Politikanët pushtetin, bizneset kolapsin, qytetarët jetën

Politikanët pushtetin, bizneset kolapsin, qytetarët jetën

10:03, 11/01/2021 Nga Dardan Gashi

Tash e 21 vjet politikanët kosovarë e kishin ‘gojën plotë’ sundim të ligjit.

Por, janë vetë ata të cilët po vazhdojnë ta shkelin atë.

Fjala është për respektimin e masave anti-Covid të vendosura nga Qeveria e Kosovës.

Në prag të fushatës zgjedhore, për zgjedhjet e 14 shkurtit, partitë politike kanë filluar të bëjnë fushatë në ambiente të mbyllura, duke grumbulluar kështu shumë qytetarë e në të njëjtën kohë duke e rrezikuar shëndetin e tyre, pasi të njëjtit rrezikohen të infektohen me koronavirus.

Ani se para ligjit në Kosovë, proklamohet në vazhdimësi se të gjithë janë të njëjtë, kjo nuk po del të jetë e vërtetë.

Në tubimet e fundit të mbajtura nga partitë politike, në asnjë rast nuk është raportuar ndërhyrja e policisë, për të shqiptuar gjoba për mosrespektimin e masave anti-Covid.

Ndryshe, nga politikanët, ata që po pësojnë më së shumti financiarisht duke raportuar humbje milionëshe nga pandemia (bizneset dhe qytetarët), po vazhdojnë të ‘sakatohen’ me gjoba shkaku i mosrepktimit të masave anti-covid.

Vetëm gjatë 24 orëve të kaluara, Policia e Kosovës në raportin e saj njofton se janë shqiptuar 381 gjoba për mosrespektim të masave.

E amnistia, ndaj politikanëve të cilët po mbledhin turma njerëzish për të bërë fushatë, po shihet shqetësuese nga qytetarët, bizneset, përfaqësuesit e bizneseve dhe njohësit e ekonomisë.

Muhamet Hasani, qytetar nga Prishtina, për Syri.net Kosova shprehet i shqetësuar për standardet e dyfishta të cilat po përdoren nga institucionet.

Ai i bënë thirrje qytetarëve të i bojkotojnë këto tubime.

“I ftoj të gjith mos të shkojnë në ato tubime, por edhe nëpër kafene të kenë kujdes, se virusi është gjethkah. E dijmë qfarë insitucione kena, kështu që më së miri është me i bojkotu vetë e mos me prit intervenimin e shtetit, se dikur bohet vonë”.

Ata që u goditën më së rëndi nga pandemia, ku sipas raportimeve jo zyrtare thuhet se humbën vendin e punës mijëra qytetarë( lexo rreth 30 mijë), gastronomët, këtë situatë e quajnë mjerim.

Menaxheri i njërës prej kafiterive të njohura në kryeqytet, me inicialet I.B, për Syri.net Kosova thotë se ajo që po bëjnë politikanët për pushtet është turp.

Sipas tij, atyre nuk po I intereson shëndeti i qytetarëve e as dëmi ekonomik që i ka shkaktuar pandemia, bizneseve.

“Fillimisht kur i pash fotot e politikanëve pa maska e pa distancë, mendova mos ka dal naj variant tjetër i Koronavirusit që nuk shpërndahet në fushata! Kjo që po bëjn ata për pushtet është turp, se po shihet që në fakt e kanë synimin me arrit në udhëheqësi e s'ju intereson fort shëndeti jonë. Sipas tyre, Covidi shpërndahet vetëm nëpër kafene e jo nëpër fushata! Neve na kanë dëmtu dhe po vazhdojnë të na dëmtojnë.  Në vend se të mendojnë se si ta shpëtojnë sektorin tone me ndonjë plan konkret, ata po vazhdojnë ta rrezikojnë edhe më tepër, kjo është mjerim”

Ndërsa, Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, tubimet elektorale i bëjnë të pavlera masat anti COVID-19.

“Tubimet e fundit elektorale, me dhjetëra persona në hapësira të mbyllura, i bëjnë të pavlera, të gjitha masat kufizuese, për parandalimin e pandemisë. Si mund të arsyetohet, tash e tutje, ndalesa për organizimin e ahengjeve dhe ngjarjeve? Si mund të arsyetohet kufizimi i orarit të punës?? Politikanët edhe qytetarët e tjerë janë të barabartë para ligjit. Hipokrizi e llojit të vet është që të njëjtit që premtojnë sundim të ligjit, të vazhdojnë natën dhe ditën ta shkelin ligjin” ka shkruar ai në Facebook.

Për Syri.net Kosova, ka folur edhe zëri i konsumatorit kosovar, Selatin Kaçaniku, nga organizata “Konsumatori”

Kaçaniku thotë se disa parti e politikanë po na trajtojnë si skllavë, si pronë të tyre dhe po na ofendojnë inteligjencën.

“Nuk e di se cilës parti ose politikan i nevoitemi si jo inteligjentë, që nuk kuptojmë, që kemi durim pa kufi…Ne megjithëate jemi të një brumi demografik dhe i propozuam, i përzgjodhëm e i votuam” thotë ai.

Ai shton se disa parti e politikanë as para këtyre tubimeve nuk i kanë respektuar masat.

“Ata janë një nga arsyet për rritjen (e kohëpaskohëshme) të numrit të të prekurve me COVID 19. Disa kanë ftuar edhe në padëgjueshmëri publike ndaj masave AntiCOVID 19 ?! Dëshmuan papërgjegjëshmëri, joseriozitet, primitivizvëm…të madh. “Aktronin” pa masa mbrojtëse e pa maska - si të ishin aktorë të ndonjë seriali filmik”

Kaçaniku thekson se ata reaguan shpeshherë, mirëpo fajëson edhe disa prej mediumeve të cilët heshtën karshi kësaj situate.

“Ne, si Org. KONSUMATORI kemi reaguar shumë herë. Jo rrallë ishim të vetmit. Nuk reagonin as disa mediume të informimit publik anise i kishin raportimet, filmimet e fotografitë e emetuara. Ato, në vend se të shkruajnë, dokumentojnë, informojnë…dhe të na bindin se nuk janë mediume të partive, të politikanëve…as të grupeve të shumta të interesit, heshtnin, e mbulonin turpin dhe e merrnin mbi vehte bashkfajsinë e përhapjes së COVID 19-shit. Nuk reagoi kurrë as KPM-ja  ?!”

Ai vlerëson se policia dhe inspeksionet duhet t i ndalojnë këto tubime elektorale në hapsira të mbyllura, por, edhe jashtë nëse pjesëmarrësit janë pa masa mbrojtëse.

“ Edhe KQZ-ja duhet t i ndalojë tubimet e tilla e Ombusdspersoni duhet të na marrë në mbrojtje. KPM-ja duhet të zgjohet nga gjumi dimëror dhe t i monitorojë mediumet e informimit publik “

Dëmet që ia shkaktoi ekonomisë kosovare, i numëron njohësi i çështjeve ekonomike, Jakup Bellaqa.

Bellaqa për Syri.net Kosova thotë se problemet makro dhe mikro janë evidente.

Kjo pasi, ka rënie ekonomike për vitin e kaluar rreth  7.2% mesatarja vjetore, ndërsa, edhe pse ekzekutivi ka premtuar se në këtë vit do të ketë rritje prej 5.2% kur të korrespodon me 7.2% i bie qe te ketë rritje ekonomike prej 2%.

“Në  aspektin e përgjithshem rezulton se pse, kjo situatë e brishtë ekonomike është se jo stabiliteti politik krijon jo stabilitet ekonomik. Pastaj rrjedhimisht përkeqësohen ambienti i të bërit biznes, ku si përberës do te ketë pasigurinë për te investuar nga jashtë( IHD) si dhe nuk do te ketë produktivitet në ekonomi, efikasitet, dhe efiqencë ekonomike. Andaj, instutucionet relevante do te duhej te reflektojnë pozitivishtë qe te merren me ngritjen e cilsisë se jetës ekonomike dhe sociale

Sipas tij, situata e krijuar do të thotë se agjenda politike dominon para agjendës ekonomike, me vetë faktin se të gjitha formacioneve politike iu intereson që ta marrin betimin e qytetarëve.

Ndryshe, nga rreth 1 miliard euro se shënuan bizneset në Kosovë gjatë pandemisë me COVID-19, Qeveria e Kosovës, deri më tani, i ndihmoi ata me vetëm rreth 150 milionë euro.

Në pakon emergjente të Qeverisë së Kosovës, në vlerë prej rreth 180 milionë eurosh, bizneset gëzuan një mbështetje financiare prej mbi 60 milionë euro.

Me këto mjete ishte paraparë mbulimi i shpenzimeve të pagave mujore të punonjësve në vlerë prej 170 eurosh për 2 muaj, subvencioni i qirasë deri në 50 për qind të vlerës e të tjera.

Ndërkaq, nga Fondi për Rimëkëmbje Ekonomike i Qeverisë së Kosovës, i cili kap vlerën e më shumë se 350 milionë eurove, u ndanë 60 milionë euro për biznese, në bazë të listës së numrit të punëtorëve.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco