Kosova e nis 2024-ën me rritje të çmimeve të konsumit

Kosova e nis 2024-ën me rritje të çmimeve të konsumit

21:15, 20/02/2024

Agjencia e Statistikave ka raportuar një rritje në indeksin e tërësishëm të harmonizuar të çmimeve të konsumit gjatë muajit janar të vitit 2024, me një mesatare prej 1.8 për qind krahasuar me muajin e janar të vitit 2023. Gjatë viteve të fundit, çmimet e mallrave në Kosovë qëndruan dukshëm më të larta krahasuar me mesataren e dekadës së fundit.

Sipas ASK, kjo rritje është shpjeguar kryesisht nga ngritja e çmimeve të konsumit në disa prej kategorive të identifikuara nga grupet dhe nëngrupet e COICOP-it.

Ndër këto kategori, të cilat kanë një ndikim të rëndësishëm në indeksin e çmimeve, përfshihen pemët, peshku, perimet, energjia elektrike, gaz dhe lëndë djegëse të tjera, mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake, sheqeri, reçeli, mjalta, çokollata dhe ëmbëlsirat, etj.

Viteve të fundit, Kosova përjetoi rritje eksponenciale të inflacionit. Në mesin e vitit 2022, norma e inflacionit mujor krahsuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak arriti në 14.1 për qind.

Fleksibiliteti i qeverisë për të reduktuar efektet e inflacionit në rritje, i cili u përkeqësua nga konflikti në Ukrainë, u konsiderua shumë minimal në shumë raporte ndërkombëtare.

Për këtë, shpeshherë qeveria fajësoi opozitën, të cilën e kritikoi se ka dërguar Ligjin për çmimet tavan në Gjykatën Kushtetuese.

Në fund të vitit 2023, Kushtetueja e rrëzoi këtë ligj, me arsyetimin se nuk ishte në përputhje me Parimet e Përgjithshme të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Nga ana tjetër, Banka Botërore kishte theksuar se vazhdimi i presioneve të çmimeve të energjisë dhe ushqimeve po “gërryente” të ardhurat e shtresave më të varfra të shoqërisë, të cilët shpenzojnë një pjesë më të madhe të buxhetit të tyre për këto nevoja.

Problemet e zinxhirit të furnizimit dhe të transportit, si dhe paqëndrueshmëria e shtuar dhe rritja e çmimeve të energjisë, ushqimeve dhe mallrave, janë konsideruar si faktorët kryesorë në rritjen globale të çmimeve nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.

Madje, kreditori ndërkombëtar paralajmëroi se çmimet mund të jenë edhe më të larta dhe më të paparashikueshme se sa pritej në rast të një konflikti të zgjatur ose sanksioneve të reja kundër Rusisë.


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco