Rona e ka seriozisht, prapë kërkon pasaportën shqiptare për kosovarët

Rona e ka seriozisht, prapë kërkon pasaportën shqiptare për kosovarët

15:37, 27/04/2021

Rona apelon që qytetarët e Kosovës të kenë të drejtë të posedimit të pasaportës shqiptare.

Këngëtarja Rona Nishliu ka bërë thirrje edhe një herë lidhur me çështjen e pasaportës shqiptare.

E gjithë kjo erdhi pas hapjes së debatit se a duhet të votojnë kosovarët në zgjedhje në Shqipëri, vetëm pse posedojnë pasaportë shqiptare.

Me anë të postimit të fundit, Rona Nishliu thotë se sa më shumë shqiptarë me pastaportë, aq më e fortë Shqipëria.

Ajo bën thirrje që ta kërkojnë me ngulm pasaportën, ngase kjo gjë nuk të bën më pak kosovar.

Statusi i saj:

“- Është njerëzore të mos ndihesh pjesë e një kombësie e të jetosh si qytetar i planetit! Por si do të udhëtosh?

– Është njerëzore të ndihesh kosovar, por nuk mund ta mohosh se je shqiptar, të pëlqeu apo jo.
– Është njerëzore të jesh shqiptar nga Mitrovica, Tuzi, Medvegja, Prespa, Amerika, e prapëseprapë ta duash një pasaportë shqiptare.
– Është njerëzore të jesh kosovar dhe të marrësh pasaportë serbe në Graçanicë, sepse ke nevojë të udhëtosh për hall a për lezet.
– Pse nuk qenka njerëzore të pajisesh me dokumentin që të takon si shqiptar, e sidomos pse duhet lidhur kjo e drejtë me ciklet politike?
– Është tendencioze të mohosh sakrificën, gjakun dhe flijimin e çdo shqiptari ndër shekuj për këtë ditë.
– Sa më shumë shqiptarë me pasaportë, aq më e fortë shqiptaria.
– Sa më të fortë shqiptarët aq më e fortë Kosova, e pavarur, me Mitrovicën si dikur  [🙂] , me ulëse në OKB, anëtare e BE-së dhe NATO-s.
– Sa më të dobët shqiptarët aq më e brishtë Kosova jonë e izoluar dhe e paintegruar, fati i së cilës ndërron si humori i fuqive të mëdha dhe pesha e tyre për momentin.
– Pallavrat e “analistëve të fejsbukut” që duan të na përçajnë, janë i njëjti refren i vjetër e i lodhur, por në formate të reja, i atyre që nuk janë krenarë për asgjë, prandaj janë gati për çdo gjë.
– Prandaj, të dashurit e mi, mos t’ju vijë turp pse jeni shqiptarë, dhe mos hezitoni ta kërkoni pasaportën që ju takon; sidomos shtetasve të Kosovës së izoluar që për hall a për lezet kanë vrapuar në radhë e kanë shpenzuar dhjetëra mijëra dinarë për pasaportat serbe. Mos t’ju vijë turp ta kërkoni pasaportën shqiptare.
Kërkojeni me ngulm, sepse kjo nuk të bën më pak kosovar!”.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco