ATK lanson tri shërbime të reja elektronike për tatimpagues

ATK lanson tri shërbime të reja elektronike për tatimpagues

13:31, 14/12/2023

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), e mbështetur nga Programi i USAID për Qeverisje Ekonomike në Kosovë, ka lansuar tri shërbime të reja elektronike për tatimpagues.

Sipas një komunikate të ATK-së, shërbimet e lansuara janë: Udhëzuesi interaktiv tatimor, kalkulatorët tatimor, si dhe sistemi për denoncimin e parregullsive tatimore.

“Këto shërbime elektronike do t’u ndihmojnë tatimpaguesve që të përmirësojnë të kuptuarit e përmbushjes tatimore, të bëjnë vlerësimin e obligimeve tatimore, si dhe të raportojnë evazionin dhe parregullsitë tatimore në mënyrë elektronike”, thuhet në komunikatë.

Sipas njoftimit të ATK-së, në këtë ngjarje mori pjesë zv. Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Avni Zogiani, i cili u shpreh shumë i kënaqur me shërbimet e ofruara për tatimpagues deri më tani. Ai shtoi se tri shërbimet e reja do të mundësojnë përfshirjen e sa më shumë tatimpaguesve nën ombrellën e sistemit tatimor.

Kurse, gjatë fjalimit të tij, zv. Drejtori Ekzekutiv i ATK-së, Ilir Murtezaj, vlerësoi mbështetjen e dhënë nga USAID në ngritjen e kapaciteteve të ATK-së, që nga themelimi i këtij institucioni.

“Murtezaj theksoi se përkundër vështirësive, ATK-ja vazhdon të shtojë numrin e tatimpaguesve, të rris kualitetin dhe të zgjerojë gamën e shërbimeve për tatimpagues”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa, Drejtori i Zyrës për Rritje Ekonomike në USAID Kosovë, Alexander Albertine, gjatë fjalimit të tij tha se konsistenca e ATK-së në përmirësimin e shërbimeve për tatimpagues është shumë inkurajuese. Ai gjithashtu tha se USAID ka pasur kënaqësinë të jetë përkrah ATK-së në rrugën drejt përvetësimit të digjitalizimit, dhe përmirësimit të integritetit institucional të saj.

Gjatë kësaj ngjarje, përmes një paneli të diskutimit u fol edhe për transformimin digjital të ATK-së në përgjithësi, me theks të veçantë në ndikimin potencial të shërbimeve të reja elektronike për qytetarët.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco