Programi i Vetëvendosjes, pikëpyetje rreth Fondit sovran dhe Bankës Zhvillimore

Programi i Vetëvendosjes, pikëpyetje rreth Fondit sovran dhe Bankës Zhvillimore

10:25, 10/02/2021 Nga Dardan Gashi

Subjektet politike kanë zbardhur programet e tyre në prag të zgjedhjeve të 14 shkurtit.

E fundit që e publikoi atë, ishte Lëvizja Vetëvendosje, e cila në bazë të sondazheve renditet si fituese e këtyre zgjedhjeve.

Në mesin e premtimeve nga kjo parti, ato të cilat nxitën kureshtjen ishin zotimet për krijimin e Fondit Sovran dhe Bankës Zhvillimore, si element që do ndikojë në zhvillimin ekonomik të vendit.

“Do ta krijojmë Fondin Sovran dhe Bankën Zhvillimore të Republikës së Kosovës. Fondi Sovran do t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Republikës së Kosovës dhe do ta ketë përgjegjësinë ekskluzive për investimet në rritjen e vlerës së tyre. Agjencinë Kosovare të Privatizimit do të shuhet dhe asetet e saj do i kalojnë në pronësi Fondit Sovran” thuhet në planin e VV-së. (Linku- faqe 11).

Image

 

Për pritjet e përfaqësuesve të bizneseve kosovare,(OEAK) karshi këtyre premtimeve, Syri.net Kosova ka tentuar të marr një mendim, mirëpo, të njëjtit kanë deklaruar se nuk i komentojnë fare premtimet e subjekteve politike në prag të zgjedhjeve.

Por, ndryshe nga përfaqësuesit e bizneseve, këto dy premtime, po shihen në këndvështrime të ndryshme nga njohësit e ekonomisë kosovare.

Profesori i ekonomisë, Musa Limani, për Syri.net Kosova, vlerëson se nuk ka nevojë të formohen fonde, sido që të quhen ato, apo banka të reja, por duhet, duke mos lënë anash edhe masat e tjera, të zbatohet politikë kreditore e favorshme (e butë) për bizneset dhe qytetarët.

Ai thotë se ekziston Banka Qendrore e Kosovës dhe bankat komerciale, nëpërmjet të cilave Qeveria nëpërmjet Bankes Qendrore, duhet të krijojë korrnizën e përgjithshme të politikës kreditore, duke përfshirë kriteret dhe kushtet e favorshme si: normën e ulët të interesit-kamatës, afatin më të gjatë të kthimit të kredise, greis periudhën etj,për marrjen e kredive.

"Ndonëse tek ne, disa mendojnë se në ekonominë e tregut, Qeveria dhe Banka Qendrore nuk kanë të drejtë të përzihen (ndërhyjne) në politikën kreditore të bankave komerciale. Jo, ky mendim është plotësisht i gabuar. Edhe në ekonominë e tregut ka rregulla të lojes. Ndërhyrja e shtetit (Qeverisë), jo që duhet, por shpesh është edhe e domosdoshme, siç është rasti edhe në sistemin bankar. Banka Qendrore në kuadër të kompetencave të saja, përcjell afarizmin dhe kontrollon aktivitetin e politikës kreditore të bankave komeciale. Andaj, Qeveria nëpërmjet Bankës Qëndrore duhet të hartojë dhe zbatojë politiken kreditore, përkatësisht përcakton korrnizat e përgjithshme të politikës kreditore dhe të politikës investive, duke i orientuar avancimet investive andej kah është interesi i zhvililmit të lëmenjëve dhe degëve me interes për ekonominë, veçmas kah degët prodhuese në ekonomi, që tani i mungojnë ekonomisë së Kosovës. Siç dihet, politika kreditore paraqet instrument shumë të rëndësishëm të politikës zhvillimore makroekonomike. Në kontekst të kesaj duhet potencuar se, politika monetare-kreditore, paraqet instrument me rëndësi të veçantë të politikës së zbatuar ekonomike"

 

Limani shton se politika monetare dhe ajo kreditore kanë ndërlidhshmeri funksionale ndërmjet vete.

Derisa politika monetare vlerëson mënyrën e akordimit të kredive afatshkutra (mjeteve xhiruese), politika kreditore paraqet mjet për realizimin e politikës monetare. Kështu, siç është e njohur në teorinë dhe praktikën e zhvillimit ekonomik, kredia paraqet burim plotësues dhe shumë të rëndësishem të akumulimit, përkatësisht të investimeve për subjektet ekonomike.

 

Sipas tij, Qeveria me një politikë adekuate kreditore dhe investive, krijon kushte materiale subjekteve ekonmike për zhvillimin e veprimtarive të tyre.

“Në kontekst të kesaj duhet thënë, nëse Qeveria dëshiron zhvillim me intensiv ekonomik, atëherë duhet të zbatojë politikë ekspansioniste kreditore dhe politike objektive investive, nëpërmjet të cilave bënë orientimin sektorial dhe territorial të zhvillimit të lëmenjëve dhe degëve përkatëse. Andaj, nëpërmjet politikës monetare-kreditore, Qeveria mund t'i realizojë qëllimet e parashtruara zhvillimore vijuese, afatshkurtra apo afatgjate. Siç është e njohur, në të gjitha vendet me ekonomi të tregut, madje edhe në vendet më të zhvilluara të botës, politikën zhvillimore makroekonomike e mbështesin në instruementet e politikës fiskale, monetare-kreditore dhe të politikes së tregtise së jashtme. Kështu duhet të jetë edhe në Kosovë. Andaj, qëllimet e politikës monetare-kreditore realizohen nëpërmjet sistemit bankar, të cilat i harton dhe i zbaton Banka Qendrore e vendit.

Limani vlerëson se për të qenë në funksion të zhvillimit të bizneseve, Qeveria (Kosova), duhet të zbatojë politike fiskale dhe kreditore ekspansioniste.

“Andaj, mendojë se, shumë më drejtë dhe efikase do të jetë të bëhen reforma në politikën fiskale dhe monetare-kreditore se të formohen fonde dhe banka të reja.

 

Për më tepër, profesori i ekonomisë, vlerëson se në vend të formimit të fondeve apo bankave të reja, do të ishte më e arsyeshme dhe më e pranueshme nga aspekti i zhvillimit ekonomik, tërheqja e mjeteve të Trustit pensional dhe mjetet e Fondit të privatizimit dhe të futen në sistemin bankar të Kosovës, se sa ato edhe më tej të mbesin nëper fonde dhe të jenë në funksion te zhvillimit të ekonomive të vendeve të tjera.

“Kjo aq më parë kur dihet se këto mjete janë të qytetarëve dhe të ekonomisë së Kosoves dhe ato duhet të jenë në funksion te zhvillimit ekonomik e shoqëror të bizneseve dhe qytetareve të vendit tonë. Me sa dihet mjetet e këtyre dy fondeve kapin vlerën rreth 3,0 miliardë euro (mbi 2,3 miliardë euro nga Trusti pnesional dhe rreth 700 milionë nga Fondi i privatizimit).

 

Ai shton se me futjen e këtyre mjeteve në sistemin bankar të Kosovës, duke mos ua ndryshuar destinimin e tyre, por, të figurojnë si depozita në BQK, do të rritet potenciali i tregut të kapitalit, me ç'rast bankat komerciale do të kenë mundësi të akordojne kredi me kushte më të volitshme, që do të reflektojnë në zhvilimin ekonomik të bizneseve dhe në marrjen e kredive familjare që do të shprehen në rritjen e fuqisë blerese të tyre.

Që të dy këto, do të shprehen si në rritjen e ofertës ashtu dhe kërkeses agregate, dmth do të jenë në funksion te zhvillimit ekonomiko-shoqëror të Kosovës”

Nga kjo, sipas tij, mund të nxjerrim konstatimin se nuk ka nevojë të formohet ndonjë fond apo bankë e re, aq më parë nëse këto institucione financiare krijohen me mjete buxhetore, apo me mjete të Fondit të privarizimit.

Profesori deklaron se AKP-ja nuk mund të shuhet, derisa mos të kryhet procesi i privatizimit, sepse, ai paraqet elementin kryesor e determinues për kalimin e fazës së tranzicionit.

“Tani vetëvetiu shtrohet pyetja. Nëse shuhet AKP-ja, atëherë çka do të ndodhë me ndërmarrjet shoqërore dhe publike, që janë ende pa u privatizuar dhe shumë gjëra të tjera që kanë të bëjnë me procesin e privatizimit?! Madje, mjetet e fondit të privatizimit kanë karakter destinues. Andaj, nga ajo që u tha rreth procesit të privatizimit, del edhe përgjigja se nuk mund të shuhet e as të formohet asnjë fond tjetër duke u mbështetur në mjetet e fondit të privatizimit, madje as Fondi Sovran. Unë me thënë të vertetën as që e kuptojë se çka është Fondi Sovran, qëllimet dhe funksionin e tij në sistemin bankar të Kosovës. Në kontekst të kësaj, mendojë se Qeveria në ardhje, cila do qoftë ajo, nuk duhet ta shuaj AKP-në, por duhet ta mbështesë në pikepamje institucionale, që sa më parë të kryhet procesi i privatizimit dhe të tejkalohet faza e tranzicionit. Ky duhet të jetë synimi i Qeverisë së re, e jo shuarja e tij. Qeveria e re mund të shtrojë nevojën e rishikimit të procesit të privatizimit, abuzimet dhe keqpërdorimet që janë bërë në këtë fushë deri më tani, por asesi shuarja e AKP-së. Siç dihet ka pasur keqpërdorime, probleme e sfida të shumta gjatë procesit te privatizimit, siç janë; mungesa e rregullativës juridike, mos përcaktimi i periudhës kohore, ndërprerja e shpeshtë arbitrare dhe neglizhenca, mos përfshirja e punëtorëve në asnjë hallkë të procesit të privatizimit, largimi i punëtorëve nga vendet e tyre të punës, mos pagesa e 20,0% punëtorëve të ndërmarrjeve shoqërore të privatizuara, qasja jo adekuate ekonomike-ndërmarrjet shoqërore u shiten pa kurrfarë kriteresh ekonomike, ndryshimi i destinimit-vepritmtarisë të ndërmarrjeve shoqërore, duke u shndërruar në depo, lokale tregtare, ndërtime të larta banesore dhe dhënia në shfyrtezim e tokës së ndermarrjes, e mbi të gjitha ai ishte burimi kryesor i korrupsionit dhe shkatërrimit të ekonomise ekzistuese dhe rritjen e armatës së të pa punëve, tjetërsimi i pronës lublike, e çka jo tjetër. Ja pra, ndoshta këto do të ishin synim i Qeverisë së ardhshme, sepse ka shumë argumente për hetime dhe keqpërdorime gjatë procesit te privatizimit, e asesi shuarja e AKP-së.

 

Ndryshe, nga Limani, eksperti financiar, Florin Aliu për Syri.net Kosova, ka mendim tjetër lidhur me këto premtime, por të rezervuar, pasi për të njëjtat vlerëson se ka mungesë të detajeve të rëndësishme.

Ai thotë se Banka Zhvillimore si koncept tenton të bëjë presion në normat e interesit në sistemin bankar të Kosovë,s që të ulen ato.

 Sipas tij, suksesi i Bankës Zhvillimore varet edhe nga madhësia e saj, ku mund të luajë rolin e një banke qëndrore të munguar për Kosovën.

“Nëse madhësia e bankës zhvillimore është signifikante brenda industrisë bankare, atëherë mund të ndikojë që normat e interesit të ulën. Mirëpo duhet patur kujdes pasi nëse madhësia është shume e madhe që kjo mund arrihet ndër vite, mund të ndikojë në dinamiken totale të sistemit bankar. Bankat komerciale në Kosove duhet të kenë një sasi të konsiderushme të fitimeve për shkak se janë shumë të mëdha për të dështuar, dhe në rast të probleme intervenimi në sistemin bankar përmes buxhetit të shtetit mund të jetë i pamundshëm. Prandaj unë jam pro Bankës Zhvillimore mirepo me një analize të thellë mbi efektet e mundshme në sistemin bankar. Për më tepër, duhet të analizohet shume mirë struktura korproative e saj dhe qëllimi i saj (nëse do të ketë qellim fitimin apo nuk do te ketë qëllime fitimprurës).

Eksperti Aliu, sa i përket fondit sovran, vlerëson se ështe ide shumë e mire, pak a shumë është një xhirollogari bankare që mundëson transferimin e mjeteve nga njësitë ekonomike (kompanitë publike), që kanë performancë të mirë tek ato që kanë probleme.

“Mirëpo prapë këtu duhet të bëhet një analizë se cilat janë kompanitë publike që janë me fitime , qe aktualisht është shume e vështire të gjinden. Fondi sovran është një ide që përdoret shumë gjerësisht me resurse natyrore si Norvegjia, Kina, Vendet e Lindjes se Mesme. Unë mendojë që idet janë të mira, mirëpo duhen të i nënshtrohen një analize dhe diskutimi më të gjerë, që besoj mund të realizohet pasi VV të vije në pushtet.

Kujtojmë që zgjedhjet e 14 shkurtit të këtij viti që do e përcaktojnë qeverinë e re, janë vendimtare edhe për fatin e shumë sektorëve tjerë përveç ekonomisë.

 

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco