Bizneset mbeten peng,  garantimi kreditor deri në 80%, ende askund

Bizneset mbeten peng, garantimi kreditor deri në 80%, ende askund

08:21, 04/01/2021

Fondi për Garanci Kreditore të Kosovës ende nuk ka filluar të diskutoj me bankat që janë anëtare për t’i zbatuar modalitetet e Ligjit për rimëkëmbje ekonomike.

Kështu së paku deklarohet zëdhënësi i  Bankës Qendrore të Kosovës, Kushtrim Ahmeti i cili thotë se nuk kanë pranuar ende ndonjë njoftim lidhur me vendosjen e skemave dhe produkteve të reja nga ky Fond.

“Deri më sot, BQK-ja nuk ka pranuar ndonjë njoftim lidhur me vendosjen e skemave dhe produkteve të reja nga ana e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore”, thotë Ahmeti.

Ai po ashtu tha se Banka Qendrore mbetet e hapur për t’i vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet profesionale sa i përket kësaj çështje.

“BQK-ja, ashtu si edhe deri më tani, mbetet e hapur për t’i vënë të gjitha kapacitetet e saj profesionale në dispozicion të çdo procesi që ka për qëllim mbështetjen e ekonomisë tonë, e me këtë rast edhe për modalitetet e zbatimit të kërkesave të këtij Ligji, që ka të bëjë me Fondin për Garanci Kreditore, me qëllim të zbatimit të planit të rimëkëmbjes ekonomike”, thotë Ahmeti.

Por, nga Fondin për Granci Kreditore nuk kanë dhënë ndonjë njoftim për këtë.

Pavarësisht insistimit të portalit arbresh.info për të marrë përgjigje se nëse nga ky fond kanë nisur diskutimet me bankat, ata nuk janë përgjigjur.

E lidhur me këtë Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që t’i ndaj 21 milion euro nga fondet e huamarrjes nga Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim për Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.

“Në mbledhje është shqyrtuar dhe aprovuar vendimi për autorizimin e transferimit të mjeteve  nga fondet e huamarrjes nga Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim, të ndara në Programin e Rimëkëmbjes Ekonomike. Vendimi i miratuar nga Qeveria autorizon transferin e 21 milion e 510 mijë euro nga fondet e huamarrjes nga Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim, të ndara për Programin e Rimëkëmbjes Ekonomike. Këto mjete transferohen te Fondi Kosovar për Garanci Kreditore”, thuhet në vendimin e marrë nga Qeveria e Kosovës.

Pakoja e Rimëkëmbjes Ekonomike (PRE) është një linjë e re garantuese që do të operojë në kuadër të FKGK–së dhe që ka për qëllim mbështetjen e Ndërmarrjeve Mikro të Vogla dhe të Mesme (NMVM) përmes garantimit të kredive.

Kjo Pako, parasheh të rritë  mbulueshmërinë me garancion kreditor deri në 80% të vlerës së kredisë, si dhe do t’i ofrojë mundësi edhe fermerëve me  Numër Identifikues të Fermerit (NIF).

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco