Dështimi me formalizimin/ Rama kapet me ndërtuesin për çmimet dhe paralajmëron referencë edhe për hotelet

Dështimi me formalizimin/ Rama kapet me ndërtuesin për çmimet dhe paralajmëron referencë edhe për hotelet

11:13, 03/10/2023

Kryeministri Edi Rama në një diskutim me sipërmarrjen mbi nismën e re të qeverisë për një rishikim tërësor të procedurave administrative të biznesit, debatoi me një ndërtues lidhur me taksën 3% për banesat sociale.

Rama u përgjigj ashpër duke kërkuar nga ndërtuesit të shpjegojnë se pse i shesin apartamentet shtrenjtë dhe e deklarojnë shumë të ulët shifrën reale.

Rama tha se çmimi i referencës është vendosur në bazë të tregut dhe taksa 3% për strehimin social është minimale.

Kreu i qeverisë tha se e ka diskutuar me Bashkinë e Tiranës që ndërtuesit të paguajnë taksën aty ku ndërtojnë dhe jo në vend tjetër.

"Çfarë nuk kishit parashikuar ju, që shteti të thoshte që nuk mund të vazhdoni të deklaroni shitje shumë nën faktin? Këtë nuk kishit parashikuar ju, ju do gënjenit shtetin pa mbarim dhe do shisnit apartamente me 2 mijë euro dhe do i deklaronit me 850 euro. Këtë nuk kishit parashikuar ju dhe evazionin. Bashkitë duhet të ndërtojnë infrastruktura që ju s’keni ça merrni përsipër. Epo ju të shisni apartamente me 2 mijë, 3 mijë, 4 mijë, 5, 8 mijë euro dhe të deklaroni çmime që janë larg të vërtetës, kjo nuk mund të vazhdojë. Çmimet e referencës janë vënë mbi bazën e tregut. Është bërë një studim i tregut dhe iu është vënë detyrimi që të përgjigjeni në bazë reale. Sa doni të fitoni ju, ju doni të fitoni sa më shumë," tha Rama. 

Në takimin me sipërmarrjen, kryeministri Rama paralajmëroi dhe një caktimin e një çmimi reference për hotelet në bregdet.

Për kryeministrin, ulja e TVSH në turizëm nuk ka dhënë rezultat për formalizimin dhe për këtë arsye duhen marrë masa.

“TVSH për turizmin. Mirë bëmë që e ulëm. Por nuk na e dha rezultatin për më shumë formalizim. Tani ju mendoni që hotelet në breg të detit, dhe ne e dimë shumë mirë, mjafton të bësh disa sondazhe te drejtoria e taksave, për të kuptuar që tjetër janë taksat dhe tjetër ato që paguhen dhe tjetër është niveli i okupimit dhe ai që deklarohet. Kam pasur dy raste për miq që kanë ardhur nga jashtë që më është dashur të ndihmojë se nuk gjenin një dhomë për të prenotuar. Hotelet duhet të përgatiten që vitin e ardhshëm do të kenë një referencë. Kaq do t’ia japësh shtetit, se nuk ka mundësi tjetër. Ne kemi 1.1 mln turistë në shtator dhe me këtë trend mund të shkojmë 10 mln turistë këtë vit. Nuk kemi dashur të hyjmë Airbnb, pasi e kemi parë si një ndihmë për familjet”, u shpreh Rama.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco