Të reflektohet mbi zhvillimet demografike e kërkesat e punëdhënësve

Të reflektohet mbi zhvillimet demografike e kërkesat e punëdhënësve

14:54, 24/10/2023

Nën udhëheqjen e kryetarit të Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, Ardian Gola, sot u mbajt mbledhja e radhës e këtij komisioni.

Gjatë kësaj mbledhjeje anëtarët e Komisionit diskutuan një dokument të përbashkët me partnerë zhvillimorë dhe donatorë, në lidhje me reformën në arsim dhe aftësim profesional.

Përkitazi më këtë përfaqësuesit e GIZ-it folën për rishikimin e Ligjit për arsim dhe aftësim profesional, forcimin e Agjencisë për Arsim dhe Aftësim Profesional (AAP), përmirësimin e autonomisë menaxheriale dhe financiare të shkollave të AAP-së, si dhe mënyrën e rritjes së cilësisë në arsim. Po ashtu, u diskutua edhe për numrin e vogël të shkollave të arsimit për aftësim profesional.

Krahas kësaj, u tha se duhet të reflektohet mbi zhvillimet demografike dhe kërkesat e punëdhënësve, në mënyrë që të bëhet një riorganizim kombëtar i rrjetit të institucioneve të AAP-së si dhe profileve. Gjithashtu, u përmend edhe përfshirja dhe bashkëpunimi i kufizuar me sektorin privat dhe me ç‘rast u sugjerua krijimi i mekanizmave dhe strukturave që nxisin bashkëpunim me kompanitë dhe komunitetin e biznesit, vlerësimin e përbashkët dhe ofrimin e mundësive të mësimit në vendin e punës. Ndërkaq, theks i veçantë u vu tek shpërputhja e shkathtësive dhe kualifikimeve tek të diplomuarve të AAP-së dhe nevojave të tregut të punës.

Më pas, u theksua hartimi i kornizës kombëtare të kurrikulës së AAP-së, e cila sipas tyre është e harmonizuar me standardet evropiane dhe dukshëm rrit  pjesën e lëndëve profesionale dhe inkorporimin e aftësive digjitale, të gjelbra e sipërmarrëse.

Anëtarët e Komisionit shtruan pyetje dhe ngritën shumë çështje lidhur me reformën e sektorit të AAP-së, si dhe kërkuan praktikat më të mira nga përvojat e shteteve tjera që kanë histori në këtë fushë.

Kryetari Gola falënderoi përfaqësuesit e GIZ-it për bashkëpunimin, gatishmërinë dhe profesionalizmin e treguar përgjatë gjithë viteve në sektorin e arsimit në vendin tonë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco