Devollët tentojnë t'i japin goditjen e fundit Telekomit

Devollët tentojnë t'i japin goditjen e fundit Telekomit

19:46, 19/03/2021

25 milionë euro përmes Arbitrazhit Ndërkombëtar po i kërkon Blerim Devolli nga shteti i Kosovës, si dëmshpërblim që dy vjet më herët nuk i është vazhduar kontrata me Telekomin.

Për mbrojtjen ligjore, Ministria e Drejtësisë i ka përfunduar procedurat e përzgjedhjes së kompanisë që do ta përfaqësojë Kosovën kundër Dardafonit të Blerim Devollit.

Një gjë e tillë dëshmohet në dokumentet që ka siguruar KOHA.

“Squire Patton Bogs” është rekomanduar nga Komisioni vlerësues si fitues i tenderit. Vlera e ofertës së kësaj kompanie është mbi gjysmë milioni euro.

Përderisa kësaj radhe mund të paguhet nga Kosova për mbrojtje të interesave të Qeverisë, për aferën e kontratës së kompanisë Dardafon me Telekomin, vite më parë, kishte qenë e pozicionuar ndryshe.

EULEX-i në vitin 2011 pati ngritur aktakuzë ndaj vëllezërve Devolli e zyrtarëve të atëhershëm të Telekomit për marrëveshjen për Operatorin e Rrjetit Mobil Virtual (ORRMV) në mes të PTK-së dhe Dardafonit.

“Patton Bogs” përmes avokatëve të tyre në vitin 2013 ka mbrojtur vëllezërit Shkelqim e Blerim Devolli të cilët atëkohë nga EULEX-i akuzoheshin për mashtrim pikërisht për marrëveshjen që tash ka përfunduar në Arbitrazh për të dytën herë.

Se Patton Bogs ka pasur raporte kontraktuale me vëllezërit Devolli e dëshmon edhe një deklaratë e vitit 2013, kur Blerim e Shkelqim Devolli ishin liruar nga akuzat.

Në këtë deklaratë kompania që tash do t’i mbrojë argumentet pro prishjes së marrëveshjes së Devollëve me Telekomin, pohonte që e njëjta marrëveshje i kishte sjellë miliona euro PTK-së.

“Në rastin Blerim Devolli, et. al., në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Kosovë, Patton Boggs përfaqësoi vëllezërit Blerim dhe Shkelqim Devolli të ‘Devolli Group’. Në vitin 2008 konsorcium i Devolli Group dhe Unitel Company nga Nju Jorku krijoi një kompani, Dardafone, e cila mori një licencë nga Autoriteti Rregullator i Telekomunikacionit të Kosovës (ART) për Operatorin e Rrjetit Mobil Virtual (ORRMV) Ata pastaj negociuan një kontratë me PTK-në për të funksionuar si Operator i Rrjetit Mobil Virtual (ORRMV) duke përdorur infrastrukturën e PTK-së dhe për të ndarë të ardhurat me PTK-në. Mosmarrëveshjet midis pronarëve të Dardafone rezultuan në një zgjidhje civile në të cilën Devolli bleu aksionet e Unitel në operatorin virtual . Ndërkohë, operatori virtual , ZMobile, shpejt u bë një lojtar thelbësor në tregun e telekomunikacionit të Kosovës dhe siguroi miliona euro të ardhura për PTK-në”, thuhej në atë deklaratë.

Në këtë lajm thuhet së burimi është kompania “Patton Bogs”, por nga faqja e kësaj kompanie tashmë lajmi është fshirë ose larguar.

KOHA në fillim të javës i ka dërguar pyetje kësaj kompanie, por ata nuk janë përgjigjur ende.

Situata e tillë, kur një kompani herë e mbron njërën palë e herë palën tjetër, në një çështje që në thelb është e njëjtë, është e njohur në fushën juridike. Profesori Stephen Gillers që për rreth katër dekada ishte pjesë e Universitetit të New Yorkut, në disa libra autorial dhe artikuj, këtë situatë e përshkruan si situatë tipike ku avokati ose zyra e avokatisë ndalohet të përfaqësojë.

Telekomi dhe Z Mobile kishin nënshkruar marrëveshje në janar të vitit 2009 me të cilën kompania e Devollëve bëhej operator virtual i Telekomit.

Mospajtimet mes këtyre palëve përfunduan në Arbitrazh.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco