​OAK i del kundër ministrit Liburn Aliu

​OAK i del kundër ministrit Liburn Aliu

13:58, 01/07/2021

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) ka ngritur shqetësimin e saj ndaj paralajmërimeve se ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës Liburn Aliu do të merr vendim mbi moratoriumin për gurthyesit e ri dhe ata në procedurë për pëlqim mjedisor në periudhën qershor 2021 – qershor 2023.

Vendimi i propozuar për mos vazhdimin e licencave që skadojnë në qershor të këtij viti dhe mos pajisjes së gurthyesve të ri me leje përkatëse për të vazhduar me operimin e këtij sektori, është jashtëzakonisht shqetësuese për sektorin minerar duke marrë për bazë dëmet materiale pas investimeve të shumta në pajisje dhe makineri të cilat iu shkaktohen këtyre të fundit dhe humbjet e qindra vendeve të punës që janë të angazhuar në këtë sektor, thuhet në komunikatë.

Bizneset anëtare të OAK-së nga sektori minerar shprehen jashtëzakonisht të shqetësuara lidhur me vendimin i cili pritet të merret, ndërsa theksojnë se pezullimi i punës për një periudhë kohore për dy vjet edhe ashtu pas ballafaqimit me gjendjen pandemike në vend, do të jetë shumë i dëmshëm në të gjitha format.

Oda e Afarizmit të Kosovës kërkon nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës që paraprakisht të konsultohet me bizneset duke pasur parasysh se është pikërisht ky sektor i cili preket drejtpërsëdrejti nga një vendim i tillë.

Për më tepër, OAK sqaron se nuk është kundër dhënies së licencave të reja, por kërkon që një vendim i tillë të unifikohet me KPMM-në, që së pari ata të ndalojnë dhënien e licencave.

OAK vlerëson se mbrojtja e ambientit është jetike, por e tillë mbetet edhe operimin dhe funksionimi i biznesit dhe ekonomisë së vendit, andaj konsideron se mbajtja e një takimi të përbashkët me bizneset dhe vendosja e disa kritereve bazë të cilat do të mbronin natyrën dhe do të lejonin vazhdimin e punës së këtij sektori do të ishte zgjidhja ideale në të dyja rastet.

OAK fton edhe publikisht ministrin Aliu në takim së bashku me bizneset e këtij sektori.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco