Pse investitorët e huaj po hezitojnë të investojnë në Kosovë?

Pse investitorët e huaj po hezitojnë të investojnë në Kosovë?

11:33, 01/07/2021

Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare ka kryer anketë për klimën e biznesit dhe investimeve në Kosovë për vitin 2021.

Sipas njoftimit, anketimi është kryer nga 15 mars deri më 16 prill të këtij viti, ku janë përfshirë 1454 kompani në gjithë rajonin, 85 prej tyre ishin nga Kosova.

Në konferencën për prezantimin e raportit të dalë nga anketimi ka folur edhe Ministrja e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari. Ajo ka thënë se të gjithë e dinë se sa vështirë është të krijohet një klimë e shëndoshë të të bërit biznes, e sidomos në kohën e pandemisë.

 

Ajo ka shtuar se rritja e të hyrave nuk varet nga dogana por edhe nga bizneset që ndihmojnë ekonominë me pagesën e tatimeve e të tjera.

Hajdari tha se Qeveria po punon për të krijuar një ambient më të përshtatshëm për investitorët.

"Qeveria jonë është e vendosur të kërkojë e punojë për të gjetur një zgjidhje për të mundësuar sa më shumë investime. Do të zhvillojmë politika të shumta në këtë drejtim. Së bashku me këtë infrastruktura e tregtisë do të përmirësohet duke u mundësuar prodhuesve vendorë të shtrihen në rajon e më gjerë" shtoi Hajdari.

Ndërkaq, zëvendës ambasadori gjerman - Alex Voss tha se Kosova merr pjesë për të shtatën herë në këtë anketim.

“Shpresojmë që rezultatet, posaçërisht në Kosovë, t’i trajtojë qeveria dhe të shohin se çka presin bizneset nga ta. Ishte një dialog i ashpër mes odave ekonomike me qeverinë Kurti 1 por shpresojmë që kjo të ndryshojë, meqë diskutimi rrjedhi nga pandemia. Jam i befasuar me disa prej rezultateve sepse prisja që biznesmenët të jenë më të ashpër karshi qeverisë. Ata janë shumë të duruar", tha zëvendës ambasadori gjerman.

Raportin e ka prezantuar Sutrime Drevisholli, që po ashtu tha se rezultatet janë befasuese. Ajo shtoi se biznesmenët janë rezervuar kur kanë plotësuar anketat, shkaku i pandemisë.

Raporti gjen se brengë mbetet luftimi i krimit dhe korrupsionit.

"Kosova ka qëndrim më pozitiv për të ardhmen. 79% e kompanive deklaruan se do të investonin në Kosovë. E gjendjen e shohin si të keqe, e për perspektivë thonë se gjendja është e pandryshueshme", tha Drevisholli.

Problem, bazuar në këtë anketim për bizneset në Kosovë është edhe mungesa e punëtorëve të kualifikuar, ku vetëm 6% janë të kënaqur me disponueshmërine e punëtorëve të kualifikuar e 45% janë të pakënaqur me situatën. Përveç kësaj, 40% e kompanive presin nivel nuk presin të kthehen në nivelin e tyre të mëparshem të shitjeve që ishin para pandemisë. Dervisholli tutje tha se një pjesë e madhe e respodentëve kanë deklaruar se nuk janë të kënaqur edhe me sistemin tatimor në Kosovë e kërkohet veprim në drejtim të përmirësimeve nga ana e qeverisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco