DHTIK: Sektori më i prekur nga masat e BE-së është ai i energjisë

DHTIK: Sektori më i prekur nga masat e BE-së është ai i energjisë

22:37, 11/11/2023

Masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian të vendosuara ndaj Kosovës sipas Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, kanë goditur më së shumti sektorin e energjisë në vlerë rreth 75 milionë euro. Ndërkaq, nga projektet tjera që kanë qenë të destinuara për vendin, njohësit e fushës theksojnë se Kosova është duke humbur me dhjetëra miliona euro të tjera.

Si shkak i mos de-eskalimit të situatës në pjesën veriore të vendit, shtetet e bllokut evropian aplikuan masa ndëshkuese ndaj Kosovës në qershor të këtij viti.

Këto sanksione prekën ndjeshëm sferën e ekonomisë.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, përmes një përgjigjje elektronike rendit dëmet me ndarje sektoriale.

Ku veçmas tregon se sektori i energjisë është më “i godituri”.

“Si rezultat i vendosjes së sanksioneve nga Bashkimi Evropian janë paraqitur problemet me projektet zhvillimore, përfshirë këtu sektorin e bujqësisë, tregtisë, promovimit të eksportit dhe sektorit të energjisë. Një nga sektorët më të prekur është sektori i energjisë, ku ndërprerja e projekteve të energjisë nga BE, konkretisht pakoja mbështetëse me 75 milion euro që është dashur të kaloj në subvencionimin e pakove të energjisë, subvencionim të qytetarëve në mbështetje, kursim dhe gjetje të mënyrave të prodhimit të energjisë në mënyrë efiçiente”, thonë nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë.

Ndërkohë, sipas profesorit të ekonomisë, Bashkim Mustafa projektet zhvillimore aktualisht po vazhdojnë në kuadër të mjeteve të bartura nga vitet e mëhershme.

“Nga fondet e IPA1, IPA2 dhe IPA3 që janë planifikuar të jenë për vendet e Ballkanit Perëndimor ka ngecje dhe nuk janë ekzekutu fondet nga BE-ja për organizatat buxhetore të vendit siç ka qenë në sektorin e energjisë, bujqësisë, ujërave dhe ambientit apo rregullimin e shtratave të lumenjve…Ka fonde të cilat janë bartur nga vitet e mëhershme të cilat janë duke u implementuar, por jo si rezultat i mjeteve apo planeve të vitit 2023”, bën të ditur Mustafa.

E krahas kësaj, kryetari i Asociacioni të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi tregon ndikimin e masave edhe në komunat e Kosovës.

“Çdo milion euro që nuk derdhet në nivelin lokal shkakton edhe pasoja. Për këtë arsyeje niveli lokal pëson nga masat e vendosura nga Bashkimi Evropian. Pra ka shumë fusha ku niveli lokal preket në mënyrë të drejtpërdrejtë…Komunat nëse i kanë planifikuar ato mjete, ato mjete nuk do ti marrin për shkak të masave. Dmth çdo mjet i cili është planifikuar e nuk shpenzohet shkon drejtpërdrejtë në dëmin e qytetarit”, deklaroi Ibrahimi.

Televizioni ka tentuar të marrë përgjigjje lidhur me këtë çështje edhe nga Ministria e Ekonomisë, por të njëjtit kanë qenë të paqasshëm.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco