Kosova vazhdon të ketë deficitin më të madh në shkëmbimet tregtare me botën e jashtme. Vlera më e lartë e eksporteve gjatë periudhës së pasluftës është regjistruar në vitin 2022, me 920 milionë euro, apo 17 për qind të mbulimit të importit me eksport. Por kjo përqindje ka rënë gjatë vitit të kaluar në rreth 15 për qind, thotë kryetari i Shoqatës së eksportuesve të Kosovës, Nexhat Hasani.
Eksportet e Kosovës kanë pasur trend rritës nga viti në vit, por deficiti tregtar ende është shumë i lartë. Vlera më e madhe e eksporteve gjatë periudhës së pasluftës është regjistruar në vitin 2022, kur mbulimi i importit me eksport kishte arritur në 17 për qind, thotë Nexhat Hasani, kryetar i Shoqatës së eksportuesve të Kosovës.
“Vlera e importeve në vitin 2022 ka qenë 5 miliardë e 600 milionë, ndërkaq kemi pasur eksporte 920 milionë, kështu që me afërsisht 17 për qind i kemi mbuluar importet. Fatkeqësisht gjatë vitit të kaluar kemi pasur rënie, nga 920 milionë në vitin 2022, në rreth 810 milionë gjatë vitit 2023”, thotë Hasani për Radio Kosovën.
Sipas tij, në ecurinë e eksporteve të Kosovës, e sidomos në uljen e tyre gjatë vitit të kaluar, kanë ndikuar krizat globale, por edhe mungesa e një strategjie jo vetëm për eksporte, por në përgjithësi për zhvillimin ekonomik.
Ai thekson se qeveria duhet të mbështesë kompanitë eksportuese pasi është praktikë e njohur edhe në vendet tjera.
“Turqia cdo produket që eksportohet e stimulon prej 10-20 për qind, Maqedonia për eksporte për prodhues vendorë, 3-5 vite i liron nga të gjitha taksat, Serbia e bën të njëjtën gjë, te ne nuk kemi asnjë ndryshim. Duhet të mëndojnë institucionet tona më shumë për këtë cështje”, tha ai.
Pjesëmarrjen më të madhe në strukturën e eksporteve e kanë industria metalike dhe ajo e drurit, sektori i ushqimeve dhe pijeve dhe mallrat tjera. Një rritje të madhe të eksporteve viteve të fundit e kanë shënuar shërbimet e internetit dhe telekomunikimeve, thekson Hasani.
Sipas tij, rreth 30 për qind e mallrave eksportohen në vendet e BE-së, rreth 35 për qind në vendet e CEFTË-s kurse pjesa tjetër në vendet tjera, duke përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
© SYRI.net