Nis sot edicioni i 70-të i Eurovision Song Contest, me gjysmëfinalen e parë në kryeqytetin austriak në Wiener Stadthalle, ku 15 vende do të garojnë për një vend në finalen e madhe të së shtunës. Organizatori i këtij viti është Austria, pas fitores së këngëtarit JJ në Eurovision 2025 me këngën “Wasted Love”.
15 vendet pjesëmarrëse në gjysmëfinalen e parë janë: Moldavia, Suedia, Kroacia, Greqia, Portugalia, Gjeorgjia, Finlanda, Mali i Zi, Estonia, Izraeli, Belgjika, Lituania, San Marino, Polonia dhe Serbia. Dhe dy vendet e tjera, konkretisht Gjermania dhe Italia, kualifikohen automatikisht për finalen dhe do të performojnë e do të votojnë gjatë këtij spektakli.
Shqipëria së bashku me 14 vende të tjera, sikurse Bullgarinë, Azerbajxhanin, Rumaninë, Luksemburgun, Çekinë, Armeninë, Zvicrën, Qipron, Letoninë, Danimarkën, Australinë, Ukrainën, Shqipërinë, Maltën dhe Norvegjinë marrin pjesë në gjysmëfinalen e dytë që do të zhvillohet të enjten, më 14 maj.
Ndërsa Austria, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar (që kalojnë direkt në finale) gjithashtu do të performojnë dhe votojnë gjatë shfaqjes.
“Nan”
Shqipëria përfaqësohet nga Alis me këngën “Nan” e cila sjell një mesazh të fuqishëm mbi nënën.
Si votohet
“Nëse janë pjesë e vendeve që janë pjesëmarrëse të Eurovizionit, mjafton numri 13 që është kënga përfaqësuese e Alis dhe gjithashtu kodet e vendeve të tyre. Ndërsa nëse janë nga vende të tjera që nuk janë pjesë e Eurovizionit, ata mund të votojnë më datë 14 për këngën e Alis gjatë gjithë ditës më datë 14. Nuk do të mund të votojnë në momentin që transmetohet drejtpërdrejt spektakli i Eurovizionit dhe do të mund të votojnë edhe pak minuta pasi kënga e Alis dhe pasi vetë spektakli të ketë përfunduar.
Në Finalen e Madhe, votimi do të hapet pak para se të interpretohet kënga e parë. Do të qëndrojë i hapur gjatë të gjitha performancave dhe për afërsisht 40 minuta pasi të jetë interpretuar kënga e fundit. Mund të votoni me telefon, SMS ose në esc.vote varësisht nga vendi ku ndodheni, dhe mund të votoni deri në 10 herë.
Nëse ndodheni në një vend jo pjesëmarrës, dritarja e votimit do të hapet në mesnatë para çdo gjysmëfinaleje dhe do të qëndrojë e hapur deri në fillimin e shfaqjeve live. Votimi më pas ndërpritet ndërsa artistët performojnë dhe do të rihapet pas këngës së fundit. Më pas do të keni pak më pak se 20 minuta për të hedhur 10 votat tuaja.
Kalendari i netëve
Sonte, 12 maj: Gjysmëfinalja e parë – 15 këngëtarë, 10 kualifikohen për finalen e shtunës.
E enjte, 14 maj: Gjysmëfinalja e dytë – performanca e Alis dhe 14 artistëve të tjerë, 10 prej tyre kualifikohen për finalen.
E shtunë, 16 maj: Finalja e madhe – performancat e të gjithë finalistëve, përfshirë vendet që kualifikohen automatikisht dhe fituesin e gjysmëfinaleve.
© SYRI.net