Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore rëndon qytetarët, qeveria akoma në heshtje

Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore rëndon qytetarët, qeveria akoma në heshtje

13:11, 14/07/2021

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka treguar se indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit, tregon për rritje të çmimeve për 2.4 për qind në muajin qershor, krahasuar me qershorin e vitit të kaluar. Rritja e çmimeve padyshim që prek direkt xhepin e qytetarit, që është rënduar akoma më shumë nga pandemia COVID-19, ku shumë prej tyre kanë humbur punën apo kanë mbyllur bizneset. Syri.net Kosova sjell më poshtë versionet e fushave që merren pikërisht me furnizimin dhe shitjen e produkteve ushqimore dhe faktorëve që çuan në këtë rritje

Erdonit HOXHA

Në raftet e marketeve nuk e vërejnë shumë, por, kur shkojnë te arka, qytetarët zbehen, habitën e nervozohen kur shohin se sa duhet të paguajnë.

Kjo sepse, ditëve të fundit është vërejtur një rritje e çmimeve në produktet ushqimore, saktësisht në ato esencialet.

Në një prononcim për Syri.net Kosova, themeluesi i organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, ka treguar faktorët që kanë çuar në këtë rritje.

Ai tha se edhe ardhja e kurbetqarëve ka bërë që çmimet e gjërave ushqimore të lëvizin me rritje.

“Po edhe arsyeja e ardhjes së kurbetçarëve dhe të diasporës mund të jetë “motiv” për biznesmenët të cilët, disa, janë kartelizuar dhe tanimë kanë kapacitete më të forta e më të sofistikuara se shteti, apo se qytetari konsumator taksapagues. Ata janë edhe Brenda institucioneve të Shtetit e, disa zyrtarë institucionalë e politikanë i kanë bizneset e veta dhe ata bëjnë ‘loby’ për to e jo për shtetin as për qytetarin konsumator taksapagues” tha Kaçaniku.

Po ashtu, ai e renditi edhe festën e Kurban Bajramit, pushimet, berzën botërore, ndikimin e motit, ndryshimin e stinëve dhe ndryshimin e raporteve socio-ekonomike nga pandemia e COVID-19, si motive shtesë për t’i rritur çmimet.

Te kjo e fundit, Kaçaniku theksoi se rritja e çmimeve në këtë periudhë e rëndon edhe më shumë qytetarin, i cili nuk po ndihmohet as nga qeveria.

“Ndikimi ka filluar kaherë. Varfërimi i qytetarit konsumator taksapagues ka filluar që moti. Kemi reaguar e trumbetuar - në vesh të shurdhër. “Ushtrisë” prej rreth 30% qytetarë e familje konsumatorësh të varfër i janë  bashkangjitur edhe rreth 60.000 qytetarë që mbetën pa punë meqë vendet e tyre të punës i mbylli pandemia dhe Qeveria e cila po vepron me “shpejtësinë” e breshkës dhe me inercionin e intereseve grupore e personale?! Nëse këtij numri të të mbeturve pa punë ia shtojmë edhe anëtarët e familjes atëherë numri dhe përqindja e të varfëruarve / të falimentuarve do të rritej dukshëm. Në këtë kontekst, për të mbrojtur qytetarin konsumator taksapagues nga varfërimi i mëtejmë, për t ia mbrojtur xhepin dhe asetet, kemi kërkuar hartimin dhe zbatimin e menjëhershëm të një Strategjie të parandalimit dhe të menaxhimit të falimentimit të qytetarit konsumator taksapagues. Kjo, derisa të hartohet e të nis së zbatuari Ligji për parandalimin dhe menaxhimin e falimentimit. Qeveria qe 4 vite nuk dëgjon. Tani kriza është thelluar, sepse disa qytetarë konsumatorë pacientë kanë pasur kosto shërimi nga COVID 19 deri në 4.000 Euro. Qeveria po merret vetëm me bizneset e falimentuara e jo edhe me qytetarin e falimentuar taksapagues gjenerues kryesor i Buxhetit prej nga po rimbursohen edhe bizneset ligsht performuese nga aspekti fiskal” shtoi ai.

Miftar Kalaja, menaxher operacional i ‘Maxi’ market, në një prononcim për Syri.net Kosova tregoi se cilat ushqime janë rritur, sa i përket kostos.

“Janë ushqimet esenciale ato që kanë shënuar rritje, siç është industria e vajit. Për shembull, nëse një litër vaj dikur nga furnitori e kemi blerë 1 euro, tash po e blejmë 1.40 euro e normalisht që duhet shitur për shembull, 1.50 euro. Rritje ka vetëm te këto produkte, të cilat normal që janë esenciale pa të cilat nuk mund të jetojnë qytetarët” tha Kalaja.

Po ashtu, ai shtoi se në produkte tjera, për shembull siç çokollatat, nuk ka pasur rritje, pasi, nuk karakterizohen në produkte elementare ushqimore.

I pyetur se a ka pasur ankesa nga qytetarët, menaxheri tregoi se qytetarët kur po afrohen te arka dhe po e shohin faturën se sa iu është bërë, po reagojnë për rritje të çmimeve, por, sipas tij kjo nuk është për faj të marketit, por varet nga një sërë faktorësh të tjerë.

Kur jemi te qytetarët, Enver Sadiku, qytetar i Prishtinës, i tha Syri.net Kosova se po kanë problem që ta sigurojnë ushqimin deri në fund të muajit, e tash me rritjen e çmimeve, kjo gjë është bërë akoma më e vështirë, e pasojat do ndjehen edhe në të ardhmen.

“Është e papranueshme të ndodh kjo rritje e çmimeve, duke e pasur parasysh në çfarë situate gjendemi, nuk e di a po mendon qeveria me këto masat e reja te intervenoj edhe në këtë pjesë apo jo, se kjo është e papërballueshme për shumicën prej qytetarëve. Kanë mbetur shumë persona pa punë, në anën tjetër rritje e çmimeve, produktet elementare është bërë e vështirë të sigurohen deri në fund të muajit. Pasojat do te jene të mëdha në të ardhmen do te jemi dëshmitarë” tha ai.

Duke iu referuar të dhënave të ASK-së, rritje të çmimeve nuk ka pasur në sferat tjera ekonomike.

Syri.net Kosova ka kontaktuar edhe disa prej mobilshopëve, për t’i pyetur se a ka lëvizje në çmime për telefonat dhe aksesorët e tyre, por, ata kanë konfirmuar se nuk ka ndryshime që vlen të theksohen.

Nga ana tjetër, organizatat siç është ajo ‘Konsumatori’ që për qëllim ka mbrojtjen e konsumatorit tatimpagues, po deklarohen se nuk mund të reagojnë në këtë drejtim, pasi, është qeveria ajo që vendos për këtë pikë.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco