Milionat që nuk kryen punë, Kosova në vitin e dytë të pandemisë pa rrugëdalje ekonomike e pa vaksina

Milionat që nuk kryen punë, Kosova në vitin e dytë të pandemisë pa rrugëdalje ekonomike e pa vaksina

16:53, 13/03/2021 Nga Dardan Gashi

Jemi një vit pas rastit të parë me koronavirus, duke analizuar se ku gabuan institucionet në rimëkëmbjen ekonomike, pas mbylljes që ndodhi, çka nuk patën parasysh Qeveritë në këtë situatë, cilat do të jenë dëmet afatgjate të kësaj krize që u shkaktua dhe çka duhet bërë Qeveria e ardhshme që të ketë shpresë për rimëkëmbje, këtyre pyetjeve iu japin përgjigje ekspertët e ekonomisë për Syri.net Kosova.

Dardan GASHI

Kosovarët po e ‘festojnë’ një vjetorin e paraqitjes së rastit të parë të koronavirusit.

Që nga ajo kohë e deri më sot, pati numër të lartë të infektimeve e me mbi 1 mijë e 600 raste të vdekjes.

Pandemia e koronavirusit, përveq dëmeve në njerëz, dëmtoi rëndë edhe ekonominë kosovare.

Sipas Bankës Qëndrore, Kosova si pasojë e situatës me virusin, pritet të ketë një rënie ekonomike prej 7.2 për qind, që paraqet goditjen më të rëndë që ka pësuar ekonomia e vendit në 20 vitet e fundit.

Si reaguan institucionet karshi alarmit për krizë ekonomike?

Ekonomia e Kosovës, edhe pse e brishtë, u përball edhe me një problem madhor, në krahasim me vitet tjera. Gjatë kësaj periudhe u ndërruan dy qeveri, ajo e Albin Kurtit e cila u shkarkua dhe e Avdullah Hotit, e cila u rrëzua nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese.

Në fillimet e pandemisë, pas masave të marra nga Qeveria Kurti, u vendos që ekonomia kosovare të mbylljej në tërësi, për tu hapur pastaj gradualisht.

Ani se masat anti-covid, shpëtuan  shumë jetë njerëzish, ato i kushtuan shtrenjtë bizneseve kosovare, pasi siç njoftonte Oda Ekonomike e Kosovës, humbjet kalonin vlerën e 1 miliardi euro.

Ndihma e parë që erdhi nga institucionet, ishte ajo e Qeverisë Kurti, me anë të Pakos Emergjente. Për punëtorët e sektorit privat u ndanë  për tre muaj pagë 170 euro,e bizneseve iu subvencionua një pjesë e qerasë, e bizneseve të paregjistruara iu mundësua regjistrimi në këmbim të një ndihme prej 130 euro për punëtorë.

Por, edhe kjo pako, pati probleme me implementim.

Kjo pasi, në Qershor të vitit 2020, me ardhjen e Qeverisë Hoti, pas rrëzimit të asaj Kurti, pati probleme me egzekutimin e pagesave.

Por, ky nuk ishte problem i vetëm, pasi Qeveria Hoti, në mungesë votash, me muaj të tërë, ani se premtoi deri në 5 miliardë euro investime me të ardhur në pushtet( për periudhë afatgjate), nuk arriti ta kaloj në Kuvend “Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike” .

Megjithatë, ky ligj kaloi në Kuvend, tek pas 6 muajsh me përkrahjen e opozitës.

Vlera prej 365 milionë euro e paraparë nga Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike, filloi së zbatuari. Prej tyre tyre fillimisht 60  milionë euro ishin  paraparë të shpërndahen për subvencionimin e pagave në sektorin privat, 7.5 milionë euro shtesa për asistencë sociale, 2.5 milionë euro në kulturë, rini dhe sport, ndërsa 5 milionë tjera për ndihmë sektorëve tjerë.

Me ligjin për Rimëkëmbje, përfituan edhe qytetarët që kishin kursime në Fondin Pensional, pasi të njejtëve iu mundësua tërheqja e 10 përqindshit të shumës së akumuluar.

Por ‘loja’ me vlerat milionëshe për rimëkëmbje ekonomike, nuk është se e arriti ndonjë efekt të dukshëm sipas njohësve të ekonomisë.

Për fatin e mirë, ishte diaspora kosovare, ajo që nuk e ndali intervenimin, e cila edhe pse e prekur direkt nga pandemia, me anë të remitencave arriti që edhe njëherë të iu dal krahë qytetarëve dhe bizneseve kosovare.

Sipas të dhënave të publikuara nga BQK, në periudhën Janar-Korrik 2020, nga Diaspora kishin hyrë në Kosovë përmes sistemit bankar, 526 Milion Euro ose 47 Milion Euro më shumë se sa gjat vitit 2019.

Por kur jemi një vit pas, duke analizuar se  ku gabuan institucionet në rimëkëmbjen ekonomike, çka nuk patën parasysh Qeveritë në këtë situatë,  cilat do të jenë dëmet afatgjate të kësaj krize që u shkaktua, çka duhet bërë Qeveria e ardhshme që të ketë shpresë për rimëkëmbje, këtyre pyetjeve iu japin përgjigje ekspertët e ekonomisë për Syri.net Kosova.

Ku gaboi Qeveria në rimëkëmbjen ekonomike?

Profesori i ekonomisë, Musa Limani, për Syri.net Kosova thotë se së pari, marrja e pakos për rimëkëmbje u bë në mënyrë kabineterike, pa ndonjë analizë komplekse të situatës së krijuar në ekonomi me rastin e marrjes së masave lidhur me ndalimin e epidemisëCovid 19.

Së dyti, sipas tij, vlerësimi i subvencioneve nuk u bë sipas paraqitjes së dëmeve nëpër  lëmenj dhe degë ekonomike.

“Me marrjen e masave kundër korona virusit, dëmet më të mëdha iu bënë disa lëmenjve dhe sektorëve, si psh: Me këtë rast më së shumti u dëmtuan sektori i gastronomisë, së bashku me turizmin dhe hotelerinë, si dhe sektori i komunikacionit publik, me rastin e ndalimit të qarkullimit të qytetarëve. Andaj, mendoj se për këto sektor është dashur të shqyrtohen mundësit  e funksionimit të këtyre sektorëve, duke i respektuar masat e Ministrisë së Shëndetësisë, e jo në mënyrë arbitrare ndërprerjen e punës në këto sektor. Pasojat, materiale të këtyre sektorëve, veçmas i gastronomisë, ka krijuar pasoja negative multiplikative në sektorët e tjerë, që kanë lidhshmëri me këtë sektor, si: zvogëlimi i konsumit të kulturave bujqësore, zvogëlimi i turistëve të brendshëm e të jashtëm, largimi nga puna i punëtorëve në këto sektor etj.”

Ai thekson se , realizimi i masave të parapara me pakon për rimëkëmbje u vonuan, me ç’rast vlera e atyre subvencioneve që edhe ashtu nuk ishin të larta, u devalvuan.

Ndërsa eksperti financiar, Florin Aliu për Syri.net Kosova, thotë se pandemia shkaktoi një nga krizat më të vështira të dekadës së fundit.

Aliu vlerëson se për shkak që kriza nuk ishte e izoluar në vetëm disa vende, bëri që efektet e saj të jenë shkatrruese për ekonomine botërore.

Mbyllja e shumë aktiviteteve në fillimet e para dhe kufizimi i lirisë së qarkullimit kishin pasoja shumë të mëdha për ekonominë botërore edhe për atë kosovare.

Ai thekson se, pasi që parashihej rënie e aktivitetit ekonomike globale, atëherë pasojat ishin të pashmangshme edhe për ekonominë tonë.

Njohësi i ekonomisë, Jakup Bellaqa për Syri.net Kosova, thotë se Qeverisë në ikje i mungoi një konsensues ekonomik pozitë- opozitë.

Qeverisë i mungoi konsensusi që së pari të miratohej Ligji për Rimekëmbje ekonomike. Qysh në fillim të mandatit në momentin kur ka hapur idën për miratim të këtij ligji ka qenë dashur të jetë e hapur dhe transparente që ti respektonte idetë konstruktive të opozitës, në menyre që të krijohej një agjendë shtetërore që do të ndikonte që agjendën qeveritare, e jo që të mbetej disa muaj pa u miratuar ky ligj.

 

Çka nuk pati parasysh Qeveria në këtë situatën e krijuar me pandeminë?

Profesori Limani, thotë se Qeverisë i mungoi vlerësimi i dëmeve sipas sektorëve.

“Masat u morën në paketë, ndërsa dëmet ishin të ndryshme nëpër sektorë, lëmi e degë ekonomike. Është dashur që, veç e veç të analizohet gjendja faktike e krijuar në teren nga masat e marra, dhe në bazë të dëmeve të merren edhe masa adekuate, qoftë për gjetjen e mënyrës së mbështetjes materiale, veçmas subvencionimin e punëtorëve që mbeten pa vende pune, apo mundësisë për zhvillimin e aktiviteteve të veprimtarive të tyre, gjithnjë duke pasur parasysh edhe masat për ndalimin e përhapjes së epidemisë”

Për ekspertin Aliu, Qeveria Hoti tentoi që problemet e krizës të i adresoje pa një analizë të thellë.

“Nuk pati analizë të problemit dhe  qasje integrale mbi këtë problem. Për më tepër, u propozua një paketë ekonomike që targetonte bizneset drejtpërdrejt që në mendimin tim nuk i dha efektet e pritura”

Sipas njohësit Bellaqa, Qeveria nuk pati parasysh që me mos kalimin në Kuvend të Ligjit për Rimëkëmbje, do humbnin vendin e punës rreth 55 mijë qytetarë.

 

“Ka munguar subvencionimi i pagave të puntore, pastaj rënia ekonomike diku rreth 7.25% vjetore, e BPV në ekonomine nacionale, gjithashtu edhe mos subvencionimi i qirave bizneseve së paku 50% në muaj, si dhe lehtësira fiskale ku do të duhej që për një kohë, të mos paguheshin tatime dhe taksa.

Ai vlerëson poashtu se ka ndikuar edhe mos bashkëpunimi dhe thellimi i marëdhënieve me FMN-në, Bankën Botërore, BERZH-in, si dhe institucionet tjera financiare ndërkombëtare.

 “Do të duhej që ti forconte marëdheniet dhe të tërhjekte kredi afatmesme dhe afatgjate, në afat kohor prej 5 deri 10 vite me norma vjetore me tavan deri 3%.

 

Cilat mundësi nuk u përdorën, që do ndikonin në rimëkëmbjen ekonomike

Profesori Limani, deklaron se është e vështirë të thuhet nga jashtë se cilat ishin mundësitë, apo pa mundësitë që do të ndikonin në rimëkëmbjen ekonomike.

“Mendoj se, parashikimi i masave në pakon e rimëkëmbjes ishin vetëm nga fusha materiale (financiare), e jo edhe nga masat dhe instrumentet e politikës së zbatuar ekonomike, veçmas të politikës fiskale. Mendoj se, lehtësirat fiskale në të gjithë lëmit dhe sektorët e degët ekonomik, do të jepnin efekte më të mëdha se sa ato që u morën ad hoc, bile edhe në këtë fushë.”

3.Cilat do të duhej të ishin intervenimet ad-hoc të cilat do prodhonin rezultate.

Limani deklaron se masat ad hoc, janë tëpërkohshme dhe me efekte afatshkurtra.

Por, sipas tij me masa ad hoc, do të sanohej gjendja aktuale, por edhe ato nuk ishin dhënë me kohë.

“Faktori i kohezionit në ekonomi është me rëndësi të veçantë. Nëse masa apo instrument ekonomik, qoftë material apo i politikave të zbatuara ekonomike, nuk zbatohen me kohë, e humbasin efektin e tyre. Në këtë fushë, janë marrë disa masa në fushën e ndihmave materiale, por nuk është bërë ndonjë tendencë për krijimin e kushteve për kthimin e punëtorëve të larguar nga puna, dhe aktivizimin e veprimtarisë të sektorëve që kanë mundur të veprojnë edhe kushtet të epidemisë”

Cilat do te jenë dëmet afatgjate të kësaj krize që u shkaktuan?

Eksperti, Aliu, pa cekur dëmet afatgjate, deklaron se një mbyllje tjetër eventuale, do ishte e papërballueshme.

“ Nëse do të jetë e nevojshme edhe një mbyllje ( që po vërehet që mund të jetë) kjo do të ishte e papërballushme për ekonominë tonë. Zgjedhjet e fundit ishin dëshprim i radhës në raport me pandeminë , ku ishte e qartë që partitë politike nuk respektuan masat e propozuara nga Instituti. Megjithatë sot jemi në një situatë të vështirë ku pandemia po vazhdon dhe vaksinimi nuk shihet në horizont.

 

Ndërsa, profesori Limani deklaron se, duke pasur parasysh nivelin e ulët të zhvillimit ekonomik të Kosovës, e cila në mungesë të kapaciteteve prodhuese, mbi 80,0% importon mallra për tregun e brendshëm, kjo do të paraqes krizë afatgjate për Kosovën.

Pos kësaj, ai thekson se nevojitet një kohë e konsiderueshme, për të sanuar gjendjen e krijuar jo të mirë në ekonomi me rastin e krizës shëndetësore.

“Mendoj se ky vit do të shkojë duke e sanuar ekonominë vendore. Kjo do të ndikojë në zvogëlimin e objekteve kapitale pasi që një vlerë e konsiderueshme e të hyrave buxhetore do të shpenzohet për këtë qëllim dhe objekte e filluar do tëndërpriten për një kohë, që do të reflektohet në efekte negative të proceseve ekonomike. Kur krejt kësaj i shtojmë se, për shkak të krizës së krijuar, do të kemi shumë më pak investime direkte të huaja, rimëkëmbja ekonomike e vendit tonë do të përballet me vështirësi dhe probleme serioze materiale”

 

Çka duhet bërë Qeveria e ardhshme që të ketë shpresë për rimëkëmbje?

Sipas njohësit Bellaqa,  Qeveria në ardhje do të duhej që të gjitha këto gabime ti korigjonte dhe ti kushtoj rëndësi punësimit të rinjeve, barazisë dhe sundimit të ligjit, dhe luftimit të informalitetit, dhe të bënte vjeljen e tatimeve brenda e jo në kufi, dhe rritet shteirja e bazës tatimore, si dhe te zbritet normat spo perqindja e TVSh-së, dhe e tatimit në fitim.

E rëndesishme do të ishte që të themelohej një banke zhvillimore për investim dhe zhvillime, si dhe politikat sociale do të duhej që ti mbështetej që se paku as një pagesë e asnjë kategori mos të paguhet më pak se 300 euro në muaj, pastaj do të duhej të rritej oferta vendore e prodhimit dhe e shërbimeve në menyrë që konsumatori të furnizohej me produkte vendore dhe jo produkte të dyshimta nga importi në vendet e huaja

 

Ndërsa Limani thotë se  hapi i parë që duhet të bëjë Qeveria e Re, është që të bëjë planin e sanimit të gjendjes në ekonomi.

“Hapi tjetër do të ishte që të hartojë një politikë konsekuente zhvillimore makroekonomike, mos të bëhet zhvillimi ekonomik ad hoc, pa vizion, pa koncept e strategji të zhvillimit afatgjatë në kuadër të së cilës duhet bërë reforma rrënjësore ekonomike, duke i futur në funksion masat dhe instrumentet e politikës fiskale, të tregtisë së jashtme dhe politikën kreditore në zhvillim të bizneseve vendore. Madje, të formojnë kushte dhe parakushte, përkatësisht ambient biznesor për tërheqjen  investimeve direkte të huaja, veçmas diasporës shqiptare. Duhet stimuluar avancimin e investimeve nga diaspora shqiptare, sepse si për herë edhe tani ata janë të gatshëm të ndihmojnë Kosovën. Me këtë rast ata do të ngritin kapacitetet ekonomike, ku do sjellin teknologji bashkëkohore, përvojë menaxhuese dhe sigurim të tregjeve rajonale dhe ndërkombëtare”

Sipas tij, për realizmin e këtyre qëllimeve, Qeveria e re duhet të ndryshoj politikën kadrovike destruktive të deritanishme, dhe formimin e një politike konsekuente intelektualësh të mirëfilltë, ku në krye të institucioneve, veçmas të ministrive ekonomike dhe në krye të Bordeve të ndërmarrjeve publike, të vihen personat me profesion përkatës, me përvojë, me të kaluar të pastër dhe me kredibilitet profesionalo-shkencor, njerëzor e kombëtar.

“Atë që e tha edhe z. Albin Kurti gjatë fushatës zgjedhore se “ne do të japim përparësi punësimit, i cili do të bëhet jo në baza me libreza profesionale, por me profesionalizëm”. Mendojë, kështu duhet vepruar, kjo është politikë e shëndosh kadrovike që duhet zbatuar Qeveria e Re, si dhe garanca më e fortë e cila siguron një zhvillim mëdinamik, perspektiv dhe stabil të ekonomisë së Kosovës në të ardhmen”

Ndërsa, eksperti financiar, Florin Aliu, vlerëson se Qeverinë e re e presin sfida të vështira.

“Sfidat e qeverise se ardhshme do të jenë vështira kjo shihet qartë. Mirepo në këto momente duhet të mendojmë për zgjidhje kreative dhe jo vetëm ekonomike. Mendoj se kjo krizë nuk mund të zgjidhet me politika standarde ekonomike por me një qasje kreative mbi këtë problem”

 

Ndryshe, Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), ekonomia e Kosovës do të pësojë tkurrje për 5% si pasojë e ndikimit të pandemisë. Ndërsa Banka Botërore tha se parashikimi më pozitiv është një rënie prej -4.5 %, e skenari më i keq është -11 %. /Syri Kosova/ 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco