Kriza në Lindjen e Mesme, Malaj: Shqetësim nëse do të ketë rritje të çmimit të naftës deri në 110 dollarë

Kriza në Lindjen e Mesme, Malaj: Shqetësim nëse do të ketë rritje të çmimit të naftës deri në 110 dollarë

12:17, 11/10/2023

Z. Arben Malaj,  ish-ministër i Financave, tha sot se pas konfliktit të ri Palestinë – Izrael, më të rrezikshme janë valët e përhapjes së krizave ekonomike dhe se ai shpreson që konflikti nuk do të zgjerohet me vendet e tjera.

“Është shqetësim që do ta shohim në vijim nëse do të ketë një rritje të çmimit të naftës deri në 110 dollarë  siç parashikojnë ekspertët në qoftë se do të përhapet kriza, - tha ai sot në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV duke vënë në dukje se “një nivel i shitjes së naftës me 110 dollarë patjetër që do të krijojë presione inflacioniste mbi ekonominë globale”.

“Për shkak të globalizimit dhe për shkak të hapjes ekonomike, vendet tashmë janë të ndërlidhur me njeri-tjetrin, - shpjegoi z. Malaj, -  dhe kjo do të thotë që efektet negative ose pozitive kalojnë nga një vend në vendin tjetër por më të rrezikshme janë valët e përhapjes së krizave, sepse shpejtësia me të cilën ato përhapen, forca  me të cilën ato godasin ekonominë ose zhvillimet ekonomike është më e madhe.

Kështu që në këtë aspekt, duke pasur parasysh edhe faktin që energjia është një lëndë strategjike  (dhe unë shpresoj se situata do të mbahet e kontrolluar për shkak të të gjitha interesave që kanë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe partnerë të tjerë) por në qoftë se do të ketë rritje të çmimeve, patjetër që ajo do të prekë ekonominë globale; do të shohim problemet që do të ketë ekonomia evropiane, që akoma është duke menaxhuar krizën e saj të pandemisë dhe krizën me Rusinë aq sa Banka Qendrore Europiane vazhdon akoma që për të luftuar inflacionin e lartë, po e ngre koston e parasë në ekonomi.

Kështu që në këtë aspekt, rrisku teorik ekziston. Por le të shpresojmë shumë që konflikti nuk do të zgjerohet me vendet e tjera, ndonëse duket shumë i ashpër dhe shqetësim mbetet nga të dyja palët mbrojtja e civilëve të pafajshëm.

Është shqetësim që do ta shohim në vijim nëse do të ketë një rritje të çmimit të naftës deri në 110 dollarë  siç parashikojnë ekspertët në qoftë se do të përhapet kriza dhe një nivel i shitjes së naftës me 110 dollarë patjetër që do të krijojë presione inflacioniste mbi ekonominë globale, pa përjashtuar vende të tjera.”/ar.sh/SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco