Klubi i Prodhuesve kërkon nga Qeveria e re t’i adresojë problemet e tyre

Klubi i Prodhuesve kërkon nga Qeveria e re t’i adresojë problemet e tyre

10:52, 10/03/2021

Komuniteti i biznesit kërkon që qeveria e re të formohet sa më shpejtë pasi që vendi po vazhdon të përballet me vështirësi të shumta ekonomike për shkak të pandemisë.

Drejtues të Klubit të Prodhuesve të Kosovës presin nga qeveria e re të mbështesë sektorin e prodhimit në vazhdimësi më anë të subvencionimit të eksporteve dhe të adresohen barrierat institucionale me të cilat ballafaqohen bizneset.

Sekretari gjeneral në Klubin e Prodhuesve të Kosovës, Vllaznim Osmani, thotë se bizneset vazhdojnë të përballen me burokraci të ndryshme, siç thekson ai me korrupsion, për lëshimin e lejeve dhe licencave.

“Ne shpresojmë që qeveria të formohet shpejtë dhe të vazhdojnë investimet kapitale në mënyrë që të qarkullojë paraja sepse është mjaft me rëndësi tani më në kohën e pandemisë. Në aspektin e barrierave të të bërit biznes, vazhdojnë të qëndrojnë të njëjtat të cilat kanë qenë deri më tani. Ajo që ne na brengos është pjesa e barrierave institucionale, të cilat presin të rregullohen. Kemi probleme me burokracitë e panevojshme dhe pengesat e panevojshme si për lëshimin e lejeve për industri të ndryshme, për veprimtari të ndryshme apo edhe për licenca të ndryshme që janë të nevojshme për sektor të ndryshëm. Megjithatë, edhe vazhdimi i tyre bëhet mjaft problematik dhe pengues. Një gjë e tillë e pengon biznesin, e ngadalëson dhe është një çështje që neve na brengos shumë”, theksoi ai.

Edhe shkalla e lartë e korrupsionit në vend mbetet shqetësuese për Osmanin, i cili thotë se kjo dukuri ndodhë në sektorin e prokurimit që po pamundëson të fitojnë tender prodhuesit vendorë.

“Pjesë tjetër e barrierave është edhe korrupsioni, që është mjaft problematike dhe nuk po ndryshon. Kjo ka efekt negativ edhe në të bërit biznes, e sidomos ka efekt negativ edhe në interesimin e kompanive që të investojnë, qofshin investitor vendor apo të huaj. Mos të harroj të përmendi pjesën e prokurimit publik, është problematike dhe shqetësuese qysh prodhuesit vendorë nuk arrijnë të fitojnë tenderë ende, edhe pse pjesa e ndryshimit të ligjit jep një përparësi prodhuesve dhe kompanive shërbyese”, thotë ai.

Ai po ashtu thekson se qeveria e re duhet të ketë program konkret për mbështetjen e eksportit dhe prodhimit, që sipas tij, ndikon në rritjen e punësimit.

“Një çështje tjetër që ne presim, është të ketë një program konkret se si do të përkrahet eksporti. Eksporti është shumë i rëndësishëm për neve si sektor i prodhimit, edhe sa më shumë që të rritet eksporti rriten dhe vendet e punës, por edhe të mbrohen vendet e aktuale të punës. Ne kemi nevojë që sektori i prodhimit të përkrahet në vazhdimësi në forma të ndryshme, si përmes politikave të ndryshme, subvencioneve apo përmes mekanizmave përkrahës. Subvencionimi i eksportit është i nevojshëm sikur që bëjnë vendet e tjera, ne presim diç të tillë”, thekson ai.

Klubi i Prodhuesve ka bërë thirrje që sidomos institucionet publike të konsumojnë më shumë prodhime vendore si de të shfrytëzojnë shërbime e kompanive vendore.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco