Sfiduesit e Vetëvendosjes premtojnë miliarda pa mbulesë

Sfiduesit e Vetëvendosjes premtojnë miliarda pa mbulesë

13:01, 03/02/2021 Nga Dardan Gashi

Sot zyrtarisht ka filluar fushata zgjedhore në Kosovë, për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Partitë politike që qeverisën vendin tash e 21 vjet nga përfundimi i luftës, veçse kanë nisur të ‘shfrenohen’ në premtime miliardëshe për ekonominë kosovare.

Planprograme ambicioze me miliona euro premtime, rritje të pagave për sektorin privat e publik, investime kapitale, ndryshimi i pagës minimale, janë vetëm disa prej premtimeve që kanë dhënë në para-fushatën zgjedhore, Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

LDK në mesin e shumë premtimeve që dha ishin: investime 6 miliardë euro në shtatë vitet e ardhshme, rritje e pagës minimale në 300 euro dhe heqjen e nivelizimit të pagës minimale, sipas moshës e Fonde Zhvillimore Financiare, Shërbime të Bazuara në Teknologji.

Ngjashëm sikurse LDK, edhe PDK premtoi rritjen e pagës minimale.

PDK premtoi po ashtu mbi 500 milionë euro kontribute financiare, pa kthim për ndërmarrje private në Kosovë, 200 milionë nga to në 2021, kapitali për Fondin për garantimin e kredive të rritet 100 përqind, krijimi i një fondi prej 15 milionë eurove i cili do te jetë i dedikuar për përkrahjen e vetiniciativave të reja në biznes e rritje të pensioneve deri në 40 përqind për kategori të caktuara.

Miliardat në ekonominë kosovare i premtoi edhe AAK.

Partia që udhëheqet nga Ramush Haradinaj, premtoi: Fond për Rindërtim Ekonomik në vlerë një miliard euro, financimin e kredive për ndërmarrjet e sektorit privat, mbështetje të zhvillimit të ndërmarrjeve prodhuese. Premtoi po ashtu që një vit prej ardhjes në qeveri në mënyrë graduale e tërë mbledhja e TVSh-së do të bëhet pas shitjes, masë kjo e cila do ta ndihmojë likuiditetin e biznesit. U zotua se të hyrat nga eksporti, nga mallrat dhe shërbimet të lirohen tërësisht nga tatimi në fitim.

Por, se sa do të jenë bindëse këto premtime elektorale për qytetarët, a do të jenë të realizueshme, a ka hapësirë që të njëjtat të realizohen, për Syri.net Kosova kanë folur njohësit e çështjeve ekonomike në vend.

Profesori i ekonomisë, Musa Limani, thotë se në vend është bërë modë që partitë në parafushatë dhe fushatë zgjedhore, të këndellen, duke na "krypur" me premtime marramendëse për zhvillimin ekonomik.

"Të gjitha partitë pa dallim të cilat tani po premtojnë investime të mëdha, rritje pagash, pensionesh, lehtësira në politikën fiskale e kreditore, punësim, e çka jo tjetër, më parë ishin në pushtet, por, nuk bënë ndonjë zgjidhje në zhvillimin ekonomik. Është për të ardhur keq, por premtime të tilla, nga të njëjtat parti, i kemi pasur edhe në të gjitha zgjedhjet e mëparme, por pas kryerjes së zgjedhjeve ato harroheshin, që besoj se do të harrohen edhe tani" tha ai.

Limani thotë se këto premtime kanë karakter populist, deklarata politike, të cilat janë pa mbulesë dhe pa argumente për realizimin e tyre.

"Është për të konstatuar se, po këto parti që tani po premtojnë, ishin në pushtet në mandatet e kaluara, mirëpo nuk bëne diç në zhvillimin ekonomik edhe pse ishin në krye të Qeverisë. Heq, Bruto Produktin Vendor i cili tregoi rritje modeste, të gjithë treguesit e tjerë makroekonomik treguan shenjën negative, siç janë: Deficiti i bilancit të tregtisë së jashtme, norma e lartë e papunësise, struktura e pa volitshme ekonomike, mos zgjidhja e drejtë e statusit të pensionistëve kontributdhenës, mos përcaktimi i pagës minimale, prezenca e madhe e evazionit fiskal, kontrabanda ekonomike, nepotizmi, korrupsioni etj. Edhe për rreth këtyre trendeve e rrjedhave negative të sipër cekura, as Qeveritë e as Parlamenti në të kaluar asnjeherë nuk i vuan në agjendën e tyre për të debatuar, analizuar dhe zgjidhur këto probleme, të cilat janë prezente edhe në ditët e sotme. Mos vall e njejta gjë do te ndodhë edhe pas këtyre zgjedhjeve. Mendoj se po, sepse janë të njejtit akter që më parë jepnin premtime, por pas zgjedhjeve harroheshin te gjitha."

Profesori thekson se nëse vetëm 50,0% e premtimeve të dhëna, do t'i realizonin këto parti, Kosova nga aspekti ekonomiko-shoqëror do të hyjë në kuadër të vendeve të zhvilluara të Ballkanit e Evropës.

"Nuk di kush mund t'u besojë më premtimeve deklerative, populiste pa programe konkrete zhvillimore. Siç dihet, ekonomia e Kosovës gjendet në fazën e recesionit, që karakterizohet me mungesë të prodhimeve vendore, me import të madh, normë të lartë të paunësisë, varfëri e probleme të renda sociale. Andaj, vetvetiu shtrohet pyetja. Nga do te sigurojnë mjetet materiale (miliardët që po premtohen) partitë për t'i realizuar premtimet e dhëna. Kur kësaj i shtojmë edhe problemin e pandemisë, masat e së cilës solleën deri te likuidimi i shumë subjekteve ekonomike, largimin e mbi 60 mijë punëtorëve nga puna, del se në këtë vit e ndoshta edhe në vitin e ardhshëm vendi ynë do të duhej të ndaje mjete të kondisderueshme për evitimin e ndonjë katastrofe më të madhe shëndetësore, ku nevoiten mjete të mëdha financiare, që drejtperdrejtë do të zvogelojë mundësinë për avancime investive, rritje pagash, pensionesh, e zbutje te problemeve sociale etj. Këto probleme dhe sfida aktuale, kanë zvogeluar nga të gjitha burimet te hyrat buxhetore, që njeherit është edhe përgjigja se nga mund të mbulohen (realizohen) të gjitha këto miliardë që premtojnë partitë tona. Në kontekst të kësaj duhet potencuar se, zhvillimi ekonomik, përkatesisht rritja e pagave, pensioneve, formimi i shumë fondeve me miliona euro, nuk mund të realizohen me premtime e deklarata politike. Për me qenë bindëse për premtimet e tyre partitë politike duhet te dalin me programe konkrete, në të cilat duhet të prezantojnë mundësinë materiale, përkatesisht burimin e mjeteve për realizimin e premtimeve që po i lansojnë në fushatën e tanishme zgjedhore.", u shpreh Limani.

Ai vlerëson se partitë, në programet e tyre, duhet të dalin me shifra konkrete mbi normën e zhvillimit ekonomik për mandatin e tyre, kumulativin dhe burimet e investimeve, numrin e të punësuareve, strukturen ekonomike, reformat ekonomike etj.

Mirëpo, këto gjëra sipas tij, nuk mund të bëhen pa hartimin e Strategjisë së zhvillimit afatgjatë të Kosoves, i cili dokument i mungon vendit tonë.

“Edhe pse Qeveritë e deri tanishme kanë bërë përpjekje hiq më pak se katër herë për të hartuar këtë dokument ku janë dhënë me miliona euro, por edhe sot e kësaj dite ai mungon. Disa prej tyre edhe u promovuan, në mënyre bombaste, por ato pos emrit, as për kah struktura e as për kah përmbajtja asgjë nuk kishin të bëjnë me strategjinë e zhvillimit afatgjatë. Për këtë arsye ato nuk e panë driten kurrë dhe gjenden diku në sirtar të Qeverise.  Është për të konstatuar se Qeveria nuk mund të hartojë me kuadrot brenda saj një dokument aq të rëndësishëm, sepse i mungon potenciali profesionalo-shkencor. Qeveria është ekzekutivi, e cila mund të porosisë, por këtë dokument mund ta hartojnë institucionet shkencore me kuadro profesionalo-shkencore."

Profesori universitar deklaron se nuk po sheh tek asnjë parti e cila në linja të trasha po e prezantojnë programin e tyre ekonomik, që flasin për vizion të rizhvilllmor, në të cilin do të përfshihej: 

  • Hartimi dhe zbatimi i një politike konsekuente ekonomike, reforma rrënjësore ekonomike, 
  • Futjen e masave dhe të instrumeteve të politikes fiskale, kreditore dhe të politikës së tregtisë së jashtme në funksion të ruajtjes dhe zhvillimit të bizneseve vendore,
  • Politikën investive si instrument të rëndësishëm në përcaktimin e politikës zhvillimore makroekonmike,
  • Ndryshimin e struktures ekonomike me orientim të zhvillimit të lëmenjëve dhe degëve prodhuese, 
  • Motivimin dhe kyçjen e kuadrove profesionale, 
  • Zhvillimin rajonal (territorial) si pjesë përbërse e zhvillimit të gjithmbarshëm ekonomik të Kosovës, e kështu me rradhë. 


Situata aktuale ekonomike ndërkombëtare, si dhe sfidat me të cilat përballet ekonomia jonë, sipas profesorit, shtron para nesh nevojën që t'i qasemi edhe ndryshimit të filozofisë ndaj proceseve dhe politikave zhvillimore makroekonomike.

“Filozofia e re nënkupton vetevetiu ndryshime në strukture, përkatesisht futjen e të menduarit ekonomik të klimës së "ndryshimeve të përhershme", që kushtëzojne transformim në zhvillimin ekonomik. Në vizionin  e ri zhvillimor duhet të zë vend të veçantë koncepti ekonomik që forcon institucionin e ndërmarresise dhe iniciativës private. Për realizimin e këtij qellimi, duhet angazhuar dhe motivuar kuadrot profesionale, përkatesisht të zbatohet politik e shëndosh kadrovike. Kuadrot profesionale, duhet të marrin mbi vete përgjgjësine, luftën për risi, inovacione dhe prosperitet, të cilat do ta çojnë perpara zhvillimin ekonomiko-shoqeror të vendit tonë.

Ai thekson se nuk duhet të lejohet që në të ardhmen me ekonomi të udhëheqin jo profesionalistët, siç ishte rasti deri me tani.

“Kërkohet moral i ri, moral që shpie nga perspektiva, që do të arrihet me mobilizimin e tërë potencialit intelektual, profesional e shkencor. Është parim i përgjithshëm se kur individët besojnë në kodeksin moral, ata do t'i respektojnë edhe rregullat ligjore. Për fat të keq, në Kosovë te një numër i lidershipit kjo nuk ndodhë, dhe ata, në mungesë të respektimit të normave ligjore, shkelin jo vetëm ligjet, por edhe mbi kodeksin moral.

Për fund, Limani deklaron se aktualisht Kosova po përjeton thyerje të ndryshme dhe të thella në të gjitha fushat jetësore.

"Është për të ardhur keq, por është e vërtet se, në kohën në të cilën po jetojmë, jeta politike, shoqërore, ekonomike e sociale po bëhet gjithnjë e më e rënde, më e vështirë, më e ndërlikuar dhe më komplekse, që po shprehen në demoralizimin e qytetareve, veçmas rinisë. Po përballemi me sfida dhe probleme të mëdha në të gjitha poret jetësore, në te cilat në shumë elemente të tyre ka gjëra të paqarta, të mjegulluara e të pakuptueshme, bile edhe të pa pranueshme për logjiken e njeriut të shendosh e të ndërgjegjshëm. Me ngjarjet që po ndodhin aktualisht nuk është vështirë të konstatohet se, shoqerinë tonë e ka kapluar kriza e moralit. Sikur po na mungon vetëdijësimi, qasja objektive dhe reale e zgjidhjes së proceseve politike dhe ekonomiko-shoqërore dhe vizioni per një te ardhme më të mirë. Andaj, problemet politike dhe ekonomiko-shoqërore me të cilat po ballafaqohet Kosova, nuk zgjidhen me deklarata politike, premtime, pa unitet politik, pa vizon e koncept të zhvillimit ekonomik, pa ndryshime rrënjësore në politikat e zbatuara zhvillimore makroekonomike, pa ndryshimin e politikes kadrovike, pa luften e nepotizmit, korrupsionit etj."  

Eksperti financiar, Florin Aliu, për Syri.net Kosova thotë se nga të gjitha premtimet e partive politike vërehet një qasje për ekonominë që nuk është në funksion të zhvillimit.

Ai vlerëson se politikat e propozuara nuk burojnë si rezultat i analizave të thelluara në problemet reale të ekonomisë.

Aliu për premtimet e LDK-së thotë se janë jashtë realitetit aktual ekonomik.

“Investimet në nivelin e 6 miliardë euro janë të pamundshme për shkak se ekonomia e Kosovës po shkon drejt një rënie të thellë ekonomike. Prandaj gjendja aktuale e ekonomisë është si të i shpetojmë bizneset nga falimentimi, por edhe gjasat që problemi të shkoj drejt sistemit financiar.

 Ndërsa sa i përket PDK-së, sipas Aliut premtimi për subvencione, nuk është i duhur.

 “Arsyeja pse nuk është i duhur qëndron në të dhënat e kaluara ku subvencionet për bujqësi kanë pas efekt shumë të vogël në këtë sektor. Prandaj duhet të mendojmë për politika më strukturore në bujqesi.  

Aliu deklaron po ashtu se subvencionimi i normës së interesit nuk  përkon me gjendjen në sektorin e bankave.

 “Ne e kemi sektorin e teknologjisë infirmative në Kosovë, që funksionon shume mirë pa subvencione dhe shumë sektorë tjerë, ndërsa sektorin e bujqësisë më shumë intervenim dhe pak outpute efikase. Normat e interesit në sektorin janë aktualisht të ulëta dhe justifikojnë nivelin e riskut të ekonomisë sonë.

Eksperit, vlerëson se është AAK, e cila ka një propozim interesant që mendon se duhet të trajtohet me shumë, për krijimin e bursës së Prishtinës.

"Kjo ide duhet të miret parasysh në mënyrë që të thellohet studimi mbi mënyrën dhe rreziqet për funksionalizimin e bursës së Prishtinës. Une mendoj se dy politika duhen të jenë dominante për partitë politike, ajo akute në raport me ekonominë dhe ato strukturore. Politikat akute kanë të bëjnë me intervenimin e shpejt në mënyre që të shpëtohen bizneset. Kjo realizohet përmes buxhetit te shtetit pjesërisht dhe bankave si lojtare kryesorë për të shpëtuar ekonomine tonë."

Ai vlerëson se politikat në lidhje me të ardhmen kanë të bëjnë me reforma të thella në ekonomi, e një ndër to është krijimi i bursës me gjithë mekanizmat përcjelles.

"Unë mendoj që na kemi mungesë të vizionit për ekonomine për shkak se mungojnë studimet e në kur mungojnë studimet pastaj vendimet nuk përkojnë me nevojat e ekonomisë sonë", shtoi ai.

Ndryshe, vlerësimet për programet nuk përfshijnë edhe Lëvizjen Vetëvendosje, programi i së cilës u publikua një ditë para fushatës. Për këtë program, do sjellim një shkrim tjetër për mundësinë e zbatimit të tij duke pasur parasysh edhe pritjet që VV të formojë qeverinë e ardhshme. 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco