Rekord i importit të produkteve serbe në Kosovë, opozita kërkon shpjegime nga kryeministri Kurti

Rekord i importit të produkteve serbe në Kosovë, opozita kërkon shpjegime nga kryeministri Kurti

22:26, 13/02/2023

Opozitarizmin e tyre, LDK dhe PDK vazhdojnë ta intensifikojnë duke theksuar disa premtime të kryeministrit Kurti që i kishte bërë kur po lobonte për vota gjatë fushatave zgjedhore. Kësaj radhe, këto dy parti janë ankuar për rritjen e shkallës së importit të produkteve serbe në Kosovë.

Në një klimë kur thirrjet për bojkotimin e produkteve me barkodin 860 janë rritur dukshëm, sipas LDK-së, nën qeverisjen e kryeministrit Kurti, është arritur rekord i importimit të këtyre produkteve në tregun e Kosovës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Përmes një postimi në Facebook, LDK potencoi se Kurti kishte premtuar reciprocitet me Serbinë, por që ka ndodhur e kundërta.

“Nga “Reciprociteti me Serbinë çështje ditësh”, në 371 milion euro import nga Serbia”, thuhet në reagimin e LDK-së, parti kjo e cila ditë më parë ka demantuar edhe shumë premtime të tjera të Kryeministrit, si ai për rritje të numrit të çerdheve, banesave për çiftet e reja dhe për energji të qëndrueshme e të lirë.

Në anën tjetër, nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ua rikujtoi qytetarëve rritjen e shkallës së importit, e bashkë me të edhe investimet kapitale zero.

“Rikujtim: Çmimet e produkteve esenciale janë dyfishuar, importet nga Serbia janë rritur si kurrë më parë, investimet kapitale zero, ama presioni i naltë”, shkroi shkurtimisht nënkryetarja e PDK-së në Facebook.

Kurti gjatë fushatës në zgjedhjet e 14 shkurtit kishte premtuar se do ta vendoste reciprocitetin me Serbinë. Madje, ai e kishte cilësuar një gjë të tillë si çështje ditësh apo javësh, por kurrsesi muajsh.

“Është çështje ditësh apo javësh e kurrsesi muajsh. Nuk e di se cila do të jetë sekuenca por është ndër gjërat e para që do ta bëjmë”, theksonte Kurti.

Mirëpo kryeministri Kurti, jo vetëm që s’ka vendosur reciprocitet për mallra me origjinë nga Serbia, por që as nuk flet për bojkotimin e këtyre produkteve.

Vitin e kaluar, nga Serbia janë importuar mallra në vlerë prej 370 milionë euro. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco