Shkalla e punësimit në tremujorin e parë del të jetë 29.3 për qind në Kosovë

Shkalla e punësimit në tremujorin e parë del të jetë 29.3 për qind në Kosovë

17:18, 04/10/2021

Shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP) për tremujorin e parë 2021 është 29.3 për qind, ku punësimi me i lartë është te meshkujt 42.8%, ndërsa te femrat 15.9%, sipas raportit më të ri të publikuar sot nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 53.0%, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e ndërtimtarisë, tregtisë dhe prodhimit me 43.1% të tyre, thuhet në raport.

Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: tregtia me 16.8%; prodhimi me 12.4%; arsimi me 11.1%; dhe ndërtimtaria me 9.4%. Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim.

Sa i përket të të punësuarve me kontrata, del se 44.0% e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 56.0% kanë kontratë të përkohshme. Sipas rezultateve të AFP-së, në tremujorin e parë 2021, shkalla e papunësisë është 25.8%.

Papunësia më e theksuar është te femrat me 29.7%, krahasuar me meshkujt, 24.2%. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 48.6%.

Sipas rezultateve të AFP-së, në tremujorin e parë 2021, fuqia joaktive është mjaft e lartë, 60.5%, me fokus të veçantë te femrat me 77.3 %, krahasuar me meshkujt, 43.5%.

Për realizimin e AFP-së, TM1 2021, metodologjia dhe standardet e aplikuara nga ana e ASK-së janë të harmonizuara me rekomandimet e Eurostat-it.

Sipas rezultateve, dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune. Në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64 vjeçare.

Në kuadër të popullsisë në moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 39.5%.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco