Buxheti 2.4 miliardë, kush përfiton më së shumti?

Buxheti 2.4 miliardë, kush përfiton më së shumti?

09:14, 28/12/2020

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se më 28, në ora 11:00 do të mbahet seanca e jashtëzakonshme për ndarjen buxhetore për buxhetin e vitit 2021.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arbren Gashi, ka bërë  të ditur javën e kaluar se seanca plenare është thirrur me kërkesë të më shumë se 40 deputetëve.

Buxheti për vitin 2021 pritet të jetë 2.4 miliardë euro ose 200 milionë euro më i ulët në krahasim me këtë të vitit aktual për shkak të pandemisë COVID-19.

Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi ditë më parë njoftoi se janë në fazën finale të përgatitjes së buxhetit për vitin 2021.

 “Për vitin 2021, duke pasur parasysh burimet e brendshme e të jashtme, tek shpenzimet jemi ende në fazën e fundit të diskutimeve, por buxheti do të jetë diku rreth 2.4 miliardë euro, do të thotë bien në krahasim me këtë vit (2020) që është 2 miliardë e 600 milionë. Po ashtu bie edhe kjo pjesa që kemi obligim për rritjen e borxhit dhe deficitit prej 6.5 ku ne duhet të kthehemi brenda tri viteve tek 2 përqindëshi…. Do të jetë më i vogël buxheti edhe për shkak të pandemisë, por realisht nëse krahasojmë buxhetin 2020 me 2021 të hyrat do të rriten, do të rikthehemi te rritja ekonomike, por jo në atë shkallë për të mbërritur kufirin e vitit 2020, për arsye se ne kemi shfrytëzuar bilancin bankar, rregullin fiskal për rritje të decitit buxhetor. Pra, këto janë instrumentet që e diktojnë edhe madhësinë e shpenzimeve të buxhetit”, tha Krasniqi.

Por ky buxhet nuk kaloi pa u kritikuar pasi I njejti nuk po ndahet njëjtë për të gjitha komunat.

Këtë konstatim e ka dhënë Agron Demi nga Instituti GAP, i cili tha se komunat që udhëheqën nga AAK janë më të favorizuara se të tjerat

Përmes një statusi të bërë, Demi tha se Prizreni dhe Shtimja marrin 20 herë më pak investime për kokë banori, se sa Juniku që udhëhiqet nga AAK.

“Për ata, komunat e qeverisura nga AAK vazhdojnë me i mar shumicën e investimeve edhe më 2021. Ka një padrejtësi të madhe se si ndahet buxheti i ministrive për investime në komuna. Përderisa Juniku përfiton investime në vlerë prej 279 euro për kokë banori, Prizreni ose Shtimja marin gati 20 herë më pak” tha Demi.

Ndërsa, Instituti GAP në  raportin “Projektbuxheti 2021: favorizimet dhe diskriminimet e komunave në investime kapitale”, thotë se tri ministritë me më shumë buxhet të ndarë për investime kapitale në komuna në vitin 2021 do të jenë Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ndërsa investimet e Ministrisë së Shëndetësisë në komuna pritet të bien për 92% në krahasim me 2020.

Sipas GAP, komunat që do të përfitojnë më shumë nga buxheti i ministrive për investimet kapitale gjatë vitit 2021 janë Komuna e Gjakovës, Prishtinës, Deçanit dhe Mitrovicës.

“Investimet kapitale të ministrive në komuna sipas Projektbuxhetit 2021 janë paraparë të jenë mbi 93 milionë euro dhe të shpërndahen në 33 komuna. Tri ministritë me më shumë buxhet të ndarë për investime kapitale në komuna në vitin 2021 do të jenë Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ndërsa investimet e Ministrisë së Shëndetësisë në komuna pritet të bien për 92% në krahasim me 2020. Komunat që do të përfitojnë më shumë nga buxheti i ministrive për investimet kapitale gjatë vitit 2021 janë Komuna e Gjakovës, Prishtinës, Deçanit dhe Mitrovicës. Sikurse viteve të kaluara, shumica dërrmuese e projekteve kapitale qendrore janë vazhdim apo obligim nga vitet e kaluara, duke lënë pak hapësirë për projekte të reja. Nga rreth 9 milionë euro projekte të reja, më shumë se gjysma e tyre (55%) do të ndahen nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit. Komunat të cilat do të përfitojnë më shumë nga investimet e reja kapitale në vitin 2021 janë Komuna e Gjakovës, Mitrovicës, Klinës dhe Deçanit. Komunat e qeverisura nga AAK do të përfitojnë 60 % të investimeve të reja, komunat e qeverisura nga LDK me 19%, komunat e qeverisuara nga VV me 12% dhe të tjera”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës gjatë muajit mars e ka afatin e fundit të dërgojë projektbuxhetin për vitin 2020 në Kuvendin e Kosovës për miratim.

Në të kundërtën në muajin prill nuk do të mund të bëhet asnjë pagesë, përfshirë edhe pagat, mëditjet dhe mallrat e shërbimet.

 

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco