Fondi Monetar Ndërkombëtar: Norma bazë e interesit duhet të rritet në 4.5 pikë për qind

Fondi Monetar Ndërkombëtar: Norma bazë e interesit duhet të rritet në 4.5 pikë për qind

08:20, 06/11/2023

Banka e Shqipërisë rriti javën e kaluar normën e interesit bazë me 0.25 pikë përqindje, duke e çuar në 3.25%.

Që nga marsi i vitit 2022, kur filloi shtrëngimi i politikës monetare si një mekanizëm për të luftuar inflacionit, Banka e Shqipërisë e ka rritur normën bazë 6 herë nga niveli minimal historik që në fillim të 2022-it ishte 0.5%.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha se presionet e larta inflacioniste nga ekonomia e brendshme mbeten një faktor rreziku për stabilitetin e çmimeve në vend dhe se balanca e rreziqeve ndaj inflacionit është zhvendosur për lart.

Rritja e normave të interesit pritet të vijojë. Misioni i Fondi Monetar Ndërkombëtar gjatë vizitës së fundit në vendin tonë i ka rekomanduar Bankës së Shqipërisë të çojë normën bazë të interesit në 4.5 pike % nga 3 pikë për qind që është aktualisht, në mënyrë që të arrihet objektivi i inflacionit 3%.

“Me rritjen e presioneve të brendshme inflacioniste, në kushtet e shtrëngimit të tregut të punës dhe me normat reale të interesit ende negative, ka hapësira për rritje të mëtejshme të normës bazë.

Një rritje graduale e normës bazë drejt një pozicioni neutral, vlerësuar në rreth 4.5 për qind, do të ndihmonte kthimin e inflacionit në objektivin e synuar në fillim të 2025” tha FMN në deklaratën zyrtare pas inspektimeve gati dy javore në institucionet fiskale dhe monetare të vendit.

Fondi arsyetoi se megjithëse ka pasiguri në lidhje me ecurinë e inflacioni, duhet një qasje më elastike që lejon vendimmarrje për rritjen e normës bazë të interesit takim pas takimi.

Pas një rritjeje prej 2.5 në 3 për qind, Banka e Shqipërisë në mënyrë të drejtë ndaloi rritjen e normës bazë në mars, pasi inflacioni nisi rënien, por problematikat që po hasen në prodhimin vendas duket se do të rikthejnë presionin mbi çmimet, ndaj sipas Fondit normat e interesit duhet të lëvizin për lart.

Banka e Shqipërisë, nga ana saj, ka shpjeguar se forcimi i shpejtë i lekut gjatë këtij viti ka pasqyruar një tepricë konstante valute në tregun e brendshëm, si pasojë e rritjes së shpejtë dhe të fortë të turizmit, investimeve të huaja direkte dhe remitancave.

Ky faktor ka mundësuar të mbahet një nivel më i ulët ti normës bazë të interesit, duke i ofruar ekonomisë shqiptare kosto më të ulëta financimi dhe duke lehtësuar barrën financiare mbi kredimarrësit.

Pas një tendencë rënëse deri në maj 2023, inflacioni nisi të rritet sërish në shtator, duke arritur ne 4.1% nga 4% që ishte në gusht./Monitor

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco