AKK-ja 'monitoron' bizneset për kurdisjen e çmimeve

AKK-ja 'monitoron' bizneset për kurdisjen e çmimeve

14:17, 16/07/2021

Në kuadër të përpjekjeve për të siguruar një konkurrencë të drejtë në tregun e Kosovës, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) në vazhdimësi monitoron sjelljen e operatorëve të cilët afarojnë në tregje të ndryshme në Kosovë. 

Sidoqoftë, një monitorim i tillë është veçanërisht i nevojshëm gjatë stinës së verës, për shkak të tendencës së disa sektorëve për të fiksuar çmimet e shërbimeve dhe produkteve të caktuara, në kohën kur mërgata është duke kaluar pushimet në vendin tonë.

Në këto rrethana, Autoriteti i Konkurrencës u bënë thirrje të gjithë operatorëve që ofrojnë shërbime dhe produkte të ndryshme në treg që të përmbahen nga praktika e arritjes së marrëveshjeve për ngritje të bashkërenduar të çmimeve, meqë një gjë e tillë cenon konkurrencën e ndershme në treg dhe sanksionohet me legjislacionin në fuqi. 

Fiksimi i çmimeve përmes praktikave të bashkërenduara është shkelje e rëndë e konkurrencës, meqë ua pamundëson qytetarëve të kenë llojshmëri të çmimeve për një produkt apo shërbim të caktuara. Për këtë arsye, edhe Ligji për Mbrojtjen e Konkurrencës parasheh gjoba të larta ndaj atyre që veprojnë jashtëligjshëm. 

Këtë thirrje publike, Autoriteti i Konkurrencës e bazon në mandatin e tij për të avokuar sa më gjerësisht për politikat e konkurrencës dhe vetëdijesimin e akterëve në treg për dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës. 

Siç ka qenë rasti edhe në të kaluarën, Autoriteti i Konkurrencës sërish fton të gjitha palët që t’i drejtohen AKK-së për çdo iniciativë, informatë, sqarim që ata mund të kenë të nevojshme lidhur me politikat e konkurrencës duke plotësuar paraqitjen e kërkesës në këtë vegëz: https://ak.rks-gov.net/.../files/Forma%20e%20KERKESES.pdf . 

Gjithashtu, AKK ka publikuar rishtazi 10 fletushka informative, të cilat ofrojnë informacione bazike lidhur me Ligjin dhe Politikat e konkurrencës, të cilat janë të qasshme në web faqen e AKK-së.
Autoriteti Kosovar i Konkurrencës

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco