferrari në Paris, duke bërë xhiro me motor, e duke veshur rroba nga më të shtrenjtat.

Por TikTok po përdoret nga klanet kriminale edhe për të kërcënuar njëri-tjetrin. Pas vrasjes së një eksponenti të një grupi, shokët e tij postuan një mesazh në rrjetin social ku i kërkonin policisë të vepronte, ose do të hakmerreshin vetë.

Marcello Ravveduto, profesor i historisë moderne në Universitetin e Salernos, dhe ekspert për organizatat kriminale, tha për ‘The Times’:

‘Për herë të parë, këta gangsterë kanë gjetur një mënyrë për të treguar në mënyrë të drejtpërdrejtë mbi jetën e tyre. Në krahasim me organizatat e tjera kriminale në Itali, Camorra ka anëtarët më të rinj në moshë dhe ata e pëlqejnë shumë TikTok-un për shkak se është i shpejtë dhe ka më pak rregulla sesa rrjetet e tjera sociale.

TikTok po përdoret shumë edhe nga narkotrafikantët meksikanë dhe grupet kriminale cigane në Romë. Nevojitet një bashkëpunim më i mirë mes policisë dhe TikTok për të ruajtur më mirë këta njerëz’.

Sipas ‘The Times’, një prej bosëve të shkollës së vjetër në Scampia, në periferi të Napolit, Antonio Abbinante, është përgjuar nga autoritetet duke fajësuar anëtarët e rinj në moshë të grupit të tij që provokojnë policinë me video në rrjetet sociale. ‘Kam për ta çarë në dysh këdo që e bën këtë’, citohet Abbinante nga përgjimet e policisë.

Shembulli më i mirë i fshehtësisë së dikurshme të Camorra-s është fakti se bosi më famëkeq i saj, Raffaele Cutolo, e drejtoi organizatën për pjesën më të madhe të kohës nga pas hekurave, ku edhe ndërroi jetë në moshën 79-vjeçare vitin e kaluar.

Camorra, një histori e shkurtër

Camorra është organizata kriminale më e vjetër në Itali. Sikurse Cosa Nostra dhe ‘Ndragheta, ajo është gjithashtu një shoqëri sekrete që financohet përmes trafikimit të lëndëve narkotike, kontrabandës, trafikut të qenieve njerëzore, pengmarrjeve, shantazheve, prostitucionit, si dhe ka interesa të mëdha edhe në ndërtim, mbetjet toksike dhe aktivitete të tjera kriminale dhe legale.

Sipas disa të dhënave historike, Camorra mund të jetë formuar që në shekullin XVI. Emri i saj besohet se vjen nga bashkimi i fjalëve ‘Capo’ – ‘shef’ dhe ‘Morra’ – një lojë bixhozi e luajtur në rrugët e Napolit. Pasi loja u shpoall e paligjshme, ‘kamorristët’ nisën të fitonin para duke mbrojtur lojtarët nga policët.

Por ndryshe nga Mafia siciliane, klanet e Camorra-s janë të pavarur nga njëri-tjetri dhe shpesh përfshihen në konflikte të përgjakshme.

/Understandingitaly.com-A2

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco