Kosova ka humbur çdo vit nga tregu i zi, mbi 800 milionë euro

Kosova ka humbur çdo vit nga tregu i zi, mbi 800 milionë euro

07:31, 06/01/2022

Pse është kaq i lartë informaliteti apo tregtia e zezë në Kosovë? A e uli qeveria Kurti shkallën e informalitetit?Prof.Dr.Limani: Ky fenomen është prezent kryesisht në pjesën veriore të Kosovës

Informaliteti dhe tregtia e zezë mbeten nga temat më të përfolura në fushën e ekonomisë.

Mosarritja e zvogëlimit të tyre po vazhdon të ndikoj në vazhdimësi tek buxheti i vendit.

Një nga faktorët që po ndikon në rritje të informalitetit është se numri i madh i bizneseve në Kosovë vazhdojnë të mos jenë të fiskalizuara, e që për pasojë shkalla e informalitetit në Kosovë mbetet e lartë.

Mirëpo, edhe një nga faktorët ndikues në informalitet është se Kosova vazhdon të jetë vend në tranzicion.

Në Kosovë, në veçanti, ndërtimi i institucioneve filloi nga e para pas përfundimit të luftës, e cila nga ana tjetër ndikoi në nivelin e lartë të informalitetit dhe rrjedhimisht në të ardhurat tatimore që përbëjnë burimin kryesor të financave për qeverinë.

Të dhënat nga një studim i bërë, vënë në pah se informaliteti është më shumë i pranishëm tek ndërmarrjet e vogla, se sa tek ndërmarrjet e mëdha.

Për ndikimin e informalitetit apo tregtisë së zezë në Kosovë kanë folur profesorë të ekonomisë si dhe kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve.

Ata u shprehën se tregtia e zezë vazhdon të jetë një ndikues negativë për buxhetin e Kosovës.

Limani: Qeveria e Kosovës të angazhoj organet përgjegjëse të minimizoj informalitetin

Në lidhje me këtë temë, profesori i Ekonomisë, Musa Limani  thotë që ekonomia informale apo tregu i zi është prezent në Kosovë.

Sipas tij ajo bënë pjesë në vendin tonë me 30-40% në BPV dhe se marrja e masave nga organet përgjegjëse, është një zvogëlim.

“Ekonomia informale apo si quhet tregu i zi, në tërë periudhën e pas çlirimit ishte shumë prezent në Kosovë. Në formën që bëhet qarkullimi i mallrave nëpërmjet tregut zi, që në vete nënkupton ikjen e obligimeve të politikës fiskale, është vështirë të llogaritet. Mendohet se, në Kosovë ekonomia informale merrë pjesë 30-40% në BPV. Kohëve të fundit me marrjen e masave më rigoroze të organeve përgjegjëse, është ardhur deri te një zvogëlim i dukshëm i kësaj forme të qarkullimit të mallrave”, u shpreh ai.

Nëse llogaritet se BPV-ja për vitin 2020 ishte 7 miliardë euro, atëherë rezulton se ekonomia informale, me 30 %, e shprehur në euro, do të rezultonte 2.1 miliardë euro, ndërsa me 40%, maksimalisht, humbja ekonomike është rreth 2.8 miliardë në vit, aq sa edhe është miratuar buxheti për këtë vit.

BPV-ja apo Bruto Produkti Kombëtar (vendor), për vitin 2021 pritet të jetë mbi 7 miliardë euro, pasi të dhënat për 2 tremujorët e fundit në faqen e BQK-së, nuk janë paraqitur ende.

Profesori më tej thekson që për të ndaluar këtë fenomen duhet Qeveria e Kosovës nëpërmjet organeve përgjegjëse të merr masa për të shtuar kontrollin në vendet ku ka qarkullim të mallrave.

“S'ka dyshim se me këtë rast janë rritur edhe të hyrat buxhetore të Kosovës. Ndonëse edhe më tej ekonomia informale është mjaft aktive në Kosovë. Andaj për të ndaluar këtë fenomen, që shprehet negativisht në të hyrat buxhetore dhe në përmbushjen e nevojave të përgjithshme dhe të përbashkëta të qytetarëve. Qeveria e Kosovës nëpërmjet organeve duhet shtuar kontrollin për të ndalur këtë fenomen mjaft të dëmshëm në qarkullimin e mallrave. Ky fenomen është prezent kryesisht në pjesën veriore të Kosovës, të cilin nuk e bëjnë vetëm serbët, por edhe shqiptarët”, thotë profesori Musa Limani.

ImageAgim ShahiniFOTO GALERI
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini,  thotë që informaliteti në Kosovë po vazhdon të jetë në një situatë të njëjtë që nga pavarësia e këndej.

Ai thekson që sikur të mos kishim informalitet do të kishim 30% rritje të buxhetit.

“Informaliteti në Kosovë është në shkallen e ngjashme që nga pavarësia e këndej, diku rreth 30 deri 35 % herë-herë më i lartë, e herë-herë më i vogël, varësisht prej kërkesave prej krizave ekonomike dhe produkteve, ajo mund edhe të rritet. Por kjo përqindje mbi 30% është e lartë dhe kjo është dëmi më i madhë që mund t’i bëhet ekonomike legale, formale, por edhe buxhetit. Do të thotë ne sikur mos të kishim këtë informalitetit, do të kishim diku rreth mbi 30% buxhetit më të madhë të mbledhur nga produktet dhe aktivitet ekonomike që zhvillohen në mënyrë formale”, thotë kryetari i Aleancës.

Më tej, Shahini shprehet se nga 30-35%, 97-98% hyjnë pa u vërejtur kurse 1 ose 2% sot produkte apo njerëz kapen duke kontrabanduar.

“Se sa luftohet informaliteti në Kosovë, mund të themi që secili institucion që merret me luftën kundër informalitetit jep shpesh deklarata që po e jep maksimumin dhe se janë duke e luftuar informalitetin duke dhënë statistika dhe duke dhënë disa pamje kinse po e marrin nën kontroll disa pika ku vinë produktet nga shteti i Serbisë sidomos. Por, ajo që futet në Kosovë dhe publikohet në Kosovë është në kundërshtim me 98% karshi asaj që edhe konfiskohet apo në një formë e legalizojnë d.m.th. nga 30-35%, 97-98% hyjnë pa u vërejtur kurse 1 ose 2% ato produkte apo njerëz kapen duke kontrabanduar,” thekson Shahini.

Ndër të tjera, ai thotë se informaliteti është një gamë e madhe dhe përfshin shumë gjëra që mund ta dëmtojnë ekonominë e vendit.

“Informaliteti është një gamë e madhe, është punësimi informal, shërbimet informale, këtu futet edhe burokracia dhe korrupsioni dhe të gjitha këto hyjnë në konkurrencë jo të drejtë me bizneset dhe me operatorët ekonomik që kanë të bëjnë me ofrim të shërbimeve dhe produkteve karshi atyre biznese që paguajnë taksa”, thotë Shahini.

Nëse i referohemi Shahinit, i cili flet për humbje 30-35% të ekonomisë, por në nivel buxheti, atëherë rezulton se sikur të ishte në vlera minimale ekonomia informale, atëherë, do të kishim së paku edhe rreth 800 milionë euro më shumë në buxhet. Buxheti i miratuar për vitin 2022 është dy miliardë e 748 milionë euro.

Kadriaj: Qeveria e Kosovës të bashkëpunoj me faktorin ndërkombëtar për të shtuar kontrollimin në dogana

Ndërsa profesori tjetër i Ekonomisë, Mustafë Kadriaj, thotë se eliminimi i tregtisë së zezë në zero është i pamundur pasi Kosova është shtet demokratik.

Gjithashtu përderisa Kosova nuk ka kontroll të nivelit të plotë në dogana është ë vështirë të zvogëlohet tregtia e zezë.

“Eliminimi i tregtisë së zezë në zero është i pamundur, jo vetëm në Kosovë, por edhe në shtetet me demokraci të gjatë, por tentimi që të eliminohet në përqindje një shifrore do të ishte e mirëseardhur. Derisa në Kosovë ende nuk kontrollohen në nivel të plotë doganat sidomos veriu ende nuk mund të flasim për ulje të tregtisë së zezë”, potencon profesori.

Në fund, profesori thotë që Qeveria e Kosovës në koordinim me faktorin ndërkombëtar mund të fuqizohet, dhe ta rrisë kontrollin edhe në dogana.

“Çdo veprim i institucioneve është i mirëseardhur për buxhetin dhe shtetin e Kosovës duke fuqizuar arkën e shtetit, njëherazi favorizon konkurrencën e lirë. Pra, Qeveria Kosovës në koordinim me faktorin ndërkombëtar mund të fuqizojë doganat pasi është një e drejtë kushtetuese dhe është në harmoni me parimet e Organizatës së Tregtisë së Lirë”, përfundon Mustafë Kadriaj./Bota Sot

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco