Ahmetaj: Ekonomia në tremujorin e dytë shënoi rritjen më të lartë në rajon

Ahmetaj: Ekonomia në tremujorin e dytë shënoi rritjen më të lartë në rajon

14:26, 30/09/2021

Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj deklaroi sot se, ekonomia u rrit me gati 18% në tremujorin e dytë dhe sipas tij, vendi ka shënuar rritjen më të lartë në rajon.

“Kjo rritje zbut masivisht efektet tronditëse të pandemisë dhe hap një perspektivë shumë inkurajuese për mbylljen e vitit 2021 me shërimin e plotë të plagëve të vitit të shkuar në ekonomi”, tha ai gjatë një konferencë të përbashkët për shtyp me ministren e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj.

Sipas Ahmetaj, industria, tregtia dhe ndërtimi janë kontribuesit më kryesorë në rritjen e fortë të ekonomisë, duke konfirmuar përmirësimin e ndjeshëm të aktivitetit ekonomik, falë reformave, mirëqeverisjes ekonomike dhe rikthimit të të gjitha vendeve të humbura të punës vitin e kaluar

“Ndërtimi shënoi rritje me 41.6 %, që reflekton punën në infrastrukturë, ujësjellësa dhe rindërtimin pas tërmetit. Janë 3200 kantiere të rindërtimit dhe ka një transformim të zonave të dëmtuara nga tërmeti. Edhe industria nxjerrëse, uji, energjia shënuan rritje me 39 %, ndërsa hotelet dhe shërbimet që lidhen me turizmin shënuan rritje me rreth 31.8%”, deklaroi Ahmetaj.

Ahmetaj u shpreh se sinjali tjetër pozitiv vjen nga krahu i shpenzimeve.

“Politikat e qeverisë që kanë të bëjnë me menaxhimin e tërmetit e pandemisë dhanë efekt pozitiv në ekonomi. Konsumi final i popullatës që përfshin shpenzimet që bën familja apo aktorë të tjerë është rritur me 10 % krahasuar me një vit më parë“, tha ai.

Ahmetaj deklaroi po ashtu, se edhe biznesi ka rritur kapacitetet prodhuese dhe kjo lexohet nga të dhënat e formimit bruto të kapitalit.

“Formimi bruto i kapitalit fiks, që përfshin investimet që bëjnë sipërmarrjet për të rritur kapacitetet e prodhimit është rritur me 35.7 %. Performancë pozitive është parë edhe në eksportet sidomos shërbimet. Eksportet shënuan rritje me 130 %. Kjo tregon se janë rritur kapacitet prodhuese dhe konkurrueshmëria. Por edhe importi, që reflektohet te konsumi dhe kapacitetet prodhuese, pasi një pjesë e mirë e importit janë makineri dhe pajisje u rritën me 53.6%”, deklaroi ai.

Ahmetaj tha se u ndoq një politikë fiskale ekspansioniste për të akomoduar nevojat e lidhura me pandeminë në aspektin shëndetësor, por edhe në aspektin e nevojave familjare apo mbështetjes së sipërmarrjes.

“Një paketë gjithëpërfshirëse prej 80 miliardë lekësh ka qenë mbështetje e dedikuar për të zbutur efektet e pandemisë, ose 5 % e PBB-së”, deklaroi ai.

Ahmetaj shtoi se përmes pagave të luftës dhe instrumenteve të garancisë sovrane, u mbështetën gati gjysma e të punësuarve në sektorin privat në mbi 83,700 biznese.

“Dyfishuam ndihmën ekonomike në vitin 2020 dhe 2021, dyfishuam pagesën e papunësisë, garantuam rimbursimin e barnave të paketës për trajtimin e virusit, falëm kamatëvonesat e energjisë elektrike për mbi 210 mijë konsumatorë dhe riskeduluam deklarimet e bizneseve për vitin 2021”, tha ai.

Sipas tij, ndërhyrja e kujdesshme që u bë në ekonomi, shpërbleu mbrapsht.
“Në janar 2021 ne i rifituam të gjithë vendet e punës që u humbën për shkak të pandemisë. 692,468 të punësuar, nga rreth 686 mijë në janar 2020. Po kështu, rritja ekonomike siç e tregoi tremujori i pare dhe tremujori i dytë, po rikthehet në trajektore pozitive drejt objektivit tonë për një rritje mesatare vjetore prej mbi 4% në vitet e mandatit të tretë”, tha Ahmetaj.

Zv/kryeministri u shpreh se rimëkëmbja mbetet prioritet dhe se përmes një plani të detajuar të qeverisë do të shtohen vendet e punës.

“Rimëkëmbja siç e kemi theksuar, do të mbetet prioriteti kryesor për punën tonë, përmes një plani të detajuar të Rimëkëmbjes, do të krijojmë më shumë vende të reja pune duke mbështetur sektorët ekonomik më të prekur si turizmi, bizneset e transporti. 50 milionë euro do të jetë mbështetja për sipërmarrjet në sektorin e turizmit dhe manifakturës, si garanci për kreditim apo zgjatje të afatit të kredive ekzistuese, apo 5 milionë euro për sipërmarrjet në fushën e transportit, mbështetja për sipërmarrjet IT dhe start up-et e të rinjve etj”, deklaroi ai./atsh

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco