Si u mbijetuan bankat në Kosovë dy krizave globale

Si u mbijetuan bankat në Kosovë dy krizave globale

13:27, 10/03/2021

Bankat në Kosovë konsiderohen si shembulli më i suksesshëm i investimeve të huaja në vend në 20 vitet e fundit, meqë 9 nga 11 bankat e licencuara janë formuar me kapital të huaj. Sektori bankar në Kosovë u desh të ndërtohej nga e para:  infrastruktura, teknologjia, sjellja e know-how, përgatitja e burimeve njerëzore, etj. Sektori bankar shpeshherë ka marrë lëvdata për stabilitetin, qëndrueshmërinë, funksionimin pa borxhe dhe tejkalimin e sfidave tjera jashtë kontrollit të bankave dhe jashtë marrëdhënies me kredimarrësit.

Modeli biznesor i bankave në Kosovë është i thjeshtë dhe konservativ. I thjeshtë, sepse bankat financohen nga depozitat vendore dhe lëshojnë kredi huamarrësve në vend. Pjesa e mbetur e fondeve (aseteve) të bankave diversifikohet në investime me rrezik të ulët dhe përfitimin minimal, si  letra me vlerë dhe depozita në bankat e huaja. Konservativ, sepse bankat në Kosovë kryesisht kreditojnë vetëm bizneset ‘e mira’, pra të mbimbuluara me kolateral dhe me kthyeshmëri të rregullt të kësteve dhe preferojnë bizneset e mëdha, që zakonisht kanë më shumë kolateral në dispozion dhe kanë gjendje më të mirë financiare. Në sjelljen konservative mund të ketë ndikuar edhe mungesa e fondeve siguruese (safety nets) deri në vitin 2011, përkatësisht 2016, dhe kufizimi i politikës monetare për shkak të euroizimit të njëanshëm nga ana e Kosovës.

Bankat në Kosovë nuk kanë nevojë të përfshihen në investime me rrezik dhe në instrumente komplekse, meqë edhe me këtë model në Kosovë realizojnë profite solide dhe në disa raste edhe më të larta se bankat e tyre amë në vendet e zhvilluara evropiane. Të hyrat kryesore realizohen nga arkëtimi i interest në kredi. Normat e interest në kredi, ndonëse në vitet e fundit kanë shënuar trend rënës dhe më se janë përgjysmuar – duke përcjellë kështu trendin rënës në nivel evropian dhe global, prapë mbeten relativisht më të larta se në Eurozonë dhe rajon.

Në njërën anë, bankat fajësojnë joefikasitetin e tregut dhe institucioneve, si problemet me ekzekutimin e kontratave kreditore, me regjistrin e kadastrës dhe rrjedhimisht vlerësimin e kolateralit, raportimin financiar dhe pagesës së tatimeve prej bizneseve, kulturës kredimarrëse dhe mungesës së projekteve profitabile për investim – të cilat e bëjnë procesin kredidhënës më problematik dhe të kushtueshëm – duke arsyetuar kështu normat e larta të interesit në kredi. Në anën tjetër, klientët fajësojnë bankat se kanë kërkesa të larta për kolateral, ngarkojnë kredimarrësit me norma të larta të interesit dhe me kërkesa të shumta administrative, lënë një pjesë të kërkesës për kredi të papërmbushur dhe dekurajojnë aplikuesit e tjerë potencial. 

Janë disa arsye që mund të sqarojnë pozicionin dhe sjelljen e bankave në Kosovë. Së pari, bankat dominojnë tregun financiar në vend, pra janë financuesi kryesor i kredive për individët dhe bizneset, prandaj manifestojnë fuqi tregu (nga ana e aseteve në bilancin e gjendjes) në përcaktimin e sasisë së kredive që lëshojnë dhe çmimet e tyre (normat e interesit), duke realizuar fitime relativisht të larta.

Së dyti, fuqia e tregut nga ana e aseteve u mundëson bankave të shfrytëzojnë ekskluzivitetin e informacionit (për klientët depozitues dhe kredimarrës) dhe ankesat rreth dështimeve institucionale për të arsyetuar normat e larta të interest dhe mbimbulueshmërinë e kredive me kolateral – madje edhe për kredimarrësit ‘e mirë’, ndërkohë që profiti i tyre rezulton më i lartë se në rajonin e zhvilluar të Evropës, ndërsa rreziku kreditor është më i ulëti në Eurozonë e rajon. Prandaj, normat e larta të interest nuk reflektojnë rreziqet aktuale në vend. Së treti, meqenëse bankat janë të vetmet institucione financiare që pranojnë depozita në Kosovë, klientët nuk kanë alternativa tjera depozitimi, dhe bankat ‘duhet’ të pranojnë qoftë edhe depozitat e tepërta. 

Depozitat në sistemin bankar janë një mekanizëm grumbullimi i likuiditetit. Grumbullimi i depozitave në njërën anë dhe racionimi i kredisë (moszgjerimi i kredidhënies përtej klientëve tradicionalë dhe moszbutja e kushteve kredimarrëse) në anën tjetër, për gati dy dekada e bëjnë sistemin bankar të përfundojë me likuiditet të tepërt. Depozitat e tepërta pothuajse e eliminojnë rrezikun e likuiditetit dhe krijojnë stabilitet në pozicionin e likuiditetit për bankat.

Depozitat e tepërta janë të kushtueshme për bankat, për shkak të shpenzimeve për normat e interesit në depozita – sado të ulëta çofshin ato norma, siç është rasti në vitet e fundit. Megjithatë, bankat në Kosovë kanë gjetur një mënyrë ‘të lirë’ të dekurajimit të depozitorëve, duke aplikuar tarifa dhe komisione relativisht të larta në çdo transaksion dhe çdo shërbim depozitar. Për shembull, nëse krahasojmë nivelin e tarifave që aplikon sistemi bankar në një vend të vogël dhe të zhvilluar evropian, siç është Belgjika, del se sistemi bankar në Kosovë aplikon mesatarisht 10 pikë përqindje më shumë tarifa, që është dallim i konsiderueshëm.

Domethënë, bankat në Kosovë kanë fuqi tregu edhe nga ana e detyrimeve në bilancin e gjendjes, pra depozitave, dhe përfitojnë edhe prej depozitave (detyrimeve). Së katërti, komoditeti i bankave lidhet edhe me kulturën e mirë të kredimarrësve në Kosovë. Përkundër normës së lartë të papunësisë dhe nivelit të ulët të pagave në Kosovë, kredimarrësit në Kosovë del të jenë më të rregullt se sa kredimarrësit e rajonit. Rreth 63 për qind e gjithë kredive që lëshohen janë për biznese. Rreth 90 për qind e bizneseve në Kosovë janë biznese të vogla dhe të mesme. Si të tilla, shpeshherë pronën private dhe pronën e firmës e kanë të përbashkët, që domethënë se edhe kolaterali i lënë peng bankës është pronë private. Mundësia e humbjes së pasurisë private mund të jetë një nga faktorët që inkurajon huamarrësit në kthimin e rregullt të kredive.

Në dy rastet e krizave globale, sektori bankar ishte në gjendje të mirë financiare dhe me kapacitet të kënaqshëm të absorbimit të humbjeve të mundshme, veti këto që kanë kontribuuar në ruajtjen e stabilitetit të sistemit financiar. Në rastin e parë, kriza globale financiare (KGF) në 2007, në nivel global erdhi nga vetë sektori financiar i vendeve të zhvilluara, ku faji kryesor iu la rregullimit joadekuat dhe incentivave të gabuara në skemat e shpërblimit të menaxherëve të lartë të institucioneve financiare. Efektet e KGF-së në Kosovë u shfaqën në vitin 2009, kryesisht përmes kanaleve të sektorit të jashtëm, respektivisht përmes rënies së investimeve të huaja, eksporteve dhe remitancave.

Rënia e remitancave mund të ketë ndikuar në ngadalësimin e rritjes së depozitave dhe rritjen e normës së kredive joperformuese (kreditë që nuk kthehen), të cilat janë përkthyer në humbje për bankat, por që edhe pas rritjes përsëri mbetën në nivelin më të ulët në rajon. Sektori bankar atë kohë pati ngadalësuar kreditimin e ekonomisë, më shumë si përgjigje ndaj kërkesave të bankave amë në vendet e zhvilluara si pasojë e sentimentit të pasigurisë për të ardhmen si dhe e përkeqësimit të portfolios kreditore në nivel ndërkombëtar, se sa si reflektim i rreziqeve reale në tregun bankar në Kosovë.

Fatmirësisht, sektori bankar mbeti likuid dhe mirë i kapitalizuar gjatë dhe pas KGF-së dhe vetë nuk përjetoi tronditje. Madje, sektori bankar mbeti i paafektuar edhe në kohën e krizës së borxhit sovran gjatë 2010-2012, për shkak të mosintegrimit financiar ndërkombëtar dhe të mungesës së bankave greke në Kosovë.

Në rastin e dytë, sektori bankar përballoi mirë recesionin ekonomik falë nivelit të likuiditetit, kapitalit dhe rezervave të mjaftueshme për të absorbuar humbjet e pritura të para pandemisë Covid-19, duke dëshmuar edhe njëherë qëndrueshmërinë e stabilitetin bankar. Krahasuar me rastin e KGF-së, pandemia Covid-19 e gjeti sektorin bankar më të rregulluar (si p.sh. u rritën kërkesat rregullative për menaxhimin e rrezikut të likuiditetit dhe operacional) dhe me dy fonde shtesë, Fondi për Sigurimin e Depozitave në Kosovë (FSDK) dhe Fondi Kosovar për Garantimin e Kredive (FKGK), që rrisin sigurinë e bankave dhe qytetarëve.

Është e mundur që efekti i zvogëlimit të të ardhurave pas rritjes së papunësisë gjatë pandemisë të jetë zëvendësuar me rritjen e remitancave. Një pjesë e remitancave mund të ketë shkuar në pagesa kredish, marrë parasysh mospërkeqësimin e protfolios kreditore në sektorin bankar. Sipas statistikave të publikuara nga BQK, bankat në Kosovë kanë të punësuar rreth 3 300 punëtorë, dhe përkundër recesionit ekonomik, nuk ka pasur të shpunësuar nga ky sektor.

Niveli i stabilitetit bankar megjithatë nuk është përkthyer në gjithëpërfshirje financiare. Shtrirja e produkteve dhe shërbimeve në të gjitha rajonet dhe sidomos shtresat e margjinalizaura të popullsisë konsiderohet e ulët, sepse një pjesë e individëve dhe bizneseve akoma nuk kanë qasje në financa. Për më tepër, në vitet e fundit, disa nga bankat e mëdha në Kosovë kanë filluar të digjitalizohen dhe ta zvogëlojnë numrin e degëve fizike si dhe kanë filluar të koncentrohen më shumë te kredimarrësit e mëdhenj, duke braktisur pjesërisht kredimarrësit e vegjël dhe duke i shtyrë ata t’iu drejtohen Institucioneve Mikrofinanciare (IMF). IMF-të zakonisht janë më pak burokratike dhe kërkojnë më pak kolateral, por ngarkojnë kredimarrësit me norma relativisht më të larta të interesit se bankat, duke i bërë kreditë më të kushtueshme.

FKGK si një instrument mbështetës për sektorin bankar momentalisht garanton kreditë e rreth 6 600 bizneseve të vogla dhe të mesme  (kjo vlerë ndryshon me kohë) të portfolios kreditore të bankave të anëtarësuara në Fond – pra jo të gjitha kreditë biznesore. Ky fond ka pasur rolin  e tij në zvogëlimin e rrezikut real dhe të perceptuar të bankave pas pandemisë duke stimuluar një rritje relative të kredive të reja për bizneset. Për të shtyrë bankat të shfrytëzojnë më shumë instrumentin e garantimit dhe të kreditojnë sektorët e nënshërbyer (agrobiznesin, prodhimtaritë, gratë në biznes etj.) pas pandemisë, FKGK ka rritur mbulueshmërinë e kredive të kualifikuara me garancion prej 50% në 80% të kryegjësë (në rast se dështon kthimi i kredisë), ka zbritur tarifat e aplikimit të bankave në FKGK sa herë që aplikojnë për garancion kredie dhe ka ofruar lehtësira tjera administrative për fermerët që nuk kanë të regjistruar numër biznesi.

Përveç rritjes së sigurisë për bankat, garancionet e FKGK-së zëvendësojnë edhe  kolateralin e munguar për bizneset me potencial të mirë biznesor – sidomos për bizneset që aplikojnë për herë të parë për kredi. Kriteret e reja vlejnë vetëm pas aprovimit të ‘Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike - Covid-19’ në dhjetor 2020, prandaj konsiderohet herët të vlerësohet ndikimi i tyre, edhe për faktin se muaji janar dhe shkurt zakonisht janë muaj më të ngadalshëm.

Gjithsesi, në ‘Anketën e Kreditimit Bankar’ (2021), bankat kanë raportuar se FKGK-ja ka ndikuar lehtë por pozitivisht në inkurajimin e lëshimit të kredive të reja pas pandemisë. Megjithatë, kushtet që një kredi biznesore të kualifikohet për garancion nga FKGK-ja janë relativisht rigoroze: ndër tjerash, kualifikohen vetëm bizneset që kanë pasur gjendje të mirë financiare para pandemisë dhe pagesat e kredive të mëparshme i kanë pasur të gjitha me rregull (të klasifikuara në ‘Regjistrin e Kredive të Kosovës’ në kategorinë A). Kjo tregon se edhe FKGK-ja, ngjashëm si bankat,  shfaq sjellje konservative meqë përkrah vetëm kredimarrësit ‘e mirë’ apo ato biznese që më së paku kanë nevojë për përkrahje financiare, prandaj përkundër faktit që stimulon kreditimin e sektorëve të nënshërbyer, jo domosdo mund të ketë efekt kundërciklik në kohë krizash.

Disa nga bankat qendrore të rajonit, pas krizës ekonomike reaguan shpejt duke ulur  normën referente të interesit (normën bazë), hapjes së ankandeve për rritjen e likuiditetit të bankave, moratoriumit të kredive etj., në këmbim të lehtësimit të barrës mbi individët dhe kompanitë e prekura nga pandemia. Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), ka në dispozicion vetëm instrumentin për ‘Mbështetje Emergjente për Likuiditet’, i cili është i kufizuar në shumë dhe deri tash nuk është testuar asnjëherë te bankat – siç thamë, bankat tona asnjëherë nuk kanë shfaqur probleme me likuiditet.

Euroizimi i njëanshëm ngushton çdo mundësi tjetër për intervenim me likuiditet. Të vetmin instrument që BQK ka përdorur në zbutjen e efekteve të pandemisë te huamarrasëit, ishte fillimisht aprovimi i vendimit për pezullimin e pagesave të kësteve të kredisë dhe më pas aprovimi i ‘Udhëzuesi për ristrukturimin e kredive për shkak të Covid-19’, i cili  kërkoi nga bankat komerciale, që kredimarrësve që kanë hasur në vështirësi financiare pas pandemisë Covid-19, t’u mundësohet pezullimi dhe rikstrukturimi i pagesës së kredisë për disa muaj (moratorium i borxhit), pa penalizim në historikun kreditor në ‘Regjistrin e Kredive të  Kosovës‘. Falë edhe këtij udhëzuesi, treguesi i kredive joperformuese nuk është përkeqësuar, por bankat gjithsesi kanë ndarë provizione (rezerva) për humbjet e pritura.

Rrjedhimisht, në gjithë sektorin bankar u ristrukturuan rreth 1.3 miliardë euro kredi. Moratoriumi kreditor mund t’ua lehtësojë bizneseve përkohësisht problemet me para rrjedhëse, mirëpo në afatgjatë gjithsej bilanci i kredisë që duhet të kthehet do të rritet. Ky udhëzues u drejtohet si bankave ashtu edhe kredimarrësve (ku jo të gjithë mund të jenë ekspertë financiarë). Ky udhëzues ka lënë hapësirë interpretimi (‘‘...për të shmangur ndëshkime të padrejta ndaj kredimarrësve...’’) duke mos cekur në mënyrë eksplicite (përveç në lajmet e publikuara) se tarifat ndëshkuese për muajt e pezulluar të kredisë nuk duhet të aplikohen (që përkthehen në të hyra shtesë për bankat) si dhe ka shkaktuar paqartësi rreth mënyrës së pagesës së kësteve të pezulluara te qytetarët.

Si te çdo bankë qendrore, edhe BQK duhet të komunikojë me publikun e gjerë në mënyrë të qartë dhe transparente për vendimet që i merr, për shkak të rolit të saj në ruajtjen e stabilitetit financiar dhe mbrojtjen e konsumatorit që shfrytëzon shërbime financiare. Transparenca e BQK-së gjithashtu kontribuon në ruajtjen e pavarësisë dhe kredibilitetit të saj në publik, aq më shumë në kohë krizash.

Çka duhet të bëhet tutje? Në Kosovë, nevoja për investime dhe kapital qarkullues ka qenë e madhe edhe para pandemisë, dhe kjo nevojë nuk mund të përmbushet vetëm përmes  investimeve të huaja. Prandaj, sytë edhe njëherë janë kthyer kah bankat, sepse pritet që të vazhdojnë përkrahjen e bizneseve duke mirëmbajtur trendin rritës të kredive të reja. Bankat, fillimisht mund të mos kenë qenë të përgatitura t’u përgjigjen ndryshimeve që ndodhën brenda natës, si ndryshimet në orarin e punës me staf të zvogëluar, shërbimeve të automatizuara dhe personalizuara.

Si masë parandaluese e përhapjes së virusit, bankat duhet të rrisin përdorimin e shërbimeve digjitale e automatike (si konsultime online dhe përmes telefonit), kundrejt vazhdimit të kujdesjes për klientët pa qasje në kompjuterë dhe smartphone ose pa aftësi për të përdorur platforma digjitale. Pandemia ka vënë në pah edhe nevojën e aprovimit të ligjit për identifikim elektronik në transaksione elektronike dhe njohjen e nënshkrimit elektronik nga gjykatat në Kosovë, i cili do të mundësonte identifikimin virtual të klientëve, pa pasur nevojë për prezencë fizike.

FKGK-ja duhet të kërkojë revidim të klauzolave ligjore, dhe të përfshijë edhe bizneset që në historikun e kredive paraprake kanë pasur kredi të klasifikuara edhe në kategorinë B (kreditë që përkohësisht kanë devijuar nga kreditë me kthim të rregullt).

BQK-ja, brenda mandatit ligjor dhe sipas objektivit të shpërndarjes efikase të resurseve, duhet të kërkojë nga bankat të rrisin shtrirjen financiare deri te grupet nënshërbyera dhe grupet më të prekura nga pandemia. Pandemia Covid-19 ka vënë në pah, ndër tjerash, se edhe komunikimi i BQK-së duhet të rritet përtej raporteve periodike dhe thjeshtësia e transparenca e komunikimit duhet të përmirësohen, ashtu që të arrijë më afër publikut gjerë. Pjesë e rolit të BQK-së, edhe pse në kapacitet të vogël, është edhe mbrojtja e konsumatorit, përmes ‘Departamentit të Ankesave për Shfrytëzimin e Shërbimeve Financiare’. Sasia, natyra dhe shkaku i ankesave duhet të shpalosen në mënyrë të detajuar dhe më shpesh se vetëm një herë në vit. /SBUNKER

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco