Këto janë 5 fjalimet me të fuqishme të kohës, në mesin e tyre edhe ai i 'Skendërbeut'

Këto janë 5 fjalimet me të fuqishme të kohës, në mesin e tyre edhe ai i 'Skendërbeut'

20:43, 05/05/2021

Fjalimet më të fuqishme të kohës të cilën jemi dëshmitar vetë, fjalime këto që i kanë rezistuar brutalitet të kohës, e anashkalimeve të njerëzve.

Zëri i fuqishëm britanik duke kërkuar lirinë e votës së grave dhe të drejtave të tyre në përgjithësi nga Gandhi, mesazhi i gjatë i Chaplinit për vetdijësimin e njerëzve,  dhe fjalimi madhështor i Skendërbeut për të ardhmen e shqiptarëve, përbejnë këto fjalime që janë bërë dekada më parë.

Charlie Chaplin, 1938
Fjalimi i berberit në filmin “Diktatori i madh”

Më vjen keq, por unë nuk dua të jem perandor, s’është punë për mua. Unë s’dua as të pushtoj as të drejtoj njeri. Do doja t’i ndihmoja të gjithë sa më shumë të mundesha, çifutët, të krishterët, paganët, të zinjtë e të bardhët. Të gjitha ne qëniet njerëzore do të donim t’i ndihnim po të mundeshim, qenia njërëzore është ndërtuar kështu. Ne duam t’i japim lumturinë të afërmit tonë, jo ta shtyjmë në të keqe. S’duam as të urrejmë as të poshtërojmë njerëz në këtë botë.

Secili prej nesh ka vendin e tij në tokë, e natyra është e pasur, ajo mund t’i ushqejë të gjitha qëniet njerëzore. Të gjithë mund të kemi një jetë të bukur dhe të lirë por këto i harrojmë.

Lakmia e ka helmuar shpirtin e njeriut, e ka bllokuar botën me urrejtje,  na ka bërë të biem në gropë të varfërisë e në rrëketë e gjakut. Edhe shpejtësinë që e zhvilluam, e zhvilluam për t’u mbyllur në vete. Makineritë që i kemi me bollëk, na kanë lënë në batakun e pakënaqësive. Dija na bëri të ktheheshim në cinikë. Jemi kthyer në jo-njerëzorë, me ndihmën e forcës së inteligjencës mendojmë shumë dhe nuk ndiejmë sa duhet. Jemi mekanizuar shumë, e na mungon njerëzillëku.
Jemi shkolluar shumë por na mungon zemërbutësia dhe mirësjellja. Pa këto cilësi njerëzore, jeta s’është veçse dhunë dhe gjithçka është e humbur.
Avionët edhe radiot na afruan me njëri-tjetrin por këto shpikje nuk do ta gjejnë kurrë kuptimin e tyre të vërtetë veçse në lumturinë e qënies njerëzore, veçse në vëllazërimin, në miqësinë dhe bashkimin e gjithë njerëzve.
Në këtë moment zëri im arrin miliona njerëz në gjithë botën, miliona burra, gra e fëmijë të dëshpëruar. Viktima të një sistemi që i torturon të dobëtit dhe i burgos të pafajshmit.
Ja ku ua them te gjithë atyre që kanë vesh të më dëgjojnë : Mos u dëshpëroni ! Mallkimi që është mbi ne s’është veçse produkt kalimtar i sjelljeve, zemërimi i atyre që kanë frikë nga progreset që arrihen nga  njerëzimi. Urrejtja do të zhduket dhe diktatorët do të vdesin, e pushteti që ua kishin marrë njërëzve do t’i kthehet sërish njerëzve. E derisa për lirinë ende e japin jetën, ajo s’ka për t’u mposhtur.
Ushtarë, mos ua lini shpirtin pushtuesve, është një minoritet që ju përçmon dhe që ju do skllevër, që ju do gjithë jetën në disiplinë, ju tregon ç’të bëni e ç’të mendoni, që ju drejton, ju manovron, që ju përdorë si mish për top e ju trajton si bagëti.
Mos ua jepni jetën këtyre qenieve jo-njerëzore, këtyre njerëzve-makineri, me një makinë në vend të kokës dhe një tjetër makineri në vend të zemrës.
Ju s’jeni makineri !
Ju s’jeni skllevër !
Ju jeni njerëz, njerëz me gjithë dashurinë e botës në zemër. Ju s’keni urrejtje, veçse për atë që është jo-njerëzore dhe që nuk është e bërë prej dashurisë. Ushtarë mos luftoni për skllavërimin por për lirinë.
Është e shkruar në ungjill, e sipas Shën Lukës “Mbretëria e Zotit është në qënien njerëzore “, jo vetëm në një qënie njerëzore, as vetëm në një grup, por te çdo njeri, te ju o popull që e keni fuqinë : fuqinë për të krijuar makina, fuqinë për të krijuar lumturi. Ju o njerëz e keni pushtetin, pushtetin për ta bërë jetën të lirë e të bukur, fuqinë për ta berë jetën aventurë të mrekullueshme. Pra në emër të demokracisë, ta përdorim këtë pushtet.  Duhet të bashkohemi të gjithë, duhet të luftojmë të gjithë për një botë të re, botë humane e cila do t’ua japë të gjithëve mundësinë të punojnë që do t’ia sjellë rinisë të ardhmen dhe të moshuarve sigurinë. Të ligjtë ju kanë premtuar shumë gjera që ju t’ua jepnit pushtetin: ata gënjejnë. Ata s’i kanë mbajtur premtimet e tyre të mrekullueshme, asnjëherë s’do t’i mbajnë.

Diktatorët shfaqen me marrjen e pushtetit, dhe bëjnë skllevër popujt. Ndërsa neve na duhet të luftojmë për të përmbushur premtimet e tyre. Ne duhet të luftojmë për të liruar botën, për t’i shkatërruar kufijtë dhe përmbysur dallimet racore, për t’i dhënë fund njëherë e mirë lakmisë, urrejtjes dhe jo-tolerancës. Na duhet të luftojmë për të ndërtuar një botë të arsyes, një botë ku shkenca dhe progresi do t’i shpien njerëzit drejt lumturisë.
Ushtarë, në emër të Demokracisë, të bashkohemi të gjithë! Retë po zhduken! Dielli shpon! Ne po dalim nga terri për të gjetur dritën ! Duhet të shkojmë drejt një bote të re, drejt një bote më të mirë, ku njerëzit do të dominojnë lakminë e tyre, urrejtjen, brutalitetin. Hapni sytë ! Shpirti i njeriut mori më në fund flatra dhe po nisë të fluturojë. Ai fluturon drejt ylberit, drejt dritës së shpresës.

Emmeline Pankhurst

Aktiviste e politikës së grave britaneze, nëntor, 1913

Nuk kam ardhur këtu si një përkrahëse e këtyre të drejtave, pasi çfarëdo pozicioni mund të zërë lëvizja për të drejtën e votimit të grave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Angli ka kaluar përtej mbretërisë së përkrahjes dhe ka hyrë në një sferë të politikës praktike. Është kthyer në subjektin e revolucionit të luftës civile, prandaj sot nuk jam këtu për të përkrahur të drejtën e votimit të grave.

Militantët amerikanë të së drejtës të votimit mund ta bëjnë këtë shumë mirë vetë. Unë jam këtu si një ushtare, e cila e ka lënë përkohësisht fushën e betejës. Mund t’u duket e çuditshme që duhet të shpjegohet, se çfarë është lufta civile kur ajo kryhet nga gratë. Nuk vi këtu thjesht si një ushtare, që ka braktisur përkohësishtfushën e betejës; unë jam këtu, dhe kjo besoj se është pjesa më e çuditshme e ardhjes sime, vi këtu si një person, i cili, sipas ligjeve të vendit tim, ka rezultuar se nuk ka fare vlerë për komunitetin; më kanë gjykuar se jam një person i rrezikshëm, jam dënuar me burg. Prandaj e kuptoni se ka interes të dëgjohet një person kaq i pazakontë. Guxoj t’ju them, në mendjet e shumë prej jush, shpresoj të më falni për këtë komunikim prekës, se nuk dukem as si ushtare dhe as si e burgosur, edhe pse ashtu jam!
Ndërsa tani, dua t’ju them juve që mendoni se gruaja nuk mund të ketë sukses, se e kemi sjellë qeverinë e Anglisë në këtë pozicion, dhe duhet ta pranojë këtë alternativë; gratë ose do të vriten ose duhet të votojnë. I pyes burrat amerikanë në këtë mbledhje, çfarë do të thonit sikur në senatin tuaj të viheshit përballë kësaj alternative, se ose duhet t’i vrisni ose t’i jepni shtetësinë, gratë, shumë prej të cilave i respektoni, gra për të cilat e dini se kanë qenë të nevojshme, gra të cilat i njihni, edhe pse jo personalisht, janë mbushur me motivet më të larta, gra të cilat janë në kërkim të lirisë dhe fuqisë për të shërbyer në komunitet? Kjo alternativë ka vetëm një përgjigje; ka vetëm një mënyrë për t’i dhënë fund, nëse nuk jeni të përgatitur për të sprapsur qytetërimin për dy apo tre gjenerata; duhet t’i jepni të drejtën këtyre grave të votojnë. Kjo është zgjidhja e luftës sonë civile.

Fjalimi i famshëm i Xhon Kenedit: “Çështja Xhejms Meredith.”

“Kombi ynë ka në themelet e tijë parimin se ligji është mbrojtësi I përjetëshëm I lirisë, si dhe mosbindja kundrejt tij është rruga më e sigurt drejt tiranisë. Ligji të cilit ne të tërë I bindemi përfshin këtu edhe vendimet e gjykatave tona si dhe ndryshimet e fundit që ndërmerren në trupën legjislative.
Amerikanët janë të lirë, të mos bien dakort me ligjin por jo ta shkelin atë. Se në një qeveri të ndërtuar nga ligjet, e jo njerëzit, asnjë individ—sado i rëndësishëm apo I fuqishëm—asnjë turmë—sado e disiplinuar dhe e egër—s’mund të dalë mbi gjykatën dhe ligjet. Nëse ky komb do të arrijë ndonjëherë në pikën kur një individ ose turmë, me forcë ose frikën e përdorimit të saj, të sfidojë ligjet dhe Kushtetutën tonë, atëherë kurrë ligji nuk do të jetë I lirë nga dyshimi, kurrë gjykatësi i sigurtë në vendimin e tijë dhe kurrë qytetari I mbrojtur nga fqinji i tij.”
-Xhon.F. Kenedi

Fjalimi i mbajtur ne lidhje me situaten e krijuar ne Universitetin e Misisipit.

“Cështja Xhejms Meredith.”

(30 Shtator, 1962)

Gjergj Kastrioti- Skendërbeu 1468

Jam në prag të vdekjes. Po ju lë një mbretëri me forca të afta për ta mbrojtur, por me një pasardhës të paaftë nga mosha për ta drejtuar. Megjithatë, në qoftë se në të ardhmen ju bëheni trima dhe të virtytshëm, ju mund të përballoni të gjitha sulmet e armiqve tuaj. Nuk është sipërfaqja e vendit ajo që bën një fron të respektueshëm, por aftësia e atij që ulet mbi të. Në qoftë se ju jeni i djallëzuar, shërbëtor i ministrave tuaj, dhe naiv i lajkave të oborrtarëve tuaj, atëherë asgjë nuk do të jetë më e lehtë sesa përmbysja nga maja më e lartë ku ju ndodheni. Duhet të jetë virtyti themel i fronit. Virtyti nuk është fantazi.

Ndoshta do ua thonë një ditë, por mos harroni se ai që do ua thotë, është një tradhtar, një dinak, që për të mbretëruar në vendin tuaj, do ju sugjerojë maksima të rreme, të cilat herët a vonë do të shkaktojnë përmbysjen tuaj. Duke pasur virtytin si udhërrëfyes, lajkatarët dhe të pabesët do të largohen prej jush…Të virtytshëm, ju mund të mbani lehtë perandorinë që po ju lë të tronditur nga lufta e vazhdueshme ; ta përforconi, ta rimëkëmbni nëpërmjet pushimit dhe qetësisë…
Krijoni vendshkrime të paçensuruara në të gjithë sipërfaqen e mbretërisë ku mund të publikohen të gjitha padrejtësitë dhe dhuna që mund të ushtrohen nga drejtuesit e krahinave tuaja. Bëni këtë edhe për miqtë apo familjarët e tyre që jetojnë në oborrin tuaj, të cilët i fshehin këto shkelje apo i përdorin nën pretekstin e drejtësisë dhe të domosdoshmërisë. Shqyrtoni gjithçka nga ju vetë, dhe nëse magjistrati, ushtari apo kleriku janë mashtruesë dhe të padrejtë, atëherë pa mëshirë varini në shtyllë në vendin e krimit : ju do të vini re se pasardhësi i tij do të bëhet i drejtë dhe i njerëzishëm…

Kur sapo të keni marrë drejtimin e pushtetit, ju do të kujdeseni për drejtësinë, e cila është themeli i të gjitha virtytëve. Ju do të mbroni artizanët, si njerëzit më të dobishëm të zonave të pushtetit tuaj, dhe do të parandaloni shtypjen e tyre nga pasanikët. Krenaria dhe lluksi i bën pasanikët të pandjeshëm ndaj fatkeqësive të varfërve, të cilët nuk kanë as tituj (grada) e as mbështetje. Duhet të jeni të butë dhe të dashur me njerëzit tuaj ; dukuni shpesh mes tyre, bisedoni me ta, pyesni ata nëse dëshirat tuaja për drejtësi janë ekzekutuar nga minisitrat tuaj. Princi që qëndron i mbyllur me oborrtarët e tij shikohet nga populli i tij si armik dhe tiran…Dëgjoni ankesat dhe kërkesat e popullit tuaj me qetësi sa që t’i frymëzoni besim atij për t’ju ndihmuar të korrigjoni abuzimet dhe fatkeqësitë e shtetit.

Kujdesuni që Kombi juaj të rritet nëpërmjet fesë katolike, por mos persekutoni asnjeri që ta ndjekë atë me detyrim. Dielli, që është shëmbëllimi i Perëndisë, shkëlqen pa dallim për turkun ashtu si për të krishterin. Kushdo që këshillon për të luftuar për hir të Perëndisë është një mashtrues i cili dëshiron të sakrifikojë të vërtetën për interesat e tij. Zoti është i fuqishëm, ai mund të bëjë gjithçka vetë, pa ndihmën e askujt…Në qoftë se fati ju bën endacak, të varfër apo nevojtar kurrë mos e ndryshoni fenë për interes…Mbyllini që në origjinë mosmarrveshjet e teologëve dhe hipokritëve, të cilat janë më të rrezikshmet për lumturinë e një shteti. Kemi parë perandoritë më të lulëzuara të përçahen dhe të tronditen nga këta fanatikë…Shihni Perandorinë e Konstandinit të rrënuar nga Muhamedi, dhe princin Jean Paléologue (Gjon Paleologu) i shkelur nga kuajt e Arabëve. Ai ishte supersticioz, priftërinjtë e tij ambiciozë dhe injorantë, oborrtarët e tij të rremë dhe të shthurur nga luksi, dhe tani princi, priftërinjtë dhe oborrtarët kanë vdekur dhe po vdesin në skllavëri.

Nëse keni fat të mjaftueshëm për të pasur filozofë në vendqeverisjet tuaja, të cilët janë të ndriçuar nga drita e arsyes dhe jo nga sistemet e rreme, le të shkruajnë në paqe dhe të reagojnë ndaj paragjykimeve dhe makinacioneve të kujtdo që flet në emër të Zotit me qëllim për të heshtur mbretin dhe drejtësinë. Ju do t’i mbroni ata kundra zellit të tepruar të drejtuesve hipokritë duke i shpërblyer me vende pune në gjykatat dhe oborret tuaja.

Kur të ju flasin keq për dikë, ju do ta dëgjoni me gjysëm veshi… Ju do të jeni të sjellshëm me të gjithë shtresat popullore. Si arsye e dallimit të gradës që do të keni së shpejti në shoqëri, ju duhet të dalloheni nga të tjerët nëpërmjet bujarisë, i cili është karakteri dallues i princave. Një monark, edhe i varfër, duhet të jetë bujar…

Mbroni meritën dhe shpërblejeni atë kudo që ajo ndodhet. Mirësia duhet të shoqërohet me një zemër bujare. Njeriu ndërton tempuj, ngre altarë për Zotin falë mirësisë së tij. Evitoni për gjithmonë shekullit, rrethit dhe rracës tuaj turpin për të pasur njerëz të dëshpëruar nga mizoria, krenaria apo injoranca juaj. Mos harroni se njeriu lind për lumturinë e njëri-tjetrit…

Armatosuni nga guximi dhe vendosmëria në mjerim, me maturi në mirëqenie. Mos u zhytuni në përtaci, ajo është nëna e të gjitha veseve…Mos mbyllni sytë ndaj fqinjëve dhe traktateve të tyre : ata do të presin momentin kur ju do të jeni të brishtë për t’iu akuzuar dhe do të pohojnë pretendime të rreme mbi trashgiminë që po ju lë. Mos përdorni spiunë për të ditur se çfarë thonë njerëzit në lidhje me administrimin tuaj. Bëni punën tuaj ashtu si duhet, njerëzia le të flasin dhe të shkruajë çfarë të dëshirojë…

T’i jepet mundësia gjithsecilit prej rrethit tuaj që të shkruaj.  Ju do të punësoni sekretarët tuaj që të pergjigjen për qështje të ndryshme ose publike, por sekretet e shtetit duhen të mbeten mes jush…

Mos përbuzni askënd ; më i vogli dhe më i varfëri mund të ju rrëzojë, ashtu si dhe mund të ju ndihmojë me këshillat dhe kurajon e tij.

Jeni të durueshëm në çështjet e luftës, të patrembur në rreziqe, të butë dhe humanë, kurrë mizorë dhe gjaknxehtë. Fshihni dhimbjen që fatkeqësitë tuaja mund të ju shkaktojnë. Armiqtë tuaj do të jenë gjithmonë të gatshëm të ju fyejnë për fatkeqësitë, dhe ministrat të ju tradhëtojnë. Ftoni mes jush të huaj të arsimuar duke u dhënë një rol këshilltari edhe në rast kur ata nuk janë fisnikë e të pasur. Kompetencat që i akordohen fisnikërisë janë prodhim i politikës. Ju mund të përdorni fisnikët si të dëshironi. Pasanikët injorantë do t’i ledhatoni, kështu do të kurseni pasurinë tuaj për mirëmbajtjen e ushtrisë, dhe do të keni një oborr të shkëlqyeshëm falë krenarëve por dhe budallenjve, që nuk kanë asnjë lloj virtyti përveçse floririt.

Mos jeni të ndrojtur ndaj ndjenjave tuaja. Deklaroni haptazi oborrtarëve tuaj, se ai që do të ju gënjejë dhe do të ju dërgojë në rrugën e gabuar në administrim, pa asnjë falje do të varet në shtyllë. Poetëve që do të ju thurin vargje, për të ju bindur se jeni më i madhi, më bujari, më i mrekullueshmi, luftëtari më i madh ndër të gjithë mbretërit, u dërgoni në këmbim një copë letër, bojë dhe një pendë nga një oborrtar i panjohur, me urdhërin për të dëshmuar të vërtetën e asaj që shkruajnë, dhe në qoftë se nuk mund të bëjnë një gjë të tillë, të kufizojnë veten në dhënjen e këshillave, duke u lënë të kuptohet së nëse vazhdojnë të shkruajnë marrëzira të tilla të rrezikshme, ata do të mbyten nga vetë ju si person i shenjtë i të vërtetës.

Kujdesuni që të keni gjithmonë ushtarë të mirë dhe të disiplinuar ; që ushtarët tuaj të mos bëhen përtacë, t’i stërvitni dhe t’i trajtoni jo si skllevër por si shokët tuaj. Kur të jeni në luftë, ju do të udhëheqni ushtrinë si gjeneral dhe në betejë do të luftoni si ushtar. Emri i mbretit është një titull shumë i nderuar, por ky titull ka peshë të madhe dhe detyra të vështira për të realizuar. Kryesorja është të pranohesh dhe të respektohesh në rrethin tënd. Zoti nuk ka dhënë fuqinë supreme për të na zhytur në qullësi, për që të jemi mbrojtës të çështjes publike. Për një zemër të butë dhe një shpirt të virtytshëm, mirëqenia e përgjithshme e popullit tënd është kënaqësia më e madhe që mund të përjetohet. Neglizhenca dhe një lloj mirësie që e thërrasim “mendjelehtësia e një princi “, u shkaktojnë dëme njerëzve; dhe ju e dini se roli i mbretit është ta mbrojë popullin e tij.

Dëboni larg jush astrologët gjykatës dhe kimistët prodhuesë ari dhe diamantesh. Një princ është gjithmonë i pasur, kur ai është i mençur dhe i lartësuar shpirtërisht. Emri juaj do të jetë i shkruar në një pllakë prej mermeri të bardhë me shkronja të zeza mbi dyert e kështjellave tuaja të destinuara për të burgosurit. Mjerim për guvernatorin që i feshu mbretit pafajsinë, që përkeqësoi nga koprracia dhe zelli i tij dënimin e fajtorëve…Mbroni njerëzit e dashur dhe të mirë, ndëshkoni shpirtrat e këqinj. Jeni të ndjeshëm ndaj lëndimit, por akoma dhe më shumë ndaj shërbimit të popullit tuaj dhe miqësisë të njerëzve të ngjashëm me ju.

Pika kulmore e një lufte është çorientuese, duhet ndjerë pasiguria (rreziku). Atëherë kujdesi dhe guximi do të ju shërbejnë më mirë se sa pasuria. Duhet të dish të fitosh, por mos harroni se edhe mund të mposhtesh. Sfidoni veten tuaj : mos e humbisni toruan nga zemërimi, sepse atëherë i thjeshti bëhet i keq dhe mbreti një përbindësh…

Mos harroni se politika turke është për të mbjellë përçarje mes princave të krishterë ; e gjithë madhështia e tyre gjendet në këtë politikë të shkëlqyeshme, e cila bën me shumë pushtime sesa armët e tyre. Së fundi, në qoftë se jeni xheloz se po ju lë një trashgimtar që ju pengon për të marrë fronin, mos harroni se kam qenë babai juaj, dhe shpatën do e përdorni vetëm për të rrëzuar armikun.

Ju do të keni lidhje të shumta me oborrin e Romës, që unë kam qenë deri tani mbështetës dhe mbrojtës. Interesat e mia më kanë detyruar të përshtas politikën time me të sajën. Rrethanat në të cilat jam gjetur veten nuk më kanë lejuar të luftoj uzurpimet turke dhe pretendimet e papës. Për të mirën e krahinave të mia kam qenë gjithmonë i lumtur me veprimet që kam ndërmarrë. Roma është fodulle vetëm me princat e dështuar. Roma, duke më pasur frikë, më ka bërë gjithmonë lajka. Ajo ndryshon maksimat dhe pozicionet sipas rasteve, por frika se humb tokat e saj ndaj sulmeve të Muhamedit, e ka detyruar atë të qëndrojë modeste ndaj meje, duke më njohur të gjitha të drejtat, titujt, dhe zotërimet e realizuara gjatë betejave të mia. Papët nuk kanë arritur kurrë të manipulojnë një ushtar të vjetër si unë, por nuk do të hezitojnë të bëjnë një gjë të tillë ndaj jush si arsye e moshës së re dhe mungesës së eksperiencës për të qeverisur, për të shërbyer. Mos harroni, se me praktikat e shumta që ata përdorin për të arritur qëllimet e tyre, më e forta, është rrëfimi. Por është e lehtë ta kuptoni : kur prifti do të dojë të dijë më shumë sesa mëkatet tuaja, kthejeni si një mashtrues në vendin e tij, dhe dënojeni si të tillë, që të shërbejë si shembull për pasardhësin e tij.

…Megjithatë, është shumë e rrezikshme të kundërshtosh hapur Papën, këtë idhull të madh të fesë sonë. Ai është një njeri si të tjerët, me pasionet dhe dobësitë e tij… Nëse Papa ju dërgon faljet, reliket, bekimet, merrni ato me respekt, dhe i nderoni me njerëzit tuaj duke e dhënë ju shembullin kryesor… Por në qoftë se Papa përpiqet të rrisë numrin e priftërinjve dhe murgjve për të nxjerrë para nga krahinat tuaja…ose ju nxit që të hapni luftëra në emër të Zotit, rrufeja hakmarrëse qëlloftë mbi ju dhe pasardhësit tuaj në rast pranimi. Zoti hakmerret ndaj fyersve të tij, pra nuk ka nevojë për ndihmën e njeriut. Mos kërcënoni Romën, kur ajo nuk ju kërcënon. Por shpallni lulftë ndaj kujtdo që mundohet të prishë harenë e popullit, dhe legjitimitetin e fronit.

Ju do të ndaloni çdo banor i cili ndodhet nën qeverisjen tuaj, që të mos bëhet as prift e as murg pa arritur moshën dyzet vjeçare. Për tu ushqyer nga puna e të tjerëve, duhet më parë që njeriu (mashkulli) të ketë kontribuar në mbështetjen e komunitetit, prej të cilit dëshiron të ndahet për të shijuar jetën e tij… Këta priftërinj dhe murgj duhet të ju ndihmojnë të mbroni kombin në kohë lufte, sepse në kohë paqeje po ky komb i ushqen pa i përdorur. Nëse Papa kundërshton, bindeni atë me butësi, dhe vetëm në qoftë se është e nevojshme përdorni shpatën… Një politikë e tillë do të ju pajtojë me dashurinë atërore të pasardhësve të tij, dhe do të bëheni shembull dhe lider për të gjithë mbretërit, të cilët frikacakë, të dobët, injorantë, budallenj, u uzurpohet nga Papa dhe ministrat e tyre, fuqia që Zoti u ka dhënë për të përhapur lumturinë e Kombeve, ku ata duhet të jenë zotërit dhe etërit.

Ky fjalim madhështor i Skenderbeut i bërë pak para vdekjes para princave, ambsadorëve, gjeneralëve dhe djalit të tij Gjonit 10 vjeç,  është marrë nga libri i autorit Stephan Zannowich, me titullin “ Le Grand Castriotto d’Albanie, Histoire” të cilin e ka pubkikuar në janar të vitit 2016 Dars (Klos), Mat – Albania.

Indira Gandhi

Arsimimi i grave më i rëndësishëm se arsimimi i djemve dhe meshkujve
Nju Delhi,nëntor 1974

Një thënie e vjetër në sanskrisht thotë se gruaja është shtëpia dhe shtëpia është baza e shoqërisë. Është njësoj sikur ndërtojmë shtëpinë tona duke ndërtuar  vendin tonë. Nëse shtëpia jonë është e papërshtatshme, qoftë e papërshtatshme në të mira materiale dhe gjëra të nevojshme, atëherë ai vend nuk mund të ketë harmoni dhe asnjë vend që nuk ka harmoni nuk mund të rritet në asnjë drejtim.
Ja përse arsimimi i gruas është më i rëndësishëm se arsimimi i burrave dhe djemve. Ne, dhe me fjalën “ne” nuk dua të them vetëm ne në Indi, por të gjithë botën, kemi neglizhuar arsimimin e gruas. Kur isha fëmijë, gratë sapo fillonin të arsimoheshin në Angli. Të gjithëve u kujtohej se çfarë kishte ndodhur gjatë ditëve të hershme.
Tani, ne kemi arsimim dhe në të gjithë vendin po debatohet nëse ky arsimim është i përshtatshëm për nevojat e shoqërisë apo për nevojat e të rinjve tanë. Unë jam njëra prej tyre që gjithmonë beson se arsimimi duhet rishqyrtuar. Por në të njëjtën kohë, mendoj se jo gjithçka në arsimimin tonë është e gabuar, madje dhe arsimimi i tanishëm ka nxjerrë burra dhe gra të mira, veçanërisht shkencëtarë dhe ekspertë në fusha të ndryshme, të cilët kërkohen në të gjithë botën dhe madje dhe në vendet më të begata. Shumë prej të rinjve tanë na lënë dhe shkojnë jashtë për shkak të pagave më të mëdha, të kushteve më të mira në punë.

Një nga përgjegjësitë më të mëdha të grave të arsimuara sot është mënyra si sintetizohet ajo që ka pasur vlerë dhe është e çmuar në traditat tona të lashta, me atë që është e mirë dhe e vlefshme në shoqërinë moderne. Jo gjithçka që është moderne është po kaq e mirë, dhe jo gjithçka që është e vjetër është ose e mirë ose e keqe. Duhet të vendosim, jo njëherë e mirë, por gati çdo javë, çdo muaj për të mirat dhe vlerat e vendit tonë, dhe se cilat janë disa nga gjërat e vjetra që mund të ruajmë për të pasuruar shoqërinë tonë. Për të qenë modernë, disa njerëz mendojnë se është një mënyrë e të veshuri apo një mënyrë e të foluri apo disa zakone apo tradita, por kjo nuk është ajo që fjala “modern” do të thotë. Ajo është një pjesë sipërfaqësore e modernizmit.

Tani, që India të bëhet ajo që ne duam të bëhet, me një shoqëri moderne, të arsyeshme dhe një bazë të fortë në traditat tona të lashta dhe në tokën tonë, duhet të kemi një forum publik, me gra të reja të cilat nuk janë të kënaqura duke pranuar gjithçka që vjen nga çdo pjesë e botës, por janë të gatshme ta dëgjojnë atë, ta analizojnë dhe të vendosin nëse duhet pranuar apo duhet hedhur dhe ky është ai tip arsimimi që duam, i cili i aftëson të rinjtë të përshtaten me këtë botë gjithnjë e në rritje dhe të jenë në gjendje të kontribuojnë për të.
Disa njerëz mendojnë se vetëm duke pasur punë të mira po bëjnë diçka të rëndësishme. Por ne të gjithë e dimë mirë se edhe makineria më komplekse do të ishte infektive nëse një kaçavidë e vogël nuk punon ashtu siç duhet të punojë dhe se ajo kaçavidë e vogël është po aq e rëndësishme sa dhe pjesa më e madhe. Po kështu ndodh edhe në jetën kombëtare. Nuk ka asnjë punë të vogël; nuk ka asnjë person të vogël. Gjithkush ka diçka për të bërë. Dhe nëse ai apo ajo e bën mirë, atëherë vendi do të shkojë në drejtimin e duhur.
Kjo tregon se sa bukur është balancuar bota kur gjithkush ka diçka për të bërë. Gjithçka, qoftë e pisët apo e vogël ka një qëllim.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco