Kurti: Investimet në digjitalizim dhe siguri kibernetike kalojnë mbi 80 milionë euro deri në 2025

Kurti: Investimet në digjitalizim dhe siguri kibernetike kalojnë mbi 80 milionë euro deri në 2025

13:45, 13/10/2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se deri në fund të vitit 2025, investimet në e-qeverisje, e-shëndet, digjitalizim në arsim dhe siguri kibernetike në Kosovë do të kalojnë vlerën e 80 milionë euro.

Këto komente Kurti i bëri gjatë hapjes së edicionit të 12-të të Festivalit të Teknologjisë “KosICT”, organizuar nga Shoqata e Teknologjisë, Informacionit dhe Komunikimit në Kosovë (STIKK), me temën qendrore “Zbuloni kufijtë e rinj”.

Duke e cilësuar festivalin “KosICT” një dëshmi të rëndësisë së madhe që ka sektori i TIK-ut në vendin tonë, kryeministri Kurti në këtë hapje nënvizoi se digjitalizimi mbetet prioritet i lartë i Qeverisë së Republikës së Kosovës.

“Deri në fund të vitit 2025, investimet në e-qeverisje, e-shëndet, digjitalizim në arsim dhe siguri kibernetike në Kosovë do të kalojnë vlerën e 80 milionë euro. Në bazë të dokumenteve strategjike që kemi plotësuar, deri në vitin 2027 kjo shifër pritet të arrijë në 130 milionë euro”, tha kryeministri duke shtuar se këto investime përfaqësojnë përkushtimin tonë të palëkundur për të fuqizuar qytetarët dhe bizneset tona, për të nxitur inovacionin dhe për të siguruar që Kosova të kapërcejë në sferën e transformimit digjital.

Sipas tij, vetëm këtë javë, kanë kanë ndodhur disa momente të jashtëzakonshme në rrugëtimin drejt digjitalizimit, duke potencuar miratimin e Strategjisë së re të e-Qeverisjes 2023-2027, një nismë ambicioze që synon të transformojë ndjeshëm shërbimet publike, si dhe Strategjinë e re të Sigurisë Kibernetike 2023-2027, e cila trajton në mënyrë gjithëpërfshirëse të gjitha aspektet e sigurisë kibernetike

Sipas një komunikate të Qeverisë, një arritje tjetër të rëndësishme shënon edhe miratimi nga Qeveria i programit 5-vjeçar me Bankën Botërore, i titulluar “Forcimi i qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve”, i cili përfshin një kredi prej 18.5 milionë euro që do të financojë mbi 50% të aktiviteteve në planin 3-vjeçar të veprimit të Strategjisë sonë të re për E-Qeverisje.

“Në këtë sektor premtues, një gurthemel tjetër jetik është edhe programi 5-vjeçar i USAID-it, “Aktiviteti për e-Qeverisje në Kosovë”, me buxhet prej 10.9 milionë dollar, përderisa Qeveria dje miratoi edhe listën e profesionistëve të TIK-ut dhe sigurisë kibernetike të cilët do të kategorizohen si ekspertë përgjegjës për sistemet qeveritare me rëndësi strategjike, si dhe inauguroi Parkun e Teknologjisë Digjitale në Bërnicë me një investim prej 1.2 milionë euro”, tha ai.

Sivjet nga data 13 deri më 14 tetor, festivali “KosICT” do të mbajë aktivitete me diskutime, ide dhe mundësi për rrjetëzim, gjersa e gjitha do të sillet rreth tri temave kryesore: Inteligjenca Artificiale, Siguria Kibernetike dhe Transformimi Dixhital.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco